Rukiqi: Mediet janë të përfshira në Pakon Emergjente Fiskale
Foto: Laura Hasani

Rukiqi: Mediet janë të përfshira në Pakon Emergjente Fiskale

Ekonomia April 07, 2020 - 14:10

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka qenë sot i ftuar në emisionin “Drive Time” me Arin dhe me Bernën në Radio Prishtina. Në emision Rukiqi hoqi dilemat për sa i përket përfshirjes së medieve në Pakon Emergjente Fiskale, të hartuar nga Qeveria e Kosovës, për t’u dalë në ndihmë bizneseve, raporton “Zëri.info”.

“Ne kemi kërkuar që skemat sociale të përfitojnë nga Pakoja Emergjente Fiskale, pasi që ka shumë kategori. Të gjithë ata që janë dëmtuar janë të futur në Pako e po ashtu edhe mediet, të cilat pritet të kenë humbje te të hyrat për shkak të rënies së të hyrave nga reklamat”, ka thënë Rukiqi në Radio Prishtina.

Sipas tij, tani pritet të ketë rënie të të hyrave në çdo sektor. “Për shkak të rënies së fuqisë blerëse pritet të ketë rënie të të hyrave në çdo sektor, duke përfshirë edhe marketet. Kjo është për sa u përket pagave, por humbje do të ketë edhe për pagesat e qirave. Pakoja nuk e përjashton askënd”, ka thënë ndër të tjera Rukiqi.

Për sa i përket pjesës së pagesës, kryetari i OEK-ut theksoi se çdo institucion që është i regjistruar si biznes mund të përfitojë te ndihma për pjesën e pagave. “Shumica e medieve janë të regjistruara si biznese private dhe kësisoj janë të përfshira në Pako për ndihmë. Pjesa e pagave nuk është përjashtuese dhe kushdo që është i dëmtuar do të përfitojë”, ka thënë ai. /ZËRI