Qeveria miraton vendimin për themelimin e “Parkut të përgjithshëm” në Drenas
Foto: Laura Hasani

Qeveria miraton vendimin për themelimin e “Parkut të përgjithshëm” në Drenas

Ekonomia June 13, 2024 - 17:36

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur më 13.06.2024 ka miratuar vendimin për themelimin e Parkut Industrial dhe Teknologjik, me emërtimin “Parku i Përgjithshëm” në Komunën e Drenasit.

Sipas njoftimit, ky park do të ndërtohet në kilometrin e 22-të përgjatë magjistrales Prishtinë – Pejë, në fshatin Korreticë e Epërme, përballë Parkut ekzistues të Biznesit në Drenas.

“Parku i Përgjithshëm do të ketë një sipërfaqe prej 36.50 hektarësh dhe do të akomodojë deri në 50 biznese, kryesisht me veprimtari prodhuese dhe përpunuese”- ka njoftuar Qeveria.

Ky “projekt strategjik”, sipas Qeverisë, ka për qëllim mbështetjen e investimeve të përgjegjshme dhe të qëndrueshme, nxitjen e veprimtarisë prodhuese dhe përpunuese, inovacionit dhe shërbimeve me vlerë të shtuar, punësimin dhe aftësimin e fuqisë punëtore, zhvillimin e ekosistemit inovativ dhe bashkëpunimin mes shoqërive tregtare, rritjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e eksportit, nxitjen e teknologjisë së përparuar, zhvillimin rajonal si dhe mbështetjen e projekteve strategjike me interes të veçantë.

“Përveç kësaj, ky park do të ketë një ambient të gjelbër dhe qasje të lehtë në rrugë, energji, ujë dhe kanalizim. Lidhshmëria me parkun aktual të Biznesit do të fuqizojë bashkëpunimin mes bizneseve dhe do të nxisë zhvillimin e tyre”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.