Shatri: Pushimi të dielën nuk i dëmton bizneset e as qytetarët

Shatri: Pushimi të dielën nuk i dëmton bizneset e as qytetarët

Ekonomia February 21, 2020 - 12:30
Gjilani është komuna e fundit në Kosovë prej së cilës po kërkohet që dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe operimin e bizneseve. Një kërkesë e tillë u prit me skepticizëm nga Oda Ekonomike e Kosovës, teksa edhe nga ata që merren me të drejtat e njeriut vlerësohet se marrja e një vendimi të tillë nuk ndikon aspak në respektimin e të drejtave të punëtorëve

Komuna e Mitrovicës kohë më parë pati marrë vendim që dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset, të cilat operojnë në këtë qytet. Për disa muaj me radhë heshtja mbizotëroi në këtë qytet, teksa rrugëtimin e tij po e vazhdojnë edhe komuna të tjera. Së fundmi i është kërkuar komunës së Gjilanit të marrë vendim që edhe në këtë qytet dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjithë, shkruan sot  gazeta "Zëri"

Kjo situatë për të parin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqin po shihet si favorizuese për bizneset e vendeve fqinje, të cilat e kanë shansin të përfitojnë nga mbyllja e këtyre bizneseve në disa komuna të Kosovës. Megjithatë njohësit e çështjeve të ekonomisë në vend vlerësojnë se një vendim i tillë nuk do të ndikonte as në dobi e as në dëm të qytetarëve, por as të bizneseve. Ndërsa nga KMDLNJ-ja i kanë thënë gazetës se një vendim i tillë nuk do t’i përmirësonte kushtet e punëtorëve në vend, e veçanërisht të atyre të sektorit privat.

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Haki Shatri, ka thënë për gazetën se vendimi dhe kërkesa e disa komunave që dita e diel të jetë ditë pushimi duhet të shikohet në disa aspekte, pasi ky vendim nuk sjell as dëm, por as dobi.

“Këto duhet të shikohen nga shumë aspekte. Ky vendim nuk duhet parë vetëm në mënyrë të njëanshme. Komunat janë ato që vendosin për mbylljen e këtyre bizneseve. Mund të ketë disa arsye për këtë. Në anën tjetër edhe këto biznese që kërkojnë që të mos mbyllen ditën e diel kanë arsyet e veta. Kjo çështje duhet të shihet nga të gjitha anët”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, me ndalimin e operimeve të bizneseve gjatë ditës së diel komunat nuk kanë qëllim për dëmtimin e tyre.

“Nuk besoj se komunat me këtë vendim kanë qëllim të dëmtojnë ndokënd, por kjo punë vlerësohet dhe është humane që të dielën të mos ketë punë. Në mes të bizneseve pa dyshim që ka garë, konkurrencë dhe gara mes tyre është e padhimbshme dhe qëllimi i tyre është të shfrytëzojnë çdo mënyrë për të përmirësuar veten në treg dhe në shërbime”, ka thënë tutje ai,

Megjithatë, sipas Shatrit, ato duhet të kenë kujdes që t’i respektojnë të drejtat e punëtorit që pushimi javor t’u kompensohet edhe gjatë ditëve të tjera.

“Në qoftë se bizneset kanë kërkesë që të punojnë edhe të dielën, ato duhet t’ua bëjnë të mundur edhe punëtorëve që të drejtën e tyre për pushim javor të mos ua cenojnë. Tani komunat për këto vendimet duket se për qëllim kanë më shumë ruajtjen e qetësisë publike, që këto restorante, kafene dhe biznese të tjera të ndalojnë të bëjnë zhurmë përgjatë fundjavës dhe në orët e vona të natës”, ka thënë Shatri.

Duke folur mbi praktikat perëndimore Shatri theksoi se tanimë praktika e të pushuarit gjatë ditëve të pushimit është e rregulluar dhe një analizë e tillë nevojitet të bëhet edhe nga komunat e Kosovës.

“Zyrtarët e Komunës do të ishte dashur që vetë të analizojnë situatën dhe të shohin se sa biznese janë që prekën nga ai vendim dhe a dëmtohen shumë, ose se si duhet të kompensohen ato në rast se dëmtohen shumë. Praktikat e vendit në perëndim tregojnë se në ditët e pushimit me të vërtetë pushohet dhe kanë rregulla të përcaktuara se si rregullohet ky pushim”, ka pohuar ai./ZERI

Lexo edhe Pikëpamje të ndryshme rreth kërkesës që e diela të jetë ditë pushimi
Aktuale February 21, 2020