AKP-ja shiti 46 asete, kjo është vlera financiare
Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) mbajti sot ceremoninë e hapjes së ofertave të shitjeve numër 68 përmes metodës së likuidimit dhe shpalli fituesit e përkohshëm për asetet e Ndërmarrjeve Shoqërore që ishin në dispozicion për shitje.
Sipas AKP-së, për 46 asete sa ishin në shitje gjithsej u pranuan 56 oferta dhe vlera e tërësishme e ofertave më të larta ishte 1 milion e 534 mijë e 817 euro.
“Dorëzimi i ofertave nga investitorët, hapja e ofertave dhe publikimi i rezultateve u bënë në mënyrë transparente, para përfaqësuesve të mediave, si dhe investitorëve të pranishëm. Po ashtu është bërë transmetimi i drejtpërdrejt i ceremonisë përmes faqes zyrtare të internetit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit: www.pak-ks.org, duke mundësuar përcjelljen e ceremonisë për të gjithë qytetarët e interesuar që nuk kanë qenë të pranishëm në sallë”, thuhet në komunikatë.
Më tej thuhet se rezultatet e ofertave mund të gjinden në ueb faqen e AKP-së: www.pak-ks.org.
Agjencia Kosovare e Privatizimit është themeluar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe është e shtrirë dhe vepron në të gjithë territorin e vendit. Agjencia ka mandatin dhe autoritetin për shitjen ose bartjen e ndërmarrjeve shoqërore dhe aseteve të tyre tek investitorët privat gjithnjë përmes një procesi të hapur, transparent, konkurrues dhe pa vonesa.