Papunësia në Kosovë, rreth 14%
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin tematik “Të dhënat e Tregut të Punës sipas Komunave”, bazuar në rezultatet e ReKos 2024, duke ofruar një pasqyrë të detajuar të treguesve të tregut të punës në nivel vendi dhe komunal.
Sipas këtij raporti, shkalla e papunësisë në Kosovë është 13.9 për qind. Nga të dhënat rezulton se mbi një milion qytetarë (1,063,687) i përkasin moshës së punës (15–64 vjeç), prej të cilëve 514,791 janë aktivë në tregun e punës, ndërsa 548,896 janë ekonomikisht joaktivë.
Numri i të punësuarve arrin në 443,364 persona, ndërsa 71,427 janë të papunësuar. Ndërkohë, papunësia tek të rinjtë (15–24 vjeç) është 19.3 për qind, transmeton Zeri.info.
Raporti nxjerr në pah se shkalla e joaktivitetit mbetet e lartë, duke arritur në 51.6 për qind. Kjo dukuri është dukshëm më e theksuar tek femrat (65.4 për qind), krahasuar me meshkujt (37.8 për qind).
Sa i përket strukturës së punësimit, sektorët kryesorë ekonomikë që dominojnë janë tregtia (19.7 për qind), prodhimi (12.7 për qind), ndërtimtaria (9.6 për qind), arsimi (8.5 për qind) dhe administrata publike e mbrojtja (8.2 për qind).
Femrat janë të përqendruara kryesisht në sektorët e tregtisë, arsimit dhe kujdesit shëndetësor, ndërsa meshkujt dominojnë në tregti, prodhim, ndërtimtari dhe administratë publike.
Raporti përfshin gjithashtu analiza të detajuara mbi shpërndarjen e punësimit sipas gjinisë, moshës, nivelit të arsimit, profesioneve dhe aktiviteteve ekonomike, si dhe të dhëna mbi orët e punës, vendin e punës dhe tipin e vendbanimit.
ASK-js thekson se të dhënat nga regjistrimi shërbejnë si burim plotësues për analizat strukturore dhe territoriale, ndërsa Anketa e Fuqisë Punëtore mbetet burimi kryesor për statistikat e tregut të punës në vend. /Zëri