Shteti çoi posht’ mijëra euro për bileta aeroplani që s’i shfrytëzoi askush
Foto: Laura Hasani

Shteti çoi posht’ mijëra euro për bileta aeroplani që s’i shfrytëzoi askush

Ekonomia October 27, 2021 - 17:11

Mijëra euro kanë shkuar huq nga organizata buxhetore të institucioneve publike përmes blerjes e më pas mosshfrytëzimit të biletave të aeroplanit për udhëtime zyrtare.

Për më tepër, zyrtarët e shtetit nuk preferojnë fort udhëtime me bileta të klasës ekonomike, duke preferuar biletat e klasës më të lartë e duke bërë që të shpenzohen mijëra euro shtesë për një destinacion të njëjtë.

Shpenzuesi më i madh i buxhetit për bileta aeroplani është Ministria e Jashtme, e cila shpesh ka rezervuar bileta mijëra euro për mysafirë të cilët nuk i kanë ardhur, por edhe për zyrtarë të vet që nuk kanë udhëtuar askund, raporton Zeri.info.

Sipas gjetjeve nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), del se janë rezervuar 212 bileta aeroplani të klasit më të lartë se ai ekonomik dhe për to janë shpenzuar 353,695 euro nga buxheti i shtetit në periudhën kohore 2016-2019.

Image

Të gjitha këto gjetje janë nga dy kontrata për furnizim me shërbime të transportit ajror që ka bërë Qeveria, kontrata e parë që ishte në fuqi prej 2016 deri 2018 pastaj për kontratën tjetër që kishte ndërprerë të parën për të hyrë në fuqi në vitin 2018 dhe që është paraparë të skadojë në fund të vitit 2021.

Për një mysafir nga Afrika, MPJ-ja kishte rezervuar dy bileta në vlerë 3,321 euro të cilat pastaj i kishte anuluar për shkak se udhëtimi nuk kishte mundur të realizohet.

MPJ-ja kishte kërkuar rimbursim, por kishte arritur të kthejë vetëm 152 euro që nuk përbën as 5% të vlerës blerëse të biletave, raporton Zeri.info.

Bileta për udhëtimin Poznan (Poloni) – Prishtinë në vlerë 326 euro ishte anuluar, ndërsa rimbursimi kishte arritur vlerën prej 30 euro, ose më pak se 10% e çmimit blerës të biletës.

Biletat për udhëtimin Lusaka – Stamboll në vlerë 7,707 euro ishin anuluar për t’u rimbursuar 6,413 euro ose 83% e vlerës blerëse. Mirëpo, 1,294 euro ishin shpenzuar kot në këtë rast.

Auditori ka gjetur se kishte edhe bileta që ishin rimbursuar me 88%, si p.sh. udhëtimi Washington-Stamboll që kishte kushtuar 2,225 euro ishte anuluar për t’u rimbursuar 1,969 euro, në këtë rast ishin harxhuar 256 euro pa u realizuar udhëtimi, dhe udhëtimi tjetër New York-Cyrih në vlerë 13,702 euro ishte anuluar për t’u rimbursuar 13,252 euro ose 450 euro më pak se çmimi blerës i biletave.

Të gjitha këto gjetje janë të periudhës 2016-2019.

MPJ-ja u kishte rezervuar dy zyrtarëve të saj bileta në relacionin Shkup – Cyrih për datën 6 shtator 2019 me vlerë 976 euro të cilat nuk i kishte shfrytëzuar.

Një ditë më pas, për të njëjtit zyrtarë, MPJ-ja kishte blerë edhe dy bileta në të njëjtin relacion, në vlerë prej 880 euro. Pra, për udhëtimin Shkup – Cyrih këta dy udhëtarë kishin shpenzuar 1,856 euro në vend të 880 euro, për shkak se nuk e kishin planifikuar si duhet udhëtimin.

Udhëtimi Stamboll - Prishtinë dhe kthimi për dy zyrtarë që ishin në vizitë në Kosovë, ishte shtyrë dy herë. Shtyrja herën e parë i kishte kushtuar 122 euro dhe herën e dytë 200 euro – gjithsej 322 euro.

Ky udhëtim do t’i kushtonte MPJ-së 1,680 euro por për shkak të shtyrjes i ka kushtuar 2,000 euro ose 19% më shtrenjtë.

Auditori ka gjetur shpenzime të kota edhe në Zyrën e Kryeministrit përgjatë të njëjsë periudhë të autidimit, pra 2016-2019.

“Nga 90 biletat e kontratës së dytë që kemi audituar në Zyra e Kryeministrit (ZKM), kemi gjetur se për 10 sosh ishte bërë ndryshim i datës së udhëtimit. Ky ndryshim i kishte kushtuar Zyrës së Kryeministrit 1,228 euro ose 128 euro për biletë, që e kishte rritur çmimin e biletave për 17%, pra totali ishte rritur nga 7,338 euro në 8,567 euro”.

“Pastaj, të gjitha këto bileta ishin anuluar dhe ZKM-ja kishte arritur të rimbursojë vetëm 377 euro ose më pak se 5% nga 8,567 euro që i kishte paguar për këtë udhëtim, edhe pse njoftimi për anulim të udhëtimit ishte dërguar 3 ditë para fluturimit, pra 8,190 euro ishin paguar për bileta që nuk ishin shfrytëzuar”, ka thënë Zyra Kombëtare e Auditimit.

Pjesë e menaxhimit të dobët të udhëtimeve dhe shpenzimit të kotë të parasë publike është edhe Ministria e Drejtësisë.

Sipas ZKA-së, MD-ja pasi kishte rezervuar katër bileta për relacionin Tiranë – Firence kishte kërkuar shtyrje të datës së fluturimit.

Kjo shtyrje i kishte kushtuar 320 euro dhe e kishte rritur çmimin e biletave nga 1,454 euro në 1,774 euro ose për 22%.

“Ne nuk ishim në gjendje të gjejmë shkaqet e ndryshimit të datave të udhëtimit që kishin rezultuar me këto shpenzime shtesë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Rreth 300 mijë euro bileta për Policinë e Kosovës

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë blerë 501 bileta aeroplani me para të buxhetit të cilat shteti i ka paguar në dy kontrata nga vitit 2016 deri 2019.

Shpenzimet për këto 501 bileta janë 297,705, ndërsa për vetëm 10 bileta të klasit të parë, kanë paguar më shumë se 10 mijë euro, apo më shumë se 1000 euro për një biletë, raporton Zeri.info.

“Nga 501 bileta me vlerë 297,705 euro që kemi audituar në Policinë e Kosovës, kemi gjetur se 51 bileta, ose 10% e totalit të mostrës, ishin të klasës më të lartë se klasa ekonomike. Kostoja e përgjithshme e tyre ishte mbi 59,000 euro ndërsa çmimi mestar për këto bileta ishte mbi 1,160 euro”, thuhet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.

Vetëm për një udhëtim Prishtinë-Pekin, Policia e Kosovës kishte shpenzuar 3623 euro për biletë të klasit të parë në vend të 1523 euro sa kushtonte një biletë e klasit ekonomik, që do të bënte të kursehej “xhepi” i shtetit me 2100 euro.

“Rezultatet e analizës krahasuese të biletave tregojnë se ndryshimi në çmim për bileta të klasave më të larta ishte prej 2.8 deri në 5.7 herë më i lartë se çmimi i biletave standarde të klasës ekonomike. Me fjalë tjera, për çdo biletë të klasave më të larta se ekonomike, organizatat buxhetore kanë pasur mundësi të blejnë afër 3 bileta të klasës ekonomike”, thuhet ndër të tjera në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit. /Zëri