Ekspertët: Mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik, pengesë për investime të huaja
Kosova vazhdon të përballet me sfida të mëdha për të tërhequr investime të huaja direkte, për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe ekonomike, si dhe mungesës së reformave në sektorët strategjikë, thonë ekspertët ekonomikë.
Sipas ekspertëve, qëndrueshmëria energjetike dhe reformat e thella në këtë sektor janë të domosdoshme për të siguruar një mjedis tërheqës për investitorët.
Ekonomisti, Besnik Avdija për Ekonomia Online ka thënë se mungesa e stabilitetit ekonomik dhe politik paraqet pengesa serioze për investitorët e huaj, duke shtuar se pa garanci për kthimin dhe sigurinë e investimeve, shumë kompani hezitojnë të vendosin kapitalin e tyre në Kosovë.
“Kosova përgjegjësish paraqet një treg jo stabil edhe në aspektin politik edhe në aspektin ekonomikë. Prandaj kur e shohim një situatë të tillë veçanërisht në vitet e fundit për investitorët e huaj do të ishte shumë problematike që kur faktorizojnë këto aspektet në ato formulat edhe planifikimet e tyre të investimeve dhe kthimi te investimeve, sigurisë së investimeve, qëndrueshmërisë afatgjate të investimeve të tyre. Është shumë e vështirë që të bëjnë një planifikim të mirëfillte edhe të sigurt për të vendosur me një po solide në drejtim të një vendimi të madh për investime që kur të themi të huaja ato nuk janë me dhjetëra-mijëra por janë qindra mira madje edhe në me miliona euro brenda një viti”, ka thënë ai.
Ai pranoi se është bërë progres në krijimin e një kornize legjislative për mbështetjen e investimeve, por theksoi nevojën për përmirësime të vazhdueshme të infrastrukturës dhe shtetit ligjor.
“Në disa drejtime kemi bërë progres si vend në aspektin e kornizës legjislative për përkrahjen e investimeve të huaja direket dhe jo vetëm. Edhe për hapjen e degëve edhe për sektor të ndryshëm për ti fuqizuar ato me qëllim që ti sigurojmë investimet e vazhdueshëm që na vijën nga jashtë. Pavarësisht një bazë solide ka nevojë për përmirësime të vazhdueshëm për shkak se teknologjia, industria, trendët e tregut të ekonomisë nuk duhet që të varen vetëm nga një udhëzim administrativë nga një rregullore ose nga një ligj i cili është miratuar vite më herët, kur e shohim se si po ndërrojnë gjërat brenda ditës me vendime madhore edhe nga shtet e tjera që i kanalizojnë politikat zhvillimore ekonomike ne drejtime të caktuar. Duhet të përmirësojmë shtetin ligjor në kuptimin e sigurisë së këtyre investimeve më shumë se gjithçka tjetër”, ka thënë ai.
Avdija theksoi faktorët që ndikojnë në vendimin e investitorëve për të ardhur në Kosovë, përfshirë faktorët demografikë, tregjet rajonale dhe evropiane, si dhe kapacitetin energjetik të vendit.
Për këtë të fundit ai theksoj se është një problem që mund të krijojë një mesazh të gabuar për investitorët e mundshëm, të cilët mund të hezitojnë të investojnë në Kosovë për shkak të pasigurisë në furnizimin me energji.
“Kjo hynë të ajo pjesa ekonomikë për shkak se kur një biznes vendos që të bëjë një investim në vendin tonë merr parasysh shumë faktor, qoftë faktorin demografik, faktorin e potencialit të tregut, faktorin e potencialit të eksporteve, pra sa është mirë e integruara Kosova në tregje rajonale dhe evropiane. Megjithatë këto futen detyrimisht edhe kostot e punës, fuqia punëtore, qëndrueshmëria energjetike, kapacitetet energjetik për furnizim për shkak se ka biznese që kanë konsum shumë të lartë energjetik. Nëse i shohim linjat e prodhimit të fabrikave të veturave, është shumë e vështirë që të ju sigurohet në mënyrë të qëndrueshëm një lloj sigurie e atij investimi. Për shkak se nëse një investitor vjen në Kosovë edhe veç pse vendi jonë ka vendosur që të mos investoj mjaftueshëm në qëndrueshmëri energjetike ti ndalet rryma atje te trafoja kryesore, çka mund të pritet kur humbjet e tij mund të jenë në ditë në qindra mijëra euro. Kjo përçon edhe një mesazh shumë të gabuar edhe të investitorët e tjerë potencial”, ka thënë ai.
Ekonomisti, Jakup Bellaqa vlerëson se mungesa e investimeve në sektorët strategjikë, veçanërisht energjinë, është një pengesë kryesore për zhvillimin ekonomik të vendit.
Ai shtoi se ambienti politik dhe mungesa e sigurisë në veri të Kosovës vazhdojnë të ndikojnë negativisht te investitorët potencialë.
“Është e vërtet që nuk ka pasur investime aq në nivelin e duhur dhe në sektorët strategjikë. Jo vetëm në këtë mandat por edhe në të kaluarën nuk ka pasur investime direket në nivelin e dukur edhe në sektorët strategjikë. Vlen të theksohet se të mungesa e këtyre investimeve, pika kryesore është reformat e thella energjetike që duhet të bëhen. Po ta marrim në mënyrë kalendarike, që nga dhjetori i viti 1999 deri në dhjetor 2024, me ato qindra miliona apo miliarda të cilat janë investuar në energjinë elektrike, po të ishin ndërtuar tre termocentrale energjetik Kosova do të kishte rrymë edhe për të eksportonte jashtë Kosovës. Pastaj ka ndikuar edhe ambienti politik e veriu i Kosovës që ka qenë një pikë e ndjeshme që ende është një pik e pa sigurt për shkak të pasigurisë pulitke”, ka thënë ai.
Bellaqa theksoi se Kosova ka nevojë për reforma të thella energjetike dhe përmirësime të infrastrukturës për të tërhequr investime në sektorët strategjikë.
“Duhet të përmirësohet më shumë ambienti i të bërit biznes, duhet që të ketë më shumë lehtësira tatimore, fiskale, të krijohet ambient i përshtatshëm dhe tërheqës që të investojnë në sektor strategjikë, Kosova ka burime natyrore që mund të shfrytëzohen”, ka thënë ai.