Breznica apelon që të merret seriozisht përkrahja e mikrobizneseve në Kosovë

Breznica apelon që të merret seriozisht përkrahja e mikrobizneseve në Kosovë

Ekonomia April 02, 2021 - 16:00

Gratë në krye të biznesit, institucioneve publike, OJQ-ve po shihen çdo ditë e më shumë të suksesshme në Kosovë. Një përkrahje në këtë drejtim e ka dhënë edhe organizata gjermane “Help Kosovo”.

Drejtoresha nacionale e kësaj organizate,Shqipe Breznica e ftuar në Radio Prishtina në emisionin me Dj MiM dhe Elvira Agushi ka thënë se “Help Kosovo” vazhdon të përkrah zhvillimin socioekonomik të Kosovës përmes dhënies së granteve të ndryshme në ndihmë të të bërit biznes.

Përmes kësaj organizate, ajo tha se po ndihmohen grupe të margjinalizuara pa dallim moshe apo gjinie, por që kanë vështirësi në punësim dhe duan të hapin biznesin e tyre, raporton Zeri.info

Breznica tha se në fokus është mbështetja ndaj grave që kanë vështirësi në marrjen e një kredie për të bërë biznes. Prandaj, ajo tha se po ndihmojnë me grante që nga viti 2015 kur kanë nisur së funksionuari me projektin.

Që nga ky vit e deri tani 1600 grante janë ndarë nëpër komuna të Kosovës, ndërsa janë hapur 430 vende të reja të punës. Breznica tha se në vitin 2020 kanë dhënë 150 grante, si dhe për këtë vit janë ndarë 196 grante tjera me përkrahje të fondeve amerikane.

Breznica bënë të ditur se përkrahja vjen edhe nga fonde të qeverisë gjermane, me fondet e së cilës po mbështet fuqizimi i qytetarëve që duan të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për vetën dhe komunitetin ku jetojnë.

Sivjet, ajo konfirmon se mbështetja është përcaktuar nga donatori në fushën e energjisë, ndërsa deri në vitin 2020 projekti që ka pasur të zbatohet ka shkuar mirë.

“Emancipimi i grave dhe burrave duhet të jetë i barabartë dhe nuk duhet harruar që kjo nuk është një punë individuale, mirëpo grupore”.

Breznica tha se duke e pasur parasysh situatën e krijuar tash e një vit për shkak të pandemisë janë shkaktuar edhe ngadalshmëri të punëve, e po ashtu ka ndikuar edhe në mbylljen e disa bizneseve siç është rrobaqepsia, dizajneret, gastronomia.

“Ata të IT nuk kanë pasur vështirësi, kjo fushë ka qenë mirë dhe kultura ka qenë mirë. Agrikultura ka ecë mirë, serat ata sidomos që kultivojnë lulet. Vështirësi ka pasur gastronomia, rrobaqepëset dhe dizajneret. IT-ja që njihet si një biznes me mjaft përfitime nuk është se ka hasur në pengesa sepse më shumë kanë punuar edhe nga shtëpia. Me një fjalë mund të themi se pandemia ka pasur edhe anë negative, mirëpo edhe pozitive sepse shumë biznese kanë pasur kohë të reflektojnë me vetveten”, ka thënë ajo në Radio Kosova.

Duke e pasur parasysh angazhimin e saj të madh, ajo së bashku me stafin e saj aktualisht është në bashkëpunim me disa komuna si; Prishtina, Gjakova, Mitrovica e Veriut, Podujeva, Graqanica etj.

Breznica ka vlerësuar se kanë një raport shumë të mirë me qeverisjen lokale. Ndërsa, me nivelin qendror ajo tha se kanë hezituar në bashkëpunim për shkak të ndërrimit të shpesh të qeverive dhe jostabilitetit institucional.

Por, ajo ka shfaqur pakënaqësi që komuniteti Romë, Ashkali si dhe Egjiptas se nuk ka shumë interesim për grante, prandaj sipas saj edhe kërkon që shoqëria të merret më shumë me ta. Sipas saj për këto komunitete nuk është bërë shumë dhe se duhet bërë më shumë bashkëpunim më të mirë në komunat ku këto komunitete jetojnë.

Në fund të intervistës ajo ka theksuar komponentin më të rëndësishëm monitorimi, pasi ndihmon shumë në vazhdimësinë e një projekti që të rezulton i suksesshëm.

Breznica ka përcjellë mesazhin te gjeneratat e reja që të merren me organizata për të mirën e tyre e më pas të të gjithëve.

Ajo tha se ka shumë kërkesa për ndërmarrësin në Kosovë dhe kjo sipas saj është një shenjë e mirë për zhvillim socioekonomik.

Breznica apelon që të merret seriozisht përkrahja e mikrobizneseve në Kosovë. “Duhet rritje e fondeve sepse njerëzit kanë interesim që të punojnë”, ka thënë ajo.

Ajo njoftoi se thirrja për grante bëhet publike në rrjetet sociale ku shfaqet një interesim i madh për aplikim.

HELP Kosovo është instagrami i organizatës ku mund të përcillen të gjitha thirrjet për grante.

Përveç shpërndarjes së granteve, Breznica ka thënë se mbajnë trajnime edhe për biznese lidhur me të bërit biznes në Kosovë, po ashtu trajnime të zanatit- profesionale për ata që duan të zhvillojnë profesionin më tutje. /Zëri