ATK-ja lehtëson verifikimin për subvencionim nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

ATK-ja lehtëson verifikimin për subvencionim nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

Ekonomia August 06, 2021 - 16:42

Administrata Tatimore e Kosovës ka lansuar një shërbim për tatimpagues, të quajtur “Verifikimi për subvencionim nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike”.

Kjo vegël, sipas ATK-së, shërben për të verifikuar personat që kualifikohen apo jo për subvencionim nga Masa 1.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, gjegjësisht Rikthimin në punë të personave që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë COVID-19.

“Çdo punëdhënës, para se të aplikojë për subvencionim nga Masa 1.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike, si dhe çdo person tjetër, mund të bëjë verifikimin e personit se a mund të përfitojë apo jo nga kjo masë. Kontrollin mund ta bëjë përmes numrit personal të të punësuarit”.

“Në rastet kur personi plotëson kriteret për subvencionim, gjegjësisht kur personi ishte i punësuar dhe ishte i deklaruar për qëllime tatimore në Administratë Tatimore të Kosovë në periudhën dhjetor/2019 - shkurt/2020 (pa ndërprerje), dhe i njëjti nuk është i punësuar dhe i deklaruar për periudhën prill/2021 - qershor/2021 (pa ndërprerje), sistemi gjeneron Emrin dhe Mbiemrin e personit, që nënkuptohet se ky person kualifikohet për subvencionim nga Masa 1.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në sqarimin e ATK-së.

Ndërkaq, në rastet kur personi nuk plotëson kriteret për subvencionim, sistemi njofton tatimpaguesin se “Ky person nuk kualifikohet për subvencionim nga Masa 1.1 e Pakos së Ringjalljes Ekonomike”.

ATK-ja thotë se vegla “Verifikimi për subvencionim nga Pako e Ringjalljes Ekonomike” është në dispozicion të tatimpaguesve në ueb-faqen e ATK-së www.atk-ks.org - tek linku Shërbimet elektronike. /Zëri