Nga 1 prilli nis faza e dytë e liberalizimit të energjisë, bizneset e mëdha dalin në treg të hapur
Nga 1 prilli 2026 hyn në fuqi faza e dytë e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë, duke sjellë ndryshime të rëndësishme për një kategori të bizneseve në vend.
KESCO, në cilësinë e Furnizuesit të Shërbimit Universal, ka njoftuar se konsumatorët komercialë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro nuk do të furnizohen më me tarifa të rregulluara, por do të obligohen të zgjedhin një furnizues të licencuar në tregun e hapur.
Ky proces po zbatohet në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe vendimet e Zyrës së Rregullatorit për Energji, të cilat synojnë liberalizimin gradual të tregut energjetik.
Sipas të dhënave të Administrata Tatimore e Kosovës, një numër biznesesh nuk i plotësojnë më kriteret për të qenë pjesë e shërbimit universal, rrjedhimisht KESCO nuk do të mundë të vazhdojë furnizimin e tyre me tarifa të rregulluara nga data 1 prill.
Bizneset që preken nga ky vendim duhet të përzgjedhin një furnizues të licencuar dhe të nisin procedurën e ndërrimit së paku 21 ditë pune para hyrjes në fuqi të kontratës së re, ndërsa lista e furnizuesve është e publikuar në faqen zyrtare të ZRRE-së.
Në rast se një biznes nuk arrin të përzgjedhë furnizuesin me kohë, ai do të furnizohet përkohësisht nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për një periudhë deri në 60 ditë. Pas këtij afati, në mungesë të një kontrate të vlefshme, furnizimi me energji elektrike mund të ndërpritet, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërkohë, bizneset që janë vet-konsumatorë (prosumatorë) njoftohen se nga kjo datë përfundon skema aktuale me tarifa të rregulluara, ndërsa energjia e prodhuar do të trajtohet sipas kontratës me furnizuesin e zgjedhur.
KESCO u ka bërë thirrje të gjitha bizneseve që preken nga kjo fazë e liberalizimit që të konfirmojnë dhe raportojnë pranë kompanisë njësitë përkatëse të konsumit (shifrat e konsumatorit), me qëllim të sigurimit të një tranzicioni sa më të saktë dhe pa pengesa. /Zëri