
Kontratat kolektive vazhdojnë të krijojnë sfida financiare, komunat akuzojnë Qeverinë
Kontratat kolektive po vazhdojnë të krijojnë sfida të mëdha financiare për komunat në Kosovë, duke e bërë të vështirë funksionimin e rregullt të institucioneve komunale.
Ekonomia Online ka kontaktuar me dy kryetarë komunash të cilët po ankohen se kompensimi i punonjësve u ka shkaktuar atyre telashe të mëdha financiare.
Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se obligimi që e ka komuna që ai e drejton është rreth pesë milionë euro.
“Natyrisht po, është një prej problemeve dhe sfidave që kanë krejt komunat e Kosovës. Në fakt është trashëguar një obligim borxh që do duhej me qenë i Qeverisë e jo i komunave sepse komunat nuk janë palë kontraktuese, nuk janë subjekt i nënshkrimit të kontratave. Qeveria është dashtë me trashëgua edhe përgjegjësitë obliguese që janë ndaj saj dhe jo vetëm benefitet që mund trashëgohen nga ish-qeveritë e kaluara dhe është një problem për të cilën ka një konstatim të përbashkët edhe nga vetë Qeveria që është në dëm të projekteve të komunave, një obligim jashtëzakonisht i madh e cila pengon zhvillon e projekteve të caktuara në secilën komunë”.
“Natyrisht ne nuk kemi një kosto përfundimtare që mund ta dimë sepse këtë kosto po e shton përditë e më shumë çështja e shpenzimeve të përmbaruesve, të gjyqësorit dhe të tjera, megjithatë një obligim që ka Komuna e Lipjanit i përafërt mund të sillet rreth 5 milionë euro”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti konsideron se niveli qendror po i neglizhon komunat me mosgatishmërinë për t’ua hequr këtë barrë.
“Nuk mund të nxjerrë një konstatim të tillë, në fakt vërehet një mos interesim dhe një neglizhim i zgjidhjes së problemit, edhe pse saktësisht e dinë që ky problem nuk është çështje e komunave por e nivelit qendror, dhe do duhej me u marrë niveli qendror, me i trajtua këto probleme dhe me i zgjidh. Tek e fundit, ekziston qeveria për të zgjidh problemet e jo për të transmetuar probleme apo për të bartë problemet në nivele lokale”.
Dëm të madh këto kontrata po u shkakton edhe Komunës së Hanit të Elezit. Kryetari Mehmet Ballazhi, ka thënë për se këto mjete po merren nga investimet kapitale, teksa si përjashton as nga kategoria paga dhe mëditje.
“Po natyrisht, si çdo komunë tjetër edhe ne jemi në fazën e këtij kolapsimi ashtu siç ka thënë edhe Asociacioni i Komunave, sepse ne jo vetëm vitin e kaluar por edhe këtë vit të njëjtin problem e kemi me këto lëndë përmbarimore, edhe pse ne jemi munduar që të bëjmë një marrëveshje me mësimdhënës, gjykatë dhe avokatë, mirëpo megjithatë mundësitë e pagesave të këtyre kontratave kolektive nuk e kemi, kështu që po kalojmë te përmbarimi e kështu po na shkakton probleme në projekte, paga e mëditje nëse ata i marrim nga kjo kategori”, deklaroi Ballazhi.
Ballazhi ka thënë se gjysma e buxhetit për investime kapitale do të shkojnë për t’i paguar këto kontrata.
“Përafërsisht nëse nuk gaboj është dhe nëse nuk del edhe diçka tjetër, është diku mbi 200 mijë euro i kemi pa paguar tani. 50 për qind e buxhetit për investime kapitale. Për një komunë që ka një buxhet prej 550 mijë për investime kapitale”, u shpreh Ballazhi.
Kostoja e saktë e padive të ngritura në komuna, nuk është e qartë, meqë ato janë në faza të ndryshme, ndërsa nga Asociacioni i Komunave të Kosovës, kanë deklaruar se kostoja mund të sillet në rreth 35 milionë euro.
Në koordinim me këtë asociacion, komunat kanë ngritur padi ndaj Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar kthimin e mjeteve të shpenzuara gjatë kompensimit të mësimdhënësve, por këto padi, deri më tani, nuk janë trajtuar në gjykata.