Kthehet në punë ekskavatori 8M në KEK

Kthehet në punë ekskavatori 8M në KEK

Ekonomia September 16, 2021 - 09:55

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se falë një angazhimi të jashtëzakonshëm të ekspertëve dhe punëtorëve të Korporatës, ekskavatori 8M, i cili mbrëmë kishte lëvizur për disa metra mbrapa, është kthyer në pozitën që ka qenë dhe ka filluar operimin normal.

KEK-u ka mohuar raportimet e disa mediave se lëvizja e këtij ekskavatori ka rrezikuar dhjetëra punëtorë.

“Fillimisht ju bëjmë me dije se ekskavatori 8M ka gjithsejtë 8 operatorë dhe KEK ju siguron se kjo lëvizje nuk ka rrezikuar as një nga këta punëtorë, si dhe ekskavatori nuk ka pësuar asnjë dëmtim. Tutje, intervenimi i menjëhershëm i ekspertëve të minierës ka vënë nën kontroll këtë pajisje dhe ka ndërprerë punën vetëm me qëllim të stabilizimit dhe sigurimit të saj, duke respektuar procedurat e sigurisë”, thuhet në komunikatën e KEK-ut.

“Së fundmi, duhet të kemi parasysh që KEK-u operon me pajisje specifike dhe ekspertët dhe punëtorët e saj janë duke bërë një punë të shkëlqyeshme, si rrjedhojë KEK-u është ndërmarrja publike me profitabile dhe një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit ekonomik të vendit. Prandaj, keqinformimi në këtë drejtim ndikon negativisht në punën dhe vullnetin e punëtorëve dhe dëmton imazhin e Korporatës”, thuhet më tej në komunikatë. /Zëri