Edhe familjet me të ardhura të ulëta mund të strehohen pas ratifikimit të Marrëveshjes për Projektligjin e Kredisë

Edhe familjet me të ardhura të ulëta mund të strehohen pas ratifikimit të Marrëveshjes për Projektligjin e Kredisë

Ekonomia May 08, 2024 - 13:30

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere të mërkurën mbajti mbledhjen e radhës, ku u shqyrtua projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Projektligjin e Kredisë në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për Projektin Banim Social Adekuat.

Zëvendësministri i Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Jeton Raka, tha se përmes grantit në vlerë dy milionë euro do të bëhen renovime të banesave dhe ndërtime të shtëpive për qytetarët, varësisht nga kërkesat e komunave.

“Sigurimin e banimit për qytetarët në nevojë objektivi kryesor është zhvillimin social. Kemi dy komponentë kyçe, banimi adekuat social, renovime, banesa ekzistuese, shndërrimin e banesave sociale të reja. Komponenti i dytë janë shtëpitë individuale, ndërtimi i tyre për familjet më të ardhura të ulëta. Projekti do zbatohet me komuna gjithçka do jetë transparente, bëhet identifikomi i lokacioneve, pas thirrjes publike komuna do bëjnë analizën e projektit një grant prej dy milionë eurosh që e kemi fituar”, tha Raka.

Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Eman Rrahmani, shtroi pyetjen, se cila do të jetë metoda e përdorimit që të sigurohet një banim i përballueshëm.

“Duhet me qenë të sakta sa shtëpi kanë me u renovu, duhemi me e ditë saktë koston sepse po i futemi një huamarrje, ka me pas ndërtime kolektive dhe cila është metoda që do e përdorni për me siguri banim të përballueshëm”, tha deputeti Rrahmani.

Zëvendësministri Raka tha se komunat e kanë plotësuar një formular dhe kanë treguar pak a shumë sa janë të gatshëm për këtë projekt.

“Të dhënat e sakta përcaktohen në manualin e plotësuar. Në vitin 2022 komunat e kanë plotësuar se sa janë të gatshme për këtë projekt. Peja, Podujeva e Deçani janë komuna që kanë nevojë për rinovime”, tha Raka.

Duda Balje tha se ka shumë kërkesa nga qytetarët, sepse secila familje dallon nga tjetra sa u përket nevojave të tyre. Një problem që e paraqiti shqetësuese deputetja Balje tha se shumë nga qytetarët ka mundësi të mos kenë toka të tyre dhe si do të ndërtohet shtëpia e tyre kur ka mungesë të tokave.

Kryetari i Komisionit, Armend Muja, tha se duhet me pas shumë kujdes që si shtet demokratik të mos lënë anash edhe komunitetet sa i përket këtij projekti.

Deputeti Avdullah Hoti kërkoi sqarim rreth asaj se pse është vonuar ky projekt, pasi me Këshillin administrativ është votuar në vitin 2022.

Raka tha se ka marrë kohë studimi i fizibilitetit, raporton EO.

Ndërsa me propozimin e kryetarit të Komisionit, Armend Muja, u vendos të ketë edhe një diskutim të kësaj pike të rendit të ditës dhe të merren parasysh kërkesat e të gjithë anëtarëve të Komisionit.