Vushtrri: Asnjë ndërtim i lartë në pronë publike

Vushtrri: Asnjë ndërtim i lartë në pronë publike

Ekonomia November 14, 2019 - 08:25
Detajet
Image

Komuna e Vushtrrisë ka lëshuar 35 leje ndërtimi për objekte të kategorisë së dytë, objekte banesoro-afariste, por ajo nuk ka dhënë asnjë pjesë të tokës komunale për ndërtim të lartë me koncesion. Shumë ankesa të banorëve për ndërtime të larta në mjediset ku ata jetojnë, shkruan sot gazeta "Zëri".

Komuna e Vushtrrisë ndoshta është komuna e vetme në Kosovë, e cila deri më tani nuk ka dhënë as edhe një pëllëmbë tokë komunale me koncesion për ndërtime të larta, ndonëse ato lejohen me ligjet në fuqi, nga të cilat përfitojnë komunat. Fortuna Krasniqi-Spahiu, zyrtare për leje ndërtimi në Drejtorinë e Urbanizmit dhe për Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Vushtrrisë, i tha “Zërit”, të hënën, se nuk është lejuar asnjë ndërtim i lartë në pronën publike.

“Asnjë ndërtim i lartë nuk është bërë në pronën publike, ndërtimet e larta janë bërë në prona private, kompanitë janë marrë vesh me pronarët dhe pastaj kanë aplikuar në Komunë për leje ndërtimore. Të gjitha ndërtimet e larta që posedojnë leje ndërtimore e kanë dokumentacionin e kompletuar”, ka thënë ajo, shkruan tutje "Zëri".

Megjithatë Krasniqi-Spahiu precizoi se në qytetin e Vushtrrisë janë ndërtuar 35 objekte të larta banesoro-afariste. “Në qytetin e Vushtrrisë prej vitit 2016 e deri më tani janë lëshuar 35 leje ndërtimi për objekte të kategorisë së dytë, përkatësisht objekte banesoro-afariste”, theksoi ajo, duke shtuar se për objektet e larta, të cilat eventualisht nuk kanë leje ndërtimore ose që nuk e kanë dokumentacionin e kompletuar përgjigjen e jep Drejtoria e Inspektoratit.

Komuna e Vushtrrisë nuk e kufizon etazhin e ndërtimit

“Të gjitha ndërtimet e larta që posedojnë leje ndërtimore e kanë dokumentacionin e kompletuar, ndërsa sa u përket objekteve pa leje ndërtimi përgjigjen duhet ta japë Drejtoria për Inspektime”, ka përsëritur ajo. Ajo sqaroi se nuk ka ndonjë kufizim për lartësinë e lejuar të ndërtimit të objekteve. “Plani Zhvillimor Komunal i Vushtrrisë nuk e kufizon etazhin e ndërtimit, pasi kjo përcaktohet në dokumente tjera të planifikimit hapësinor e që Komuna është në proces të hartimit, andaj kushtet ndërtimore, të cilat e përcaktojnë lartësinë e objektit, shfrytëzimin, si dhe parametrat e tjerë fillimisht propozohen me projekt konceptual nga aplikuesi e që projekti duhet të jetë i bazuar në kushtet e në karakteristikat e rrethinës në distancë prej 50 metrave nga kufijtë e parcelës kadastrale”, ka sqaruar Fortuna Krasniqi-Spahiu, zyrtare për leje ndërtimi në Drejtorinë e Urbanizmit dhe për Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Vushtrrisë.

Sipas saj, Drejtoria dhe as Komuna në përgjithësi nuk kanë kompetenca lidhur me caktimin e shitjes së banesave. Ajo thotë se çmimin për një metër katror të banesave e përcakton tregu. Gjithashtu zyrtarja për leje ndërtimi në DUMM në Komunën e Vushtrrisë, Fortuna Krasniqi-Spahiu, ka siguruar se asnjë qytetar nuk është ankuar në Komunë lidhur me atë se nuk ka mundur ta bartë mbi vete banesën e blerë, pasi që siç thotë ajo, “çdo qytetar është i vetëdijshëm se a posedon ndërtesa leje ndërtimi, për të cilin ai ka bërë kontratën e shitblerjes me investitorin”.

Peticioni i vushtrriasve - në vesh të shurdhër, ndërtesat e larta mbijnë gjithandej

Megjithatë shumë qytetarë janë shprehur të pakënaqur me ndërtimet e larta në mjediset e tyre, madje ata në Komunë kanë nënshkruar edhe peticion me kërkesën që të ndalohen ndërtimet e larta. Në këtë mënyrë, një objekt banesor është bërë shkak i mosmarrëveshjeve ndërmjet banorëve të lagjes “Haxhi Zeka” në Vushtrri dhe pronarit të një kompanie ndërtimore. Banorët që në fillim kishin kundërshtuar punimet, pasi objekti ndërtohej pesë metra larg nga shtëpitë ku ata jetojnë dhe në këtë mënyrë pengon mënyrën e jetesës. Ata kishin kërkuar nga Komuna që të ndalen punimet, pasi direkt rrezikohet mirëqenia e qytetarëve nëpër shtëpitë e tyre. Ata ishin ankuar gjithashtu se pronari i kompanisë ndërtimore nuk kishte marrë pëlqimin nga banorët për të filluar ndërtimin.

Edhe banorët e zonës në mes të rrugëve “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu”, “Hakif Zejnullahu” dhe “Haxhi Zeka” kishin kundërshtuar një ndërtim të lartë në zonën e tyre, duke kërkuar nga Komuna e Vushtrrisë që kompanisë ndërtimore të mos i jepet leje ndërtimi. Ata i kishin dorëzuar një peticion kryetarit të atëhershëm të Vushtrrisë, Bajram Mulaku, nga i cili kishin kërkuar që të mos lejojë ndërtime të larta në zonën e tyre. Komuna e Vushtrrisë ishte përgjigjur se nuk do të lejohet asnjë ndërtim, i cili prish rendin e ndërtimeve dhe që bie ndesh me interesin e përgjithshëm të banorëve të zonës. Peticionit të dorëzuar në Komunën e Vushtrrisë i ishin bashkangjitur banorët e rrugëve “Hakif Zejnullahu”, “Avni Rrustemi”, “Haxhi Zeka”, “Vëllezërit Frashëri”, “Shemsi Ahmeti”, “Shaban Kapuçi” dhe “Ganimete Tërbeshi”, gjithsej 104 nënshkrime. Gazeta “Zëri” ka mësuar se të gjitha ndërtimet e filluara, pavarësisht kundërshtimeve të banorëve kanë përfunduar. Ndërtimet e larta në zona të caktuara në qytetin e Vushtrrisë janë kryer në atë mënyrë që një kompani paraprakisht blen një shtëpi e pastaj u ofron edhe pronarëve të shtëpive të tjera marrëveshje për të hyrë në partneritet. Për hapësirën që jep secili pronar i parcelës kompania zakonisht i kompenson me banesa.

Ndërtimet e larta, tashmë të orientuara kah “Vushtrria e Re”

Ndërtimet e larta tanimë janë orientuar në një pjesë tjetër të qytetit të Vushtrrisë, zona e dytë urbane, ku do të realizohet projekti i ashtuquajtur “Vushtrria e Re”. Numër i konsiderueshëm i bizneseve tashmë janë përqendruar në këtë zone dhe në këtë mënyrë kësaj pjese të qytetit të Vushtrrisë i jep pamje urbane dhe moderne. Boshllëkun e kanë plotësuar edhe ndërtimet nga kompanitë ndërtimore me ndërtesa të larta.

Xhafer Tahiri, kryetar i Vushtrrisë, menjëherë pas marrjes së pushtetit kishte urdhëruar zyrtarët e Drejtorisë së Urbanizmit t’i hetojnë të gjitha ndërtimet e larta, mënyrën e dhënies së lejes së ndërtimit, si dhe mënyrën e zbatimit të projekteve ndërtimore të kompanive, të cilat kanë goditur qytetarin. Tahiri pati thënë se dyshohet se objektet e larta janë ndërtuar ilegalisht, ndërsa kishte siguruar se ideja e tij nuk është që të dëmtohen kompanitë ndërtimore dhe se nuk është qëllimi që objektet të cilat janë ndërtuar të rrënohen, por kishte siguruar se nëse konstatohen shkelje ligjore kur janë lëshuar lejet e ndërtimit, si dhe shkelje të procedurave, atëherë do të ndërmerren masa. “Verifikimi i lejeve të ndërtimit për mënyrën se si janë lëshuar ato se a janë në pajtueshmëri me ligjet dhe me interesin e qytetarëve është i domosdoshëm. Edhe më përpara, por edhe tani ka shumë ankesa të qytetarëve. Ata nuk janë pajtuar me ndërtimet në mjedisin ku jetojnë, kanë protestuar dhe janë ankuar, por ankesat e tyre nuk janë marrë parasysh. Sidoqoftë, Komuna do t’i hetojë lejet që janë lëshuar dhe do të konstatojë gjendjen në terren për mënyrën se si janë zbatuar projektet ndërtimore për të cilat kanë lëshuar lejet e ndërtimit. Urbanizmi do t’i shikojë lejet e ndërtimit, do t’i shikojë a u janë përmbajtur ndërtuesit saktësisht procedurave ligjore. Do ta bëjmë një konstatim të asaj që është bërë deri më tani dhe të shikojmë se çfarë hapash do të marrim më tutje. Qytetarët kanë shumë dyshime, ata kanë vërejtur shumë parregullsi. Qytetarët thonë se me ndërtimet që janë bërë ua kanë zënë frymën shtëpive të tyre se praktikisht janë ngufatur, ndërsa dyshojnë edhe në cilësinë e ndërtimeve”, pati vlerësuar kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri./ZËRI