Vendosja e njehsorëve në veri, ankesa për qasje selektive
Banorët e “Suhodollit” në veri të vendit, po ankohen se ka qasje selektive të operatorëve KEDS dhe Elektrosever në vendosjen e njehsorëve elektrikë.
Ata kanë thënë se po i vendosin vetëm në shtëpitë e shqiptarëve dhe druajnë se do të paguajnë energjinë e shpenzuar edhe për banorët serbë. Por, këtë e kanë mohuar nga KEDS dhe Elektrosever.
Ata kanë thënë se janë duke instaluar njehsorë te të gjitha vendbanimet me shqiptarë, serbë e boshnjakë.
KEDS-i dhe Elektorseveri kanë nisur vendosjen e njehsorëve elektrikë në lagjen “Suhodoll” në Mitrovicë.
Por banorët shqiptarë të lagjes “Suhodoll” dhe “Kroi i Vitakut” në veri të Mitrovicës kanë ankesa, të cilat i drejtojnë Elektroseverit dhe KEDS-it, e që sipas tyre, njehsorët po i vendosin në mënyrë selektive.
Disa nga banorët i kanë thënë RTK-së se ekipet të cilat po punojnë në këtë lagje që janë nga KEDS-i dhe Elektroseveri, po i vendosin ato vetëm në shtëpitë e shqiptarëve.
"I kanë vendosur njehsorët por i kanë anashkalu fqinjët tonë serb, ku ka qenë shtëpi e serbëve nuk i kanë vendos njehsorët. Ne nuk duam të diskrimiohemi. Dyshojmë sepse ua kam bërë pyetjen pse nuk kanë filluar prej spitalit ku jetojnë serbët e të vijnë deri te lagjja Kroi i Vitakut, na thanë që ata i kanë njehsorët”, tha Xhevdet Halili.
Edhe banori tjetër, Agim Mehmeti pati ankesa.
“Ne duhet me ua pagu rrymën serbëve, e tjerët me e shfrytëzu rastin me paratë tona me i mbajtë ashtu siç e kanë mbjatur deri sot”, tha ai.
Muhedin Ibishi, banor i Kroit të Vitakut, thotë se druajnë që vendosja e njehsorëve në këtë lagje do të behet në mënyrë selektive.
“Ka pasur një tentim edhe në shkurt të këtij viti t’i vendosin, por fatmirësisht ka kaluar pa probleme sepse i kanë thirr policinë, edhe policia e ka parandalu menjëherë. Masandej kemi pasur edhe kontakt me policinë dhe na kanë thënë se do të na njoftojnë në formë zyrtare. Nuk jemi kundër pagesës së rrymës, por jemi kundër diskriminimit që bëhet që 25 vjet”, tha Ibishi.
Por nga KEDS-i kanë thënë se është duke u bërë instalimi i njehsorëve elektrikë te të gjithë konsumatorët pa dallim.
“Ekipet e Elektrosever-it dhe KEDS-it janë duke instaluar njehsorë te të gjitha vendbanimet me shqiptarë, serbë dhe boshnjakë. Në “Suhodoll”, gjatë instalimit të njehsorëve ka pasur kërkesë nga banorët që paralelisht të bëhet edhe rregullimi i rrjetit elektrik, me që për kohë të gjatë nuk është investuar në atë zonë”.
KEDS-i e ka konfirmuar se deri më tani janë instaluar rreth 3 mijë njehsorë dhe se është proces në vazhdim.