Qeveria nis procedurat për shpërbërjen e Kompanisë Publike, funksionoi prej 2020-ës pa asnjë nevojë prej kur dështoi termocentrali i ri

Qeveria nis procedurat për shpërbërjen e Kompanisë Publike, funksionoi prej 2020-ës pa asnjë nevojë prej kur dështoi termocentrali i ri

Ekonomia May 18, 2024 - 14:29

Në mbledhjen e radhës të Qeverisë së Kosovës, të planifikuar më 21 maj, ka vendosur në rend të ditës vendimin për shpërbërjen vullnetare të Ndërmarrjes Publike Qendrore Ndërmarrja e Re Energjetike e Kosovës “NKEC”.

“Betimi për Drejtësi” kishte hulumtuar themelimin dhe funksionimin e ndërmarrjes përmes ku në qershor të vitit 2023 me temën “Jeta e ndërmarrjes publike për termocentralin e dështuar”, emision që u transmetuar në KTV, TVArta dhe Betimi për Drejtësi.

Në dhjetor të vitit 2017, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, kishte nënshkruar marrëveshje me kompaninë “Contour Global” për ndërtimin e termocentralit të ri, “Kosova e Re”. Nënshkrimi i kësaj marrëveshje kishte kuptuar edhe marrjen e obligimeve shtetërore, në mesin e tyre edhe themelimi i një ndërmarrje të re publike.

Objektivi i vetëm i kësaj ndërmarrje do të ishte blerja e gjithë energjisë që do të prodhonte termocentrali i ri, “Kosova e Re”.

Themelimi i kësaj ndërmarrje ishte vënë në pikëpyetje nga partia e atëhershme opozitare, Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.

Sipas kontratës, ndërrmarrja e re NKEC, e ka për obligim kontraktual që tërë prodhimin e nenergjisë nga termocentrali i ri ta blejë nga Contour Global. Ky edhe ishte kushti kryesor dhe garancia që shteti i Kosovës i dha kësaj kompanie në mënyrë që të bëhet investimi sipas kontratës, garantimin e shitjes së gjithë energjisë së prodhuar nga thëngjilli kosovar.

Shteti kompensoi me paga të majme punëtorë për punë të imëta

Shteti punësoi mbi gjashtë zyrtarë të lartë me paga të majme të cilët për gjashtë vite të punës së tyre nuk patën asnjë angazhim thelbësor në kuadër të ndërmarrjes. Përkundër kësaj, asnjë qeveri nuk u’a ndërpreu mandatin. As Qeveria Kurti 2, për më tepër kjo e fundit emëroi një bord tjetër të përkohshëm në qershor të vitit 2023.

Paga ta majme morën kryeshefi Fadil Ismajlin, dhe Bordi i parë i Drejtorëve në përbërje prej: Ferit Idrizi, Valon Berisha, Bedri Dragusha, Shqipe Ahmeti Berisha dhe Besnik Gecaj. Në anën tjetër, edhe bordi i dytë i përkohshëm mori paga të njejta ku sipas vendimit të qeverisë ata ishin:  Alban Krasniqi i cili u emërua si kryesues, ndërsa Elvisa Destanovic, Dhurata Gutaj dhe Ismet Vrapqani u emëruan anëtarë.

Përkundër që dihej që nuk do të aktivizohej asnjëherë, qeveria nuk e pa të arsyeshme që ta shuajë menjëherë ndërmarrjen

Përveç themelimit të ndërmarrjes dhe emërimit të Bordit dhe emërimit të Kryeshefit, ndërmarrja nuk do të shihte dritën e diellit.

Projekti nuk u nis dhe nuk u finalizua asnjëherë sepse Kuvendi nuk arriti ta pranojë nga Qeveria e Kosovës pakon financiare që nevojitet si garanci shtetërore për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e re”, pako e cila oërkon votën e 2/3 e votave të deputetëve të Kosovës.

Qeveria e re, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës e cila u votua në vitin 2020, nuk ndërmorën veprime në mënyrë që projekti të jetësohej në ditët e para të qeverisjes së tyre.

Kompania “Contour Global” më pas u tërhoq projekti në po të njejtin vit, me arsyetimin e klimës së paqëndrueshme politike. Në këtë mënyrë, kompania ishte drejtuar tek Gjykata e Arbitrazhit për të marrë dëmshpërblim nga Kosova për shpenzimet që kishte krijuar në tentim për të finalizuar projektin.

Qeveria e Kosovës në tetor 2023 ka humbur arbitrazhin ndërkombëtar me kompaninë amerikane Contour Global për mosrespektim të kontratës. Kosova detyrohet tani t’ia paguajë Countour Globalit mbi 20 milionë euro dëmshpërblim, në bazë të vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Që nga tërheqja e kompanisë, ardhje në krye të Qeverisë Kurti 1 e po ashtu Kurti 2, është dashur të kalojnë katër vite që një vendim i tillë të vihet në rend të ditës.