Pikëpamje të ndryshme rreth kërkesës që e diela të jetë ditë pushimi

Pikëpamje të ndryshme rreth kërkesës që e diela të jetë ditë pushimi

Aktuale February 21, 2020 - 08:30
Image

Gjilani është komuna e fundit në Kosovë prej së cilës po kërkohet që dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe operimin e bizneseve. Një kërkesë e tillë u prit me skepticizëm nga Oda Ekonomike e Kosovës, teksa edhe nga ata që merren me të drejtat e njeriut vlerësohet se marrja e një vendimi të tillë nuk ndikon aspak në respektimin e të drejtave të punëtorëve, shkruan gazeta "Zëri".

Komuna e Mitrovicës kohë më parë pati marrë vendim që dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjitha bizneset, të cilat operojnë në këtë qytet. Për disa muaj me radhë heshtja mbizotëroi në këtë qytet, teksa rrugëtimin e tij po e vazhdojnë edhe komuna të tjera. Së fundmi i është kërkuar komunës së Gjilanit të marrë vendim që edhe në këtë qytet dita e diel të jetë ditë pushimi për të gjithë. Kjo situatë për të parin e Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) Berat Rukiqin po shihet si favorizuese për bizneset e vendeve fqinje, të cilat e kanë shansin të përfitojnë nga mbyllja e këtyre bizneseve në disa komuna të Kosovës. Megjithatë njohësit e çështjeve të ekonomisë në vend vlerësojnë se një vendim i tillë nuk do të ndikonte as në dobi e as në dëm të qytetarëve, por as të bizneseve. Ndërsa nga KMDLNJ-ja i kanë thënë gazetës se një vendim i tillë nuk do t’i përmirësonte kushtet e punëtorëve në vend, e veçanërisht të atyre të sektorit privat.

Rukiqi: Vendimet në Kosovë, milionat në vendet fqinje

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka reaguar ndaj kërkesave që e diela të jetë ditë pushimi në disa prej komunave të vendit. Rukiqi ka thënë se mbyllja e bizneseve të dielën nuk sjell dobi për asnjë subjekt në Kosovë. “Vendimet në Kosovë, milionat në vendet fqinje. Vendime për bizneset pa asnjë konsultë me biznesin. Mbyllja e bizneseve të dielën nuk sjell dobi për asnjë subjekt në Kosovë, por është më se e qartë se do të sjellë shumë dobi në vendet e rajonit. Krejt ato euro që shpenzohen në vendin tonë do të shpenzohen në Shkup, në Tiranë e në vende të tjera”, ka thënë kryetrari i OEK-ut.

Shatri: Pushimi të dielën nuk i dëmton bizneset e as qytetarët

Njohësi i çështjeve të ekonomisë, Haki Shatri, ka thënë për gazetën se vendimi dhe kërkesa e disa komunave që dita e diel të jetë ditë pushimi duhet të shikohet në disa aspekte, pasi ky vendim nuk sjell as dëm, por as dobi. “Këto duhet të shikohen nga shumë aspekte. Ky vendim nuk duhet parë vetëm në mënyrë të njëanshme. Komunat janë ato që vendosin për mbylljen e këtyre bizneseve. Mund të ketë disa arsye për këtë. Në anën tjetër edhe këto biznese që kërkojnë që të mos mbyllen ditën e diel kanë arsyet e veta. Kjo çështje duhet të shihet nga të gjitha anët”, ka thënë Shatri.

Sipas tij, me ndalimin e operimeve të bizneseve gjatë ditës së diel komunat nuk kanë qëllim për dëmtimin e tyre. “Nuk besoj se komunat me këtë vendim kanë qëllim të dëmtojnë ndokënd, por kjo punë vlerësohet dhe është humane që të dielën të mos ketë punë. Në mes të bizneseve pa dyshim që ka garë, konkurrencë dhe gara mes tyre është e padhimbshme dhe qëllimi i tyre është të shfrytëzojnë çdo mënyrë për të përmirësuar veten në treg dhe në shërbime”, ka thënë tutje ai,

Megjithatë, sipas Shatrit, ato duhet të kenë kujdes që t’i respektojnë të drejtat e punëtorit që pushimi javor t’u kompensohet edhe gjatë ditëve të tjera. “Në qoftë se bizneset kanë kërkesë që të punojnë edhe të dielën, ato duhet t’ua bëjnë të mundur edhe punëtorëve që të drejtën e tyre për pushim javor të mos ua cenojnë. Tani komunat për këto vendimet duket se për qëllim kanë më shumë ruajtjen e qetësisë publike, që këto restorante, kafene dhe biznese të tjera të ndalojnë të bëjnë zhurmë përgjatë fundjavës dhe në orët e vona të natës”, ka thënë Shatri.

Duke folur mbi praktikat perëndimore Shatri theksoi se tanimë praktika e të pushuarit gjatë ditëve të pushimit është e rregulluar dhe një analizë e tillë nevojitet të bëhet edhe nga komunat e Kosovës. “Zyrtarët e Komunës do të ishte dashur që vetë të analizojnë situatën dhe të shohin se sa biznese janë që prekën nga ai vendim dhe a dëmtohen shumë, ose se si duhet të kompensohen ato në rast se dëmtohen shumë. Praktikat e vendit në perëndim tregojnë se në ditët e pushimit me të vërtetë pushohet dhe kanë rregulla të përcaktuara se si rregullohet ky pushim”, ka pohuar ai.

Shala: Kushtet e punëtorëve nuk janë duke u përmirësuar

Kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ), Behxhet Shala, ka thënë për “Zërin” se vendimi për pushim gjatë ditës së diel nuk i përmirëson kushtet dhe respektimin e të drejtave të punëtorëve. “Disa komuna kanë marrë vendim që të dielën të mos punohet. Mendoj se të dielën duhet të punojnë disa veprimtari, si: barnatore, dyqane për furnizimin me gjëra ushqimore, bukëpjekësit e të tjerët. Kjo nuk ndikon shumë në përmirësimin e kushteve të punëtorëve për faktin se punëtorët kanë të drejta me ligj dhe duhet që të kenë paga më të larta, sigurime shëndetësore dhe të respektohet Ligji i Punës për ta”, ka thënë Shala për gazetën.

Sipas tij, në rast se vazhdon operimi i bizneseve edhe gjatë ditës së diel duhet të ketë një kompromis në mes të bizneseve për punëtorët. "Duhet që të ketë një kompromis dhe që punëtori, i cili punon të dielën duhet që pushimin ta kompensojë me një ditë pushim gjatë javës. Pra mund të arrihet një lloj kompromisi. Kjo nuk e përmirëson cilësinë e trajtimit të të punësuarve sidomos në sektorin privat, për faktin se punojnë në kushte jo të mira dhe me orar të zgjatur e pa pushime mjekësore, pa sigurime shëndetësore e me paga minimal dhe në asnjë mënyrë nuk respektohet Ligji i Punës. Kjo do të duhej të rregullohet shumë thjesht. Është Ligji i Punës, i cili i rregullon të drejtat e punëtorëve dhe ai duhet të respektohet”, ka thënë ai.

Në ndërkohë vendimet që e diela të jetë ditë pushimi Shala i ka konsideruar si improvizime, pasi nuk ka ndikim aspak në përmirësimin e kushteve të punëtorëve. “Vendimet se a punohet ose jo gjatë ditës së diel më shumë janë improvizime, sepse kjo nuk ndikon shumë as në përmirësimin e kushteve në të cilat punojnë punëtorët e sidomos atë të sektorit privat. Punëtorët duhet t’i kenë nga pesë ditë me tetë orë punë dhe çdo kohë që kalon këto orë duhet të paguhet ekstra. Ndërsa kemi raste kur punëtorët për shkak të kushteve të rënda detyrohen të punojnë shtatë ditë në javë, dhjetë e më tepër orë në ditë dhe të mos gëzojnë asnjë ditë të pushimit vjetor, i cili i takon”, ka thënë i pari i KMDLNJ-së./ZËRI