Abrashi kërkon nga AAC-ja që “Adem Jashari” të ofrojë bileta më të lira për udhëtarët

Abrashi kërkon nga AAC-ja që “Adem Jashari” të ofrojë bileta më të lira për udhëtarët

Ekonomia October 15, 2020 - 17:41

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka kërkuar nga Autoriteti i Aviacionit Civil që Aeroporti i Prishtinës të bëhet konkurrent i aeroporteve në rajon, duke ofruar çmime më të lira për udhëtarët.

Këtë kërkesë, Abrashi e bëri derisa vizitoi zyrat e këtij Autoriteti, ku u takua me drejtorin e përgjithshëm, Bujar Ejupi, kryesuesin e bordit mbikëqyrës, Skender Halili, si dhe me ekipin menaxhues.

Abrashi është njoftuar me zhvillimet në AAC, ndërsa tregoi edhe për angazhimin e Ministrisë që ai drejton, e edhe të qeverisë Hoti, në zhvillim e sektorit të transportit ajror, me fokus në normalizimin e hapësirës ajrore, hapjen e tregut për shërbimeve sa më të mira për kompanitë ajrore dhe uljen e kostove që ndërlidhen me shfrytëzimin e shërbimeve në Aeroport.

“Qeveria e Kosovës e ka prioritet mbështetjen dhe zhvillimin e Aviacionit Civil. Transporti ajror ka rëndësi jetike për ekonominë e Kosovës dhe për diasporën kosovare, dhe veprimet që duhet të ndërmerren në mënyrë që Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës ‘Adem Jashari’ të jetë konkurrues me aeroportet e rajonit dhe të ofrojë bileta më të lira për udhëtarët”, tha Abrashi.

Ejupi ndërkaq nga ana e tij e informoi ministrin për aktivitetet e AAC-së si agjenci e pavarur, rregullatore e ngarkuar me rregullimin e aspekteve të sigurisë së aviacionit civil dhe rregullimin ekonomik të aeroporteve dhe ofruesve të shërbimeve të navigacionit ajror.

Ai shtoi se AAC-ja brenda mekanizmave ndërkombëtare bën përpjekje të vazhdueshme për normalizimin e hapësirës së ulët ajrore të Kosovës në bashkëpunim me NATO-n dhe partnerët tjerë.

“Normalizimi i plotë i hapësirës së ulët ajrore të Kosovës, ndër të tjera, do të përfshijë hapjen e korridoreve të reja ajrore në mes Republikës së Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Serbisë, që do të shërbenin për të gjithë avionët që fluturojnë në ANP ‘Adem Jashari’ dhe për mbikalime në hapësirën e ultë ajrore”, tha Ejupi. /Zëri