Rryma u shtrenjtua më së shumti, ASK-ja: Inflacioni në gusht arriti në 0,5 për qind
Çmimet e produkteve të konsumit në Kosovë kanë shënuar rritje 4,5 për qind në muajin gusht të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2024.
Këto të dhëna u bënë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, ku thuhet po ashtu se për këtë periudhë inflacioni mujor ishte 0,5 për qind.
Bazuar në të dhënat e ASK-së, rritjet më të mëdha të çmimeve janë evidentuar tek energjia elektrike dhe pushimet e organizuara me 17,1 për qind.
“Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë në një mesatare prej 4,5 % në muajin gusht 2025, krahasuar me muajin gusht 2024. Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit në këtë periudhë te grupet dhe nëngrupet e COICOP-it: energjia elektrike (17,1%)”.
Sipas kësaj agjencie ka pasur edhe rënie të çmimeve.
“Rënie e çmimeve vërehet te biletat e fluturimeve (-7,8%), lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. (-4,1%), karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal (-3,2%)”, thekson mes të tjerash Agjencia e Statistikave të Kosovës në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), gusht 2025”.