Propozimet e Odës Ekonomike të Kosovës për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike

Propozimet e Odës Ekonomike të Kosovës për Pakon e Rimëkëmbjes Ekonomike

Ekonomia May 22, 2020 - 15:22

Oda Ekonomike e Kosovës, përmes një komunikatë për medie, ka dhënë propozimet në lidhje me shfrytëzimin e Pakos Emergjente, në mënyrë që të arrihet rimëkëmbja ekonomike në vendin tonë pas përfundimit të pandemisë me COVID-19.

Në propozimet e OEK-ut, që i janë drejtuar ministrit në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, përfshihet çështja e kredive, ku sipas tyre duhen të ndahen rreth 200 milionë euro, përcjell "Zeri.info".

“Në periudhën e mbetur të këtij viti dhe në vitin 2021 të alokohen së paku 200 milionë euro përmes Fondit për Garanci Kreditore. Kjo krijon një potencial për 600 milionë euro kredidhënie, me norma të ulëta të interesit dhe ‘greis’ periudhë për fillimin e kthimit të kredisë, deri 1 vit, nga data e miratimit të kredive”, thuhet në komunikatë.

Në vazhdën e këtyre propozimeve bën pjesë edhe ndarja e 100 milionë eurove për grante, të cilat dedikohen edhe për përkrahje të punësimeve të reja.

Sipas këtij propozimi, për një vend të ri të punës të jepen 10 mijë euro.

“Në periudhën e mbetur të këtij viti dhe në vitin 2021 të alokohen 100 milionë grante, që do të dedikohen për investime në pajisje të reja, trajnim dhe ritrajnim të stafit, certifikim dhe skemë për përkrahje të punësimeve të reja (deri 10.000 euro për një vend të ri të punës)”, thonë më tutje nga OEK-u.

Ndër të tjera në këtë renditje të propozimeve për rimëkëmbje ekonomike OEK-u propozon që ndihmesa ndaj bizneseve dhe punëtoreve që kanë mbetur pa vend pune si pasojë e pandemisë të vazhdohet me nga 170 euro në muaj deri në fund të muajit gusht.

Më poshtë mund të gjeni listën e plotë të propozimeve nga Oda Ekonomike për rimëkëmbjen ekonomike në vend pas pandemisë me COVID-19:

Propozimet janë të kategorizuara në 4 fusha, të cilat, sipas vlerësimeve tona, duhet të përfshihen në Pakon e Rimëkëmbjes.

- Në periudhën e mbetur të këtij viti dhe në vitin 2021 të alokohen së paku 200 milionë euro përmes Fondit për Garanci Kreditore. Kjo krijon një potencial për 600 milionë euro kredidhënie, me norma të ulëta të interesit dhe “greis” periudhë për fillimin e kthimit të kredisë, deri 1 vit, nga data e miratimit të kredive;

- Në periudhën e mbetur të këtij viti dhe në vitin 2021 të alokohen 100 milionë grante, që do të dedikohen për investime në pajisje të reja, trajnim dhe ritrajnim të stafit, certifikim dhe skemë për përkrahje të punësimeve të reja (deri 10.000 euro për një vend të ri të punës);

- Pagesë të pjesshme të kostove të energjisë elektrike apo investimeve në efiçiencë të energjisë;

- Subvencionim të pagave (në vlerën 170 euro) për sektorët me rënie të dukshme të qarkullimit, së paku deri me 31 gusht 2020;

- Kompensim të qirave (50% të vlerës së kontratës), së paku deri me 31 gusht 2020.

2) Aftësia konkurruese dhe integrimi në zinxhirët globalë të furnizimit.

- Grante për përgatitje të firmave për eksport: Deri 20.000 euro për kompani, të dedikuara për: ritrajnim të stafit, implementim të masave mbrojtëse dhe standardeve të sigurisë dhe shëndetit për COV-19; implementim të standardeve ndërkombëtare dhe kritereve për eksport, promovim të kompanive dhe produkteve;

- Kredidhënie me 1% – 2% interes, për rritje të kapacitetit eksportues të sektori: i drurit, metaleve, plastikës, ushqimit dhe ICT-së;

- Pagesë të pjesshme të kostove të energjisë elektrike ose investimeve në efiçiencë të energjisë.

3) Digjitalizimi

- Alokim të granteve për transformimin digjital të e kompanive dhe krijimin e platformave për E-Commerce – deri 10,000 euro për kompani.

4) Masat e lehtësirave tatimore dhe atyre jo-financiare

- “Pushime tatimore” deri në 5 vjet, varësisht nga vlera e investimeve, për investime të reja, përfshirë investimet e jashtme;

- TVSH në normën 0%, për inputet e prodhimit dhe pajisjet që blihen nga prodhuesit vendor;

- Normë e diferencuar e TVSH-së (8%), për sektorin e Turizmit, HoReCa-s, Patundshmërisë dhe Transportit;

- TVSH në normën 0%, për mjetet e reja transportuese;

- Stimulim i shopping-ut brenda vendit (tregtia me pakicë), duke mundësuar kthim më të lartë të TVSH-së, në periudha të caktuara kohore (vikende, sezoni i verës, festat e fundvitit);

- Favorizim të prodhimeve vendore në çdo blerje nga mjetet buxhetore;

- Falje të tatimit në qira dhe tatimit në pronë për sektorin e HoReCas për periudhën e mbetur të vitit 2020;

- Program i amnistisë fiskale për të mundësuar formalizim të sektorëve, sidomos formalizimin e vendeve të punës.