Memorandumi me Maqedoninë e Veriut për energjinë “i çuar dëm”, një vit asnjë rezultat
Përkundër disa javësh pritjeje, Qeveria në detyrë e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë së Veriut nuk qenë në gjendje të tregojnë një të arritur në kuadër të memorandumit në sektorin e energjisë, të nënshkruar më 18 Nëntor 2024.
Duke zgjedhur të përmbushë vetëm kërkesën për qasje në dokumente, Ministria e Ekonomisë e Kosovës ia ofroi televizionit dokumentin e nënshkruar, por nuk u përgjigj në pyetjet për veprimet dhe rezultatet eventuale.
Në anën tjetër, përkundër që më 18 Nëntor konfirmoi pranimin e pyetjeve dhe tha se do të përgjigjet “së shpejti”, Ministria e Energjisë e Maqedonisë së Veriut nuk iu përmbajt zotimit.
Ujdia rezulton e çuar dëm pasi nuk u përmend asnjë rezultat dhe vlefshmëria e saj ishte një vit kalendarik – pra, tashmë është e skaduar.Për më tepër, memorandumi i nënshkruar nga përfaqësuesit e qeverive të dy shteteve, kishte shfuqizuar atë të vitit 2021 – për bashkëpunim në sektorin e energjisë.
“Rritja e sigurisë, përballueshmërisë e qëndrueshmërisë energjetike” ishin theksuar si qëllime të nënshkrimit të dokumenti, sipas njoftimit zyrtar.
Me synimin për të zhvilluar një partneritet strategjik, memorandumi liston pesë masa në të cilat palët ishin pajtuar punojnë.
Në masën e parë ishin përmendur përcaktimi i nismave për bashkëpunim lidhur me burimet e ripërtërishme të energjisë, efiçiencën, thëngjillin, furnizimin si dhe përgatitjen e projekteve e infrastrukturës së energjisë.
Krahas ekspertizës dhe informacioneve, pjesë e dokumentit ishte edhe hulumtimi i potencialit për shkëmbimin e energjisë elektrike ndërmjet dy shteteve ose të energjisë elektrike me thëngjill.
Shkëmbimet direkte të rrymës sikur ato me Shqipërinë, apo pranimi i energjisë në këmbim të thëngjillit, do të mund të ishin faktorë me ndikim në uljen e importit veçmas gjatë dimrit.
Memorandumi tashmë i skaduar, ishte nënshkruar në mbledhjen e përbashkët të qeverive të dy shteteve, që ishte mbajtur në Prishtinë./TVDukagjin