Komuna e Drenasit mbyll një parking privat në pronë publike, do ta kthejë atë në hapësirë të gjelbër

Komuna e Drenasit mbyll një parking privat në pronë publike, do ta kthejë atë në hapësirë të gjelbër

Ekonomia July 23, 2020 - 17:29

Komuna e Drenasit gjatë ditës së sotme ka ndërmarrë një aksion që për qëllim kishte mbrojtjen e hapësirës publike e cila shtrihet pranë rrugës “Ilaz Kodra” në Drenas.

Hapësira publike, e cila ishte sipërfaqe e gjelbëruar në vazhdimësi, është keqpërdorë për parkingje nga disa biznese për vite të tëra. Për më tepër, ato hapësira të gjelbra janë uzurpuar dhe në to është vendosur rërë dhe kubëza, pa leje nga drejtoria komunale përkatëse.

“Edhe pse keqpërdoruesit disa herë janë paralajmëruar për këto veprime, ata kanë vazhduar me të njëjtin ritëm. Për këtë arsye, sot janë vendosur pengesa metalike, dhe ajo pjesë është bllokuar për qasje nga automjetet”, njofton Komuna e Drenasit, transmeton Zeri.info.

Me këtë rast, Komuna e Drenasit u bën thirrje të gjithë uzurpatorëve të pronës publike dhe qytetarëve që të mos e dëmtojnë pronën publike si e mirë e përbashkët, por ta ruajnë dhe të kujdesen për të.

“Kjo hapësirë, pas pastrimit do të rregullohet dhe gjelbërohet, si dhe do të kthehet në gjendjen e mëparshme”, ka shtuar më tej Komuna e Drenasit.

Komuna kujton se shfrytëzimi i hapësirës publike për qëllime komerciale mund lejohet vetëm pas vlerësimit të drejtorisë përkatëse dhe lejes adekuate. Përndryshe, për çdo shkelje do të veprohet në përputhje me ligjin në fuqi me gjoba dhe konfiskim të inventarit.

Aksione të ngjashme, Komuna ka paralajmëruar se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen./Zëri