Ministri Murati akuzon PDK-në për gjendjen në “Feronikel”

Ministri Murati akuzon PDK-në për gjendjen në “Feronikel”

Ekonomia October 19, 2021 - 11:44

Gjendja me kompaninë e “Feronikelit” është kthyer në përplasje mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe Ministrit të Financave, Hekuran Murati.

Deputeti Shala në Kuvend ka thënë se Qeveria nuk po merret me këtë gjigand industrial, i cili është mbyllur si pasojë e krizës me energjinë dhe si pasojë 1000 punëtorë kanë mbetur në shtëpi.

Ndërsa në përgjijgen e tij, ministri Murati ka fajësuar PDK-në për gjendjen e “Feronikelit”, transmeton Zeri.info.

“Po mos të kishin qenë korrupsionet e hajnit e PDK-së në të kaluaren sa i përket fushës energjitike nuk do ta kishin këtë gjendje sot nuk do të kishim këtë problem. Feronikeli ka të bëjë me procesin e privatizimit që po ashtu ka qenë proces korruptiv dhe PDK-ja e ka rolin kryesor aty. Ne kemi qenë kundër shitjes së tij ju na patët thënë se po i privatizojmë që mos të bëhen barrë e shtetit dhe pas privatizimit pronari e ka marrë fitimin dhe vinë na thonë se po kena humbje dhe po bëhemi barrë e shtetit”, ka thënë Murati.

“Fajin kryesor për mosfunksionimin e Feronikelit e ka PDK-ja. Fillimisht duke penguar zhvillimin e kapaciteteve të reja në energjitik dhe së dyti duke privatizuar një aset sic është Feronikeli me pretekstin se është barrë e shtetit dhe tash vjen prap thu duhet ta bëjmë barrë të shtetit”, ka shtuar ai.

Murati tha se po të mos privatizohej kjo kompani, shteti do të kishte ndërhy pas krizës.

“Po të kishte qenë Feronikeli shtetror ne do si shtet do të kishim ndërhy, por tash ajo është një kompani private, kur paska humbje duhet me nderhy shtetit por kur ka fitim shteti nuk merr asgjë, vec pronari”, ka thënë Murati.

Pas kësaj ka reaguar me replikë, deputeti Shala, i cili e ka quajtur mjerim për ministrin nuk dinë se shteti fiton nga kjo kompani.

“Nuk ka më mjerim se sa me ndegju një ministër të financave që thotë se cka fiton shteti nga një ndërrmarrje private industriale, një ministër që nuk e dinë se shteti fiton rente me ligj, një ministër që nuk dinë se 1000 punëtor janë qytetarë të Kosovës dhe janë në shtëpi dhe janë në skamje pa bukë dhe pa të ardhura financiare. Një ministër që kthehet 20 vjet pas, në kohën e privatizimit në kohën e UNMIK-ut, ku njëriu që e ka privatizu është sot anëtar i LVV-së”, ka deklaruar Shala i cili ka marrë përgjigje nga ministri se PDK-ja kishte votuar të heqen pagesat minerare për këtë kompani dhe që asnjë cent nuk e merr shteti nga “Feronikeli”. /Zëri