Kosova e Shqipëria nënshkruan dy marrëveshje ekonomike në mbledhjen e sotme

Kosova e Shqipëria nënshkruan dy marrëveshje ekonomike në mbledhjen e sotme

Ekonomia November 26, 2021 - 14:26

Në mbledhjen e mbajtur sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka nënshkruar dy marrëveshje me homologet nga Shqipëria, përkatësisht ministren Ibrahimaj dhe ministren Manastirliu.

Në njoftimin për media nga MF-ja thuhet se marrëveshjet e nënshkruara sot synojnë zhvillimin dhe forcimin e bashkëpunimit në mes të të dy vendeve në fushën e mirëqenies sociale.

“Marrëveshja e nënshkruar në mes të ministrit Murati dhe ministres Ibrahimaj në fushën e sigurimeve shoqërore si objektiv kryesor ka sigurimin e mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy vendet, duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës, si dhe të realizojnë të drejtën në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale. Me fjalë të tjera, përmes kësaj marrëveshjeje qytetarët e të dy vendeve do të kenë mundësi që të pranojnë pensionet përkatëse që u takojnë sipas legjislacionit të vendeve të tyre, në vendin ku ata janë duke jetuar pas pensionimit, në Kosovë ose në Shqipëri”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, marrëveshja e nënshkruar në mes të Muratit dhe Manastirliut përkon me fushën e mbrojtjes sociale dhe ka për qëllim bashkëpunimin në mbrojtjen e fëmijëve dhe të drejtave të tyre.

“Përmes kësaj marrëveshjeje synohet përcaktimi i rregullave të bashkëpunimit në mes të të dy palëve për të siguruar mbrojtën e fëmijëve pa kujdes prindëror, riatdhesimin e fëmijëve të pashoqëruar, si dhe lehtësira për realizimin e kontaktit të fëmijëve me prindër të shkurorëzuar”, thuhet më tej në njoftimin e MF-së.

Të dyja këto marrëveshje edhe më tej fuqizojnë bashkëpunimin e suksesshëm e të vazhdueshëm me Shqipërinë dhe shtyjnë përpara vizionin e përbashkët për ngritje të mirëqenies shoqërore të qytetarëve në të dy vendet. /Zëri