Kosova shpenzon mbi 6 milionë euro në fishekzjarrë

Kosova shpenzon mbi 6 milionë euro në fishekzjarrë

Ekonomia December 19, 2019 - 08:07
Detajet
Image

Shteti i Kosovës edhe këtë vit ka importuar sasi të madhe të mjeteve piroteknike nga shteti i Kinës. Hiç më pak se 6.3 milionë euro është vlera e 81 mijë kilogramëve mjete piroteknike, që janë importuar në Kosovë gjatë vitit 2019, shkruan sot gazeta Zëri.

Lexo edhe: Kosova refuzon Mini-Shengenin përjashtues dhe gjysmak

Për ndriçimin e qiejve, për zhurmimin në tokë e për kundërmimin e barutit në ajër Kosova edhe sivjet nuk ka kursyer aspak. Të pamëshirshëm ndaj shëndetit dhe ndaj sigurisë së qytetarëve janë treguar edhe këtë fundvit bizneset, institucionet e qytetarët kosovarë, të cilët për dallim nga vitet e kaluara sivjet kanë rritur kërkesat për blerje të mjeteve piroteknike. Zyrtarë nga Dogana e Kosovës kanë konfirmuar për “Zërin” se vetëm këtë vit janë importuar 81 mijë kilogramë mjete piroteknike, vlera e të cilave po del të jetë 6.3 milionë euro. Ndërsa sipas njohësve të sigurisë në vend, nga institucionet përkatëse duhet të ndërmerren hapa për vetëdijesimin e qytetarëve për përdorimin e mjeteve piroteknike. Ata po ashtu kanë kërkuar bërjen e analizave për barutin, i cili gjendet në këto mjete pasi mund të mos jetë në përputhje me standardet evropiane.


Importohen 81 mijë kilogramë fishekzjarrë nga Kina

Gjatë këtij viti Kosova ka importuar 81 mijë kilogramë fishekzjarrë, e tërë kjo sasi është importuar nga Kina. Zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci, ka bërë të ditur për “Zërin” se vlera e mjeteve piroteknike e importuar është 6.3 milionë euro. “Gjatë këtij viti i tërë importi i fishekzjarrëve ishte nga Kina. Deri më tani kemi të importuara rreth 81.000 mijë kg me vlerë prej 6.3 milionë eurosh”, ka thënë ai për “Zërin”.

Stavileci ka informuar që taksa të paguara për këtë import janë me vlerë rreth dy milionë euro. “Taksa doganore të paguara janë rreth 2 milionë euro. Ka një rënie nga vitet e kaluara. Vitin e kaluar kishim të importuara mbi 100.000 kg mjete piroteknike”, ka thënë ndër të tjera Stavileci.

Shala: Duhet të ketë fushata vetëdijesuese

Drizan Shala, njohës i çështjeve të sigurisë, i ka thënë gazetës se institucionet e sigurisë në vend duhet të bëjnë matjen e barutit në mjetet piroteknike dhe të shohin nëse i tejkalojnë parametrat e BE-së. “Lidhur me përdorimin e mjeteve piroteknike në Kosovë llogaritet sipas shifrave zyrtare mbi 100.000 kg mjete dhe nëse merret parasysh edhe fakti tjetër që origjina e këtyre mjeteve është kryesisht nga Kina, po e dëshmon që institucionet e sigurisë duhet të analizojnë në laboratorët e saj sasinë e barutit të piroteknikës që të jenë konform parametrave të BE-së”, ka thënë Shala.

Sipas tij, viteve të kaluara ka pasur lëndime të shumta nga këto mjete, për shkak të sasisë së tepërt të barutit në to. “Në vitet e kaluara kemi pasur aksidentet të shumta me lëndime nga këto mjete piroteknike, ku sasia e tepërt e barutit ka shkaktuar shpërthim më të lartë sesa është e paraparë me masat standardizuese që jepen në përshkrim të atij mjeti”, ka thënë tutje ai.

Sipas Shalës, janë të nevojshme fushatat vetëdijesuese në prag të festave të fundvitit. “MPB-ja, përkatësisht Departamenti për Siguri Publike është dashur që nga data 20 dhjetor deri më 1 janar ta bëjë një fushatë vetëdijesuese se si duhen të përdoren këto mjete edhe nga kush e të mos kemi raste ku fëmijët e moshës 5-vjeçare t’i përdorin ato pa prezencën e personit kujdestar. Përpos aspektit proceduralo-doganor në Kosovë nuk kemi ndonjë plan konkret se si mundemi t’i mbrojmë konsumatorët nga këto mjete”, ka thënë ndër të tjera ai.
 

IKSHPK-ja bën apel për kujdes nga fishekzjarrët

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë edhe këtë vit ka bërë thirrje për kujdes me mjetet piroteknike. Në apelin e tyre theksohet se lëndimet që mund të shkaktohen nga këto mund të jenë të pariparueshme. “Mos luani me mjete piroteknike! Statistikat flasin për minimum 100 të lënduar rëndë e lehtë çdo festë nga hedhja e mjeteve piroteknike, Lëndimet nuk riparohen! Ruani shëndetin tuaj dhe të të tjerëve. Ndihmoni të varfrit nëse keni tepër të holla për të blerë mjete piroteknike!”, thuhet në apelin e IKSHPK-së.

Ministria kërkon nga komunat ndalimin e fishekzjarrëve

Ministri në detyrë i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një shkrese u ka bërë thirrje komunave të vendit të ndalojnë ndezjen e mjeteve piroteknike përgjatë festave të fundvitit. “Më qëllim të mbrojtjes së ajrit nga ndotja dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve ministri i Mjedisit dhe i Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, përmes një shkrese zyrtare, drejtuar kryetarëve të komunave të Republikës së Kosovës, ka kërkuar ndalimin e ndezjes së fishekzjarrëve dhe të mjeteve piroteknike gjatë festave të fundvitit në hapësira publike dhe në zona të banuara. Kjo kërkesë vjen për shkak të ndotjes së ajrit dhe të pasojave, që mjetet piroteknike shkaktojnë në shëndetin e njeriut dhe në mjedis”, ka bërë të ditur ministri në detyrë. //ZERI