Kosova plotësoi kushtet, merr pjesën e dytë prej 50 milionë eurove nga KE-ja

Kosova plotësoi kushtet, merr pjesën e dytë prej 50 milionë eurove nga KE-ja

Ekonomia June 01, 2021 - 12:52

Komisioni Evropian, në emër të BE-së, ka ndarë sot 50 milionë euro për Kosovën në kuadër të paketës së Ndihmës Makro-Financiare (MFA) për të luftuar pasojat e pandemisë COVID-19.

Në këtë kuadër KE-ja ka bërë disbursime, përveç për Kosovën, edhe për Tunizinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në njoftimin për media u tha se disbursimet prej 300 milionë eurove për Tunizinë, 50 milionë euro për Kosovën, 30 milionë euro për Malin e Zi dhe 80 milionë euro për Maqedoninë e Veriut janë pjesë e paketës së MFA-së prej 3 miliardë eurove, që kanë rënë dakord në maj 2020 për të ndihmuar dhjetë partnerë pjesë e zgjerimit dhe e fqinjësisë të zbusin pasojat e ekonomisë nga pandemia COVID-19, raporton Zeri.info.

Paolo Gentiloni, komisionar për Ekonomi i BE-së, tha: “Sot shënohet një tjetër hap konkret drejt luftës kundër pandemisë COVID-19 me përfundimin e suksesshëm të asistencës makro-financiare në Kosovë, Mal të Zi e Maqedoni të Veriut dhe disbursimin e parë për Tunizinë. BE-ja mbetet e përkushtuar më shumë se kurrë për t’i mbështetur fqinjët e saj në këto kohë të vështira”.

Për Kosovën kjo është pjesa e dytë dhe e fundit në kuadër të këtij programi, që ishin ndarë 100 milionë euro.

Kosova thuhet se ka përmbushur kushtet e politikave të rëna dakord me BE-në për pranimin e disbursimit të dytë prej 50 milionë eurove në kuadër të programit. Këto përfshinin masa të rëndësishme për të përmirësuar qëndrueshmërinë e financave publike, për të rritur stabilitetin financiar, për të forcuar qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe iniciativa për rritjen e punësimit të të rinjve. /Zëri