Bajrami: Nëse ZRRE-ja s’e pezullon vendimin, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë
Foto: Laura Hasani

Bajrami: Nëse ZRRE-ja s’e pezullon vendimin, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë

Ekonomia July 31, 2025 - 10:48

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke thënë se nëse ky institucion nuk e pezullon sot vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si “armiku më i madh i ekonomisë në vend”.

Sipas saj, rreth 140 mijë vende pune janë në rrezik, ndërsa përjashtimi i bizneseve nga tregu i rregulluar mund të shkaktojë një valë të re inflacioni, që do të prekë çdo produkt.

“E kemi thënë që në fillim: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet. Bizneset e përjashtuara ende nuk i kanë faturat e muajit qershor”, ka shkruar Bajrami në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook.

Ajo ka kërkuar që Prokuroria të veprojë ndaj Bordit të ZRRE-së, duke i akuzuar për veprime në favor të interesave private dhe jo publike.

Reagimi i plotë i Bajramit, pa ndërhyrje:

Zyra e Rregullatorit për Energji nëse sot nuk e pezullon vendimin për përjashtimin e bizneseve nga shërbimi universal i furnizimit me energji, do të hyjë në histori si armiku më i madh i ekonomisë në vend.

Janë në rrezik mbi 140 mijë vende pune dhe valë e re inflacionit për secilin produkt.

E kemi thënë që në fillimi: nuk ka treg të lirë, bizneset nuk janë të përgatitura, as institucionet, andaj bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor.

Prokuroria nuk duhet të ketë pardon për Bordin e ZRRE-së.

Nuk duhet të lejohet asnjëherë që njerëz që paguhen me para publike me punu për interesa private.

Le të tregojë ZRRE-ja si institucion mbikëqyrës:

• Pse bizneset e përjashtuara nga tregu i rregulluar ende nuk i kanë faturat e muajit qershor?

• Pse importi i energjisë në qershor është rritur 800% krahasuar me muajin maj?

• Kush janë përfituesit e kësaj skeme?

Emrat tashmë dihen: EFT-ja e Vuk Hamoviqit, tregtarët tjerë me nga dy punëtorë, e tash e tutje në rrethin e përfituesve pritet me hy edhe kompanitë e licencuara së voni nga ZRRE-ja që kanë lidhje të ngushta me politikën.

ZRRE-ja po sakrifikon ekonominë, prodhimin vendor dhe 140 mijë vende pune për interesa mafioze.

Prokuroria, o sot, o kurrë!