BQK: Ekonomia e Kosovës këtë vit do të ketë humbje deri në 4%

BQK: Ekonomia e Kosovës këtë vit do të ketë humbje deri në 4%

Ekonomia April 15, 2020 - 18:37
Image

Pas paralajmërimit të Fondit Monetar Ndërkombëtar se ekonomia e Kosovës mund të tkurret për 5 për qind, si pasojë e pandemisë së COVID-19, ka reaguar edhe Banka Qendrore e Kosovës. Në një përgjigjje dhënë për ‘Zërin’ zëdhënësi i BQK-së Kushtrim Ahmeti ka deklaruar se humbja ekonomike në Kosovë në bazë të vlerësimeve të këtij instiucioni, parashihet të ketë rënie shkruan “Zëri.info”.

“Si pasoj e zhvillimeve negative në ekonomi, të krijuara pas paraqitjes së pandemisë Covid-19, vendi ynë do ballafaqohet me rënje te aktivitetit ekonomike. Parashikimet preliminare të BQK-së, sugjerojnë për një rënie ekonomike reale në intervalin prej -2% deri në -4% për vitin 2020, megjithatë te gjitha zhvillimet janë duke u monitoruar për se afërmi dhe ne varësi te masave kufizuese këto vlerësime preliminare mund te ndryshojnë” thuhet në përgjigjje.

Ai gjithashtu ka thënë se ndërprerja e aktivitetit ekonomik do të pësoj rënie të kreditimit nga institucionet financiare, gjë që sipas tij do të ndikojë në zvogëlimin e një burimi shumë të rëndësishëm të financimit të konsumit dhe investimeve.

“Nga ndërprerja e aktivitetit ekonomik, pritet të ketë rënie të kreditimit nga institucionet financiare, duke ndikuar kështu në zvogëlimin e një burimi shumë të rëndësishëm të financimit të konsumit dhe investimeve. Gjithashtu, rënie parashihet të ketë edhe tek remitencat. Si pasojë e rënies së kërkesës së përgjithshme në të gjitha vendet, me rënie pritet të karakterizohen edhe eksportet tona, duke ndikuar kështu në rritjen e mëtejme të efekteve të krizës në ekonominë e Kosovës. Për më tepër, pamundësia për të realizuar aktivitetin ekonomik në kushte normale, si dhe pasiguria për zhvillimet në të ardhmen, pritet të ndikojë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe në rënien e investimeve të huaja direkte. Pakoja e miratuar nga Qeveria e Kosovës ditë më parë pritet të ofrojë një injeksion të nevojshëm të fondeve drejt ekonomisë. Sidoqoftë, kushtet nëpër të cilat po kalon ekonomia e vendit nuk do të lënë pa sfiduar edhe financat publike” potencoi ai.

Ahmeti shtoi se nevojat në rritje për shtim të shpenzimeve në formë të transfereve të ndryshme do të mund të ndikojnë negativisht në investimet publike.

“Rënia e aktivitetit të përgjithshëm ekonomik pritet të ndikojë negativisht në nivelin e përgjithshëm të të hyrave buxhetore, përderisa nevojat në rritje për shtim të shpenzimeve në formë të transfereve të ndryshme do të mund të ndikojnë negativisht në investimet publike kapitale të cilat janë shumë të nevojshme për krijimin e kushteve për zhvillim më të madh ekonomik në Kosovë”, ka thënë ai./Zeri