Hajdari: Kosova ka shumë potencial për inovacion falë rinisë, ekosistemi ndërmarrës po evoluon
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), Rozeta Hajdari, ka thënë se ekosistemi ndërmarrës i Kosovës po evoluon e se vendi ka potencial të madh në zhvillimin e inovacionit falë popullatës së re.
Këto komente ministrja i bëri në aktivitetin e MINT-it “Krijimi i Fondit të Inovacionit të Kosovës: Prezantimi i gjetjeve fillestare dhe hapat e ardhshëm”.
Hajdari ka theksuar se me Fondin e Inovacionit po synohet të rriten investimet në ndërmarrësitë inovative.
“Përmes organizimit të kësaj ngjarjeje, që është prezantimi i gjetjeve fillestare dhe hapat e ardhshëm, jemi këtu për të shpalosur potencialin e të gjithëve. Dua të ndaj një përvojë në vizitën time në Austri, Qeveria e Kosovës i përshtatet shumë asaj të Austrisë, e gjeta një ‘slide’ të ngjashëm të krijimit të fondit të inovacionit. Së bashku me ekipin tim reflektova. Ne kemi nevojë të për të ndërtuar një sistem më të qëndrueshëm dhe jam e lumtur që tri ministritë janë duke pasur progres”.
Ajo ka shtuar se vendi ka potencial edhe për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndërsa ka thënë se për tre vjet mesatarja e rritjes së bruto-produktit është 6.2 për qind.
“Kosova disponon një potencial në zhvillimin e inovacionit falë popullatës sonë të re. Kështu ekosistemi ndërmarrës i Kosovës po evoluon, inovacioni ne Kosovë po shihet edhe në industritë kreative që është shumë dinamike, që përfshinë artin, muzikën e filmat digjital. Industria e Kosovës ka shumë potencial në zhvillimin e qëndrueshëm. Gjatë këtyre tre viteve 6.2 për qind është mesatarja e rritjes së bruto-produktit. Po synojmë të investojmë në ndërmarrësitë e vendit”, ka thënë Hajdari.
Georg Shnetzer, ambasadori i Austrisë në Kosovë, tha se në një epokë ku teknologjia zhvillohet çdo ditë, rritja e inovacionit është esenciale.
Andaj, ai ka kërkuar zotim “për progresin e inovacionit”.
Shnetzeri ka theksuar po ashtu se Austria ka qenë dhe mbetet një partner i fuqishëm për promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme.
“Në fillimin e diskutimit për themelimin e inovacionit, ju lus në zotimin e fuqishëm për progresin që inovacioni luan ne mjedisin e sotëm. Duke jetuar në një epokë ku teknologjia zhvillohet çdo ditë, rritja e inovacionit është esenciale. Ky përparim do të udhëheqë efikasitet dhe do të hap tregje të tjera ku do te shtyjë tregjet e Kosovës në glob”.
“Austria ka qenë një partner i fuqishëm për të promovuar rritjen ekonomike te qëndrueshme. Themelimi për gjithëpërfshirje dhe pjesëmarrje ekonomike, jo vetëm nxit ekonominë por krijon kushte të favorshme për të kontribuar dhe zhvilluar në të ardhmen e Kosovës”, tha Shnetzeri.
Sumka Bucan, drejtoreshë rajonale e “CARE International”, ka deklaruar se është e pashmangshme përfshirja e inovacionit, prandaj edhe duhet të jetë në “kurriz të zhvillimit”.
“Duke qenë të përkushtuar në zhvillim është e pashmangshme përfshirja në inovacione. Po ashtu, ne jem të dedikuar të mbështesim të tjerët, veçanërisht në industritë digjitale dhe kryesisht shpresojmë që kjo do të japë kontributin e saj në zhvillimin e Kosovës. Inovacioni është në kurriz te zhvillimit dhe ne po ashtu jemi duke shpresuar që legjislacioni do të përcillet dhe do të bëhet një zgjidhje sistematike. Do të bëjmë të pamundurën në mbështetjen e Kosovës, jemi të përkushtuar ta bëjmë ekonominë e saj të qëndrueshme”, ka thënë Bucani, raporton EO-ja.