Buxheti shkon në Kuvend, t’i hapet rruga ekzekutimit të mjeteve të Pakos Emergjente

Buxheti shkon në Kuvend, t’i hapet rruga ekzekutimit të mjeteve të Pakos Emergjente

Ekonomia July 07, 2020 - 10:23

Qeveria e Kosovës ka përfunduar procesin e rishikimit të buxhetit, si dhe e ka dërguar në Kuvend. Ministria e Financave po kërkon nga Kuvendi që sa më shpejt ta miratojë rishikimin e buxhetit, që të hapë rrugën për ekzekutimin e mjeteve në Pakon Emergjente dhe të fillojë implementimi i Pakos së Rimëkëmbjes.

Zëvendësministri Agim Krasniqi i tha “Ekonomisë Online” se buxheti është zvogëluar në vlerën prej 2.6 miliardë eurosh.

Krasniqi deklaroi se në rast se dështon votimi i procesit të rishikimit të buxhetit do të ketë humbje të mëdha, ku më së shumti do të dëmtohen qytetarët dhe bizneset.

“Procesi i rishikimit ka përfunduar, ka qenë i vështirë. Është dashur të koordinohet me ministritë e linjës dhe të plotësohen nevojat urgjente që janë, të cilat kanë pasur të bëjnë me planin për mbulim të shpenzimeve të Pakos Emergjente dhe të përgatiten fonde për rimëkëmbje ekonomike. Rishikimi i buxhetit në krahasim me buxhetin origjinal prej 3 miliardësh është në 2.6 miliardë euro. E mirë e procesit të rishikimit është që investimet publike janë ruajtur. Buxheti ka shkuar në Kuvend. Kishte qenë mirë që sa më shpejt të dalë në seancë e të miratohet. Pakoja Emergjente nuk mund të ekzekutohet pa rishikim të buxhetit e as të fillojë Pakoja e Rimëkëmbjes. Humbjet do të jenë për qytetarët dhe bizneset”, u shpreh Krasniqi.

Me votimin e rishikimit të buxhetit mund të ekzekutohen automatikisht 100 milionë euro. Krasniqi e sheh si të mirë të procesit të rishikimit mosfutjen e projekteve të reja, raporton EO-ja.

Por Krasniqi thotë se nëse procesi i rishikimit dështon do të ketë pasoja të mëdha. Siç tha ai, do të rritet papunësia, duke përfshirë edhe në sektorin publik, si dhe do të ketë më pak prodhim.

“Lirohen menjëherë mjetet për të implementuar Pakon Emergjente, menjëherë të vendoset 80 deri 100 milionë, kjo e rrit mirëqenien e qytetarëve dhe kërkesën agregate. Pasojat do të jenë se do të kemi më pak prodhim, punësim ose largim të punësimit edhe te sektori publik. Në vitin tjetër nëse ky ngërç politik vazhdon, atëherë dëmet do të jenë më të mëdha në rast se vonohemi me procesin. Procesi i rishikimit të ndodhë në leximin e parë, duke parë situatën. Kësaj radhe nuk ka mundësi për të futur projekte të reja” , ka thënë Krasniqi.