Infektuar: 55851
Shëruar: 49269
Vdekur: 1410
Banka e Shqipërisë do të rinisë këtë vit ankandet për blerjen e euros

Banka e Shqipërisë do të rinisë këtë vit ankandet për blerjen e euros

Ekonomia January 07, 2021 - 08:29

Banka e Shqipërisë do të rifillojë këtë vit ankandet e blerjes së valutës, në funksion të menaxhimit të rezervës valutore.

Për këtë qëllim janë planifikuar 14 ankande, ku shuma e parashikuar për t’u blerë në raundin e parë është mes 4 dhe 6 milionë eurosh në secilin ankand. Në total, shuma e parashikuar për t’u blerë është midis 56 dhe 84 milionë eurove.

Megjithatë, shuma e blerë në ankande mund të jetë edhe më e madhe, sepse në shumicën e rasteve Banka e Shqipërisë ushtron opsionin e blerjes në një raund të dytë, në shuma më të mëdha. Ankandi i parë për blerjen e valutës në tregun e brendshëm valutor pritet të zhvillohet më datë 19 shkurt.

Ankandet për vlerjen e valutës u anulluan nga Banka e Shqipërisë në mars të vitit të kaluar, pasi ekonomia dhe tregjet u prekën nga efektet e pandemisë së Covid-19. Anullimi u bë për të mos krijuar kërkesë shtesë për euro në tregun valutor, cka në teori mund të sillte presione për mbiçmimin e monedhës europiane. Në muajin mars, euro pati shënuar një forcim të shpejtë, që u neutralizua falë ndërhyrjes së Bankës së Shqipërisë në tregun valutor. Pas këtij momenti, kursi u shfaq përgjithësisht i qëndrueshëm, madje në gjysmën e dytë të dhjetorit preku nivelet më të ulëta që prej muajit mars. Kthimi i kursit në normalitet ka bërë që edhe Banka e Shqipërisë të rikthejë programin e blerjes së valutës në treg.

Rritja graduale e rezervës valutore ka nisur që prej vitit 2013, me këshillimin e institucioneve ndërkombëtare, si një masë për të forcuar garancitë rreth stabilitetit financiar të vendit. Euorizimi i lartë i sistemit financiar, në teori, mund të krijojë nevoja për likuiditet në monedhën europiane dhe Banka e Shqipërisë synon që të jetë e përgatitur për një eventualitet të tillë.

Shumat e blera në ankande nga Banka e Shqipërisë u rritën ndjeshëm pas vitit 2017 dhe arritën shifrën rekord të gati 155 milionë eurove në vitin 2019. Për vitin e kaluar,banka qendrore zhvilloi vetëm dy ankande me një shumë totale të blerë prej 13.7 milionë eurosh, ndërsa kishte planifikuar të blinte një shumë prej rreth 102 milionë eurosh, mbështetur në kalendarin vjetor të ankandeve.

Në fund të muajit nëntor, rezerva valutore e Bankës së Shqipërisë kishte vlerën e 3.87 miliardë eurove, në rritje vjetore me 17.2%. Rezerva arriti vlerën rekord të 4.17 miliardë eurove në muajin qershor, pas depozitimit të fondeve të eurobondit nga qeveria shqiptare, ndërsa erdhi gradualisht në rënie të lehtë në gjysmën e dytë të vitit. Në pjesën dërrmuese, rezerva valutore mbahet në obligacione dhe në depozita, ndërsa një pakicë konsiston në rezerva ari dhe të drejta tërheqjeje (SDR) në Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Qëllimi kryesor i rezervës valutore është mbulimi i nevojave emergjente që mund të ketë ekonomia për valutë të huaj. Por, ajo mund të përdoret edhe si instrument rregullues në raste të çregullimit të kursit të këmbimit ose në funksion të objektivave ligjorë të Bankës së Shqipërisë, për ruajtjen e stabilitetit të çmimeve dhe stabilitetit financiar./Monitor

Image