Qeveria ua prezanton planin e rimëkëmbjes ekonomike drejtuesve të bankave

Qeveria ua prezanton planin e rimëkëmbjes ekonomike drejtuesve të bankave

Ekonomia May 28, 2020 - 15:28

Qeveria në detyrë e Kosovës është në përgatitje të planit për rimëkëmbje ekonomike. Kështu të paktën ka lënë të nënkuptohet ministri në detyrë i Financave, Besnik Bislimi.

Në prezencë të guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, Bislimi drejtuesve të bankave ua ka prezantuar planin për rimëkëmbje ekonomike.

BQK-ja tha se përmes këtij plani synohet garantimi i kredive dhe sigurimi i burimeve financiare për biznese.

“Në thelb të këtij plani gjendet skema për garantimin e kredive, përmes së cilës synohet rritja e financimit kreditor dhe përmirësimi i kushteve të financimit për bizneset dhe individët”, thuhet në njoftimin e BQK-së, transmeton “Zeri.info”.

Qëllimi i këtij takimi ishte diskutimi i zhvillimeve dhe i masave të deritanishme për të ndihmuar përballjen e ekonomisë me pasojat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, si dhe diskutimi i planit të rimëkëmbjes së ekonomisë për periudhën në vijim. /Zëri