Shahini: Kosova kryeson botën me tkurrjen e popullsisë, ekonomia në alarm
Foto: Facebook

Shahini: Kosova kryeson botën me tkurrjen e popullsisë, ekonomia në alarm

Ekonomia October 01, 2025 - 15:01

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve, Agim Shahini, ka thënë se Kosova po përjeton një rënie historike të popullsisë, më e shpejta në botë.

Sipas Bankës Botërore, në vitin 2024 vendi humbi 9.7% të popullsisë, duke shënuar një tkurrje që nuk ka precedent. Nga 1.74 milion banorë në vitin 2011, Kosova ka rënë në vetëm 1.6 milion banorë.

Ky fenomen alarmant ndikon drejtpërdrejt në çdo aspekt të jetës ekonomike.

“Çfarë do të ndodhë nëse ky trend vazhdon? Konsumi bie ndjeshëm – më pak të rinj do të thotë më pak kërkesë për produkte dhe shërbime. Tregu i punës ngadalësohet – një popullsi më e vogël dobëson fuqinë punëtore dhe pengon krijimin e vendeve të reja të punës. Rritja ekonomike rrezikohet. Banka Botërore parashikon rritje prej 3.8% për vitet 2025–2026, por kjo mund të mos mjaftojë për të kompensuar humbjet demografike”, ka thënë Shahini.

Aleanca Kosovare e Bizneseve kërkon masa urgjente dhe konkrete.

“Mbështetje financiare për familjet – stimuj për rritjen e natalitetit dhe për prindërit. Politika për punësim të prindërve – sidomos për nënat, për të mos humbur talentin dhe eksperiencën. Investime në arsim dhe shëndetësi – për të krijuar kushte më të mira jetese dhe për të mbajtur të rinjtë në vend. Popullsia është themeli i ekonomisë dhe e ardhmja jonë. Kosova nuk mund të presë më – veprimi duhet të jetë urgjent dhe i menjëhershëm”, ka thënë Shahini, kryetar i AKB-së.