12 mijë vizitorë më pak në hotele në krahasim me tremujorin e parë të 2019-ës

12 mijë vizitorë më pak në hotele në krahasim me tremujorin e parë të 2019-ës

Ekonomia June 04, 2020 - 15:36

Në tremujorin e parë (TM1) të vitit 2020 hotelet në Kosovë kanë pasur 52.829 vizitorë, ku shumica prej tyre kanë qenë të huaj.

Në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, hotelet në Kosovë kanë pasur një rënie prej mbi 12 vizitorëve, pasi në tremujorin e vitit 2019 numri i vizitorëve ishte 65.265, raporton “Zeri.info”.

Të dhënat janë bërë të ditura nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, e cila ka publikuar “Statistikat e hotelerisë në Kosovë” për tremujorin e parë të vitit 2020.

Në tremujorin e parë të këtij viti pjesë e anketës ishin 215 hotele, që ushtrojnë veprimtari hoteliere në territorin e Kosovës, ndërsa numri i ngjashëm ishte edhe nga viti i kaluar, ku ishin anketuar 218 hotele.

“Në TM1 2020 numri i vizitorëve (vendorë dhe të huaj) ishte 52 829, prej tyre 41,38% ishin vendorë dhe 58,62% ishin të jashtëm. Ndërsa numri i netqëndrimeve ishte 85 929, prej tyre 40,87% nga vendorët dhe 59,13% nga të huajt. Numrin më të madh të vizitorëve dhe netqëndrimeve të tyre e ka rajoni i Prishtinës me 20 486 vizitorë dhe 34 105 netqëndrime”, thuhet në komunikatën e ASK-së.

Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, në Prizren, në Pejë e kështu me radhë. Sa u përket vizitorëve të huaj, numri më i madh është nga Shqipëria, nga Turqi dhe nga Gjermania. /Zëri