Gruaja që nuk e njeh pensionin, lë Zvicrën dhe hap fermë në Kosovë

Gruaja që nuk e njeh pensionin, lë Zvicrën dhe hap fermë në Kosovë

Ekonomia March 26, 2026 - 14:20

Edhe pse në një moshë kur shumëkush zgjedh pensionimin, 66-vjeçarja Ramize Rexhepi nga lagjja Sofali e Prishtinës ka vendosur të ndjekë një rrugë krejt tjetër. E kthyer nga Zvicra, ajo ka ndërtuar një jetë të re duke iu përkushtuar blegtorisë dhe punës në fermë, duke dëshmuar se pasioni dhe vullneti nuk njohin moshë.

Është 66-vjeçare dhe jeton e vepron në Prishtinë.

Edhe pse në moshë të shtyrë dhe shumë afër qendrës së qytetit, Ramizja merret me mbarështimin e lopëve dhe shpezëve.

Në vitin 2022, pasi u pensionua nga puna në Zvicër, ajo u kthye në Kosovë. “Kur jam kthyer, nëna ime kishte vetëm një lopë. Prej asaj kam filluar dhe sot kam arritur në rreth 20 krerë”, thotë Rexhepi.

Gjedhet i mbarështon në një fermë jo të madhe, por ka plane të qarta për të ardhmen.

“Planifikoj ta ndërtoj një fermë të re mbi shtëpinë ku jetoj. Me mjete të mia, veç të mos më pengojnë me leje ndërtimi”, shprehet ajo.

Në fermën e saj, lopët pothuajse gjatë gjithë vitit qëndrojnë në kullosa, përveç periudhës kur bie borë.

Përkundër mungesës së fuqisë punëtore, Ramizja kujdeset vetë për to.

“I ruaj vetë në kullosa. Për mbrojtje i kam edhe katër qenë deltar ilir dhe deri sot nuk kam pasur probleme me ujqër, edhe pse ka në këtë zonë”, thotë ajo për Rtk.

Sa i përket ushqimit, pjesën më të madhe e siguron përmes blerjes.

“Nuk kam tokë të mjaftueshme për prodhim, por edhe me ushqim të blerë, fitimi nuk mungon”, thotë Rexhepi.

Lopët në këtë fermë mbarështohen kryesisht për mish, ndërsa tregu për shitjen e viçave është i sigurt.

“Shitja është e garantuar dhe çmimi është i mirë”, shton ajo.

Punën që bën sot e vlerëson shumë.

“E bëj me qejf këtë punë. Në Zvicër kam parë shumë gra që merren me bujqësi dhe blegtori”, shprehet Rexhepi.

Ajo është e kënaqur edhe me subvencionet, ndërsa synon ta zgjerojë fermën në të ardhmen, nëse siguron fuqi punëtore.

Megjithëse ka jetuar për vite të tëra në Zvicër, ajo nuk e sheh veten në një jetë tipike qyteti.

“Nuk mund ta paramendoj jetën vetëm në qytet”, thotë ajo.

Përveç lopëve, aktualisht ka edhe rreth 20 pula. Një pjesë e tyre i ka humbur nga dhelpra.

“Vezët i përdorim për familje, por ndonjëherë edhe i shesim”, tregon ajo.

Ndërsa shotat i mban më shumë për dëshirë personale.

“I kam për merak, por do t’i pakësoj sepse janë të vështira për mbarështim”, shprehet Rexhepi.

Përveç blegtorisë, ajo nuk ka ndërmend ta lërë anash as profesionin që e ka ushtruar për vite në Zvicër.

“Kam plan ta funksionalizoj restorantin për dasma dhe një pjesë për konsum ditor”, tregon ajo.

Përvojën e saj në Zvicër e kujton si sfiduese.

“Nuk ka qenë punë e lehtë gastronomia atje, por blegtoria vlerësohet shumë”, përfundon Rexhepi.