Autostrada Merdar-Nish, projekti i parë i Planit për Ekonomi dhe Investime të BE-së në BP
Kosova pritet që të aplikojë për projekte të reja infrastrukturore, të cilat do të financohen nga Korniza e Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF), strukturë kjo e përbashkët e Komisionit Evropian, institucioneve financiare, donatorëve dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Këtë e tha ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili mori pjesë në takimin e radhës të WBIF-së, në emër të Qeverisë.
Abrashi ka falënderuar BE-në për përfshirjen e propozimeve të Kosovës në kuadër të Planit për Ekonomi dhe Investime të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe për faktin se projekti i parë në Plan është pikërisht autostrada Merdar-Nish, apo siç është emëruar “Autostrada e Paqes”.
Po ashtu, mirëpritet fakti që përkrahja me grante investuese për projektet e transportit do të rritet deri me 40% në rundet e ardhshme të WBIF.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë shumë seriozisht mundësitë që Plani i BE-së u ofron vendeve të Ballkanit Perëndimor për të bashkëpunuar dhe integruar ekonomitë e rajonit”, tha Abrashi.
Për këtë qëllim, tha më tej Abrashi, për të qenë në gjendje të përfitojmë plotësisht nga Plani, është zhvilluar plani për investime për periudhën 2021-2025, i cili përfshin projekte të propozuara për t’u financuar nga burime të ndryshme të fondeve, duke përfshirë burimet IPA III dhe WBIF.
Po ashtu, MI-ja tha se janë duke u përditësuar aplikacionet për Listën Prioritare të Projekteve Infrastrukturore për të mundësuar përfitimin në rundet e ardhshme të WBIF për të gjithë sektorët infrastrukturorë.
“Qeveria e Republikës së Kosovës tashmë është duke forcuar planifikimin e ardhshëm dhe synon të paraqes një vizion dhe objektiva afatgjatë për zhvillim për dekadën e ardhshme, të harmonizuara me marrëveshjen e gjelbër të BE-së, agjendën evropiane dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Duke qenë se përkrahja nga BE-ja për Kosovën është nga më të mëdhatë për kokë banori në botë, Qeveria e Republikës së Kosovës e sheh IPA III dhe Planin Ekonomik dhe të Investimeve të BE-së si një ‘shtyllë’ të rritjes ekonomike të vendit”, thotë Ministria e Infrastrukturës në një komunikatë dërguar mediave. /Zëri