Modernizohet Frashëri, ndërtohen edhe 51 shtëpi të reja

Modernizohet Frashëri, ndërtohen edhe 51 shtëpi të reja

Ekonomia shtator 10, 2019 - 07:59
Detajet
Image

Derisa projekti i vendbanimit i emërtuar “Frashëri” ka filluar të realizohet dhe për të cilin qeveria e Katarit ka investuar 1.5 milion euro, në këtë fshat të Mitrovicës ka filluar ndërtimi edhe i 51 shtëpive, për çka do të investohen 1 milion euro. Në Frashër qeveria e Kosovës ka investuar për rindërtimin e 104 shtëpive të serbëve, të cilët nuk janë kthyer asnjëherë për të jetuar në këtë fshat, shkruan gazeta "Zëri".

Mitrovicë. Frashëri i Mitrovicës, një fshat jo fort larg qytetit të ndarë, para lufte krahas shtëpive të shqiptarëve i banuar me mbi 100 shtëpi të serbëve, tani mbase është fshati me më së shumti investime në ndërtimin e shtëpive në komunën e Mitrovicës.

Lexo edhe Gjasa të zbehura për anëtarësim në INTERPOL
Aktuale shtator 10, 2019

Qeveria e Kosovës, si dhe organizata të ndryshme fillimisht kanë investuar në rindërtimin dhe ndërtimin e 104 shtëpive të serbëve, por ata nuk janë kthyer kurrë për të jetuar në këtë fshat. Serbët e këtij fshati, të cilët prej përfundimit të luftës janë vendosur dhe jetojnë në të ashtuquajturin “Zveçan i Vogël” në Zveçan, shumicën e shtëpive të ndërtuara me mjetet e shtetit të Kosovës i kanë shitur, pasi paraprakisht ato i kanë boshatisur nga mobilet dhe gjësendet, ndërsa disa shtëpi edhe i kanë dëmtuar.

Ata janë arsyetuar se nuk ndihen të sigurt për të jetuar përkrah shqiptarëve në Frashër (ish-Svinjar) dhe tani presin të vendosen në vendbanimin “Lugina e Diellit” në Zveçan, për të cilin qeveria e Serbisë, sipas Zyrës Serbe për Kosovën, ka investuar hiç më pak se 25 milionë euro.

40 shtëpi për përfituesit pa kushte ekonomike dhe pa vendbanim

Brenda pak kohësh Frashëri do të bëhet me një vendbanim modern, për të cilin qeveria e Katarit ka investuar 1.5 milion euro. Projekti i dytë më i madh në komunën e Mitrovicës në vitin 2019, pas atij të pishinës olimpike për të cilën janë investuar 7 milionë euro dhe i cili është funksionalizuar me fillimin e sezonit veror sivjet, është fillimi i realizimit të projektit të një vendbanimi krejtësisht të ri për familje me gjendje të rëndë sociale dhe për ato që nuk e kanë zgjidhur ende problemin e banimit. Projekti ka filluar të realizohet në Frashër të Mitrovicës, një fshat në të cilin para luftës kanë jetuar mbi 100 familje serbe, derisa tani nuk është asnjë. Për këtë projekt qeverinë e Katarit, përkatësisht për organizatën “Qatar Charity” investoi 1.5 milion euro. Projekti shtrihet në 3.27.65 hektarë tokë, që i ka ndarë komuna e Mitrovicës në fshatin Frashër. Sipas projektuesve dhe financuesit të projektit, nga ky projekt do të përfitojnë 6000 persona të komunës së Mitrovicës, “Ky projekt madhor për qytetin e Mitrovicës parashihet t;i ketë 40 shtëpi për përfituesit me kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim, një shkollë, një shtëpi të shëndetit, katër lokale afariste, një objekt i destinuar për shfrytëzim nga organizata ‘Qatar Charity’ dhe një xhami. Ky projekt i mbështetur nga organizata ‘Qatar Charity’ është shumë i rëndësishëm si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë social, por mbi të gjitha ka vlera humanitare, sepse u atribuohet qytetarëve të cilët jetojnë në kushte jo të mira ekonomike. Donacioni për ndërtimin e 40 shtëpive në Mitrovicë është një lehtësim i madhe për ne si institucione lokale, sepse në këtë mënyrë po ua kthejmë buzëqeshjen shumë familjeve, të cilat jetojnë në kushte të dobëta ekonomike dhe pa vendbanim”, thotë kryetari i Mitrovicës Agim Bahtiri.

Donacione e ndihma të shumta për Frashërin

Në anën tjetër në Frashër të Mitrovicës ka filluar ndërtimi i 51 shtëpive të reja për familjet që nuk e kanë zgjidhur çështjen e banimit. Ky projekt ka koston financiare prej 1 milion eurosh, ndërsa mbështetet nga shoqata “Jetimët e Ballkanit” (Halil Kastrati), “Djemtë e Mitrovicës” dhe Komuna e Mitrovicës. “Jetimët e Ballkanit” investojnë për ndërtimin e 40 shtëpive të reja, “Djemtë e Mitrovicës” me bizneset e tyre investojnë për ndërtimin e 10 shtëpive, ndërsa Komuna e Mitrovicës investon për ndërtimin e një shtëpie.

I pari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tepër i entuziazmuar me ndihmat e organizatave të ndryshme, të qeverive të huaja, si dhe të shoqatave të ndryshme humanitare për ndërtimin e shtëpive për të pastrehët në komunën e Mitrovicës, tha se gjithë Kosova ka nevojë për donacione të tilla. “Ndihmat që vijnë nga njerëz humanistë, siç është Halil Kastrati, nga organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare, sidomos ato për mbështetje të projekteve të ndërtimit të shtëpive i mirëpresim. Me përfundimin e projektit ‘Frashëri’ që mbështetet nga qeveria e Katarit, si dhe me përfundimin e ndërtimit të 51 shtëpive, në komunën e Mitrovicës zgjidhet një prej problemeve më të mëdha. Në Mitrovicë ka ende familje që jetojnë në kushte të rënda të banimit, ndoshta më shumë se në çdo komunë tjetër të Kosovës. Edhe ne ndihmojmë me mjete, për aq sa kemi mundësi, por kemi siguruar tokën ku do të realizohet projekti ‘Frashëri’ dhe ndërtimi i shtëpive. Natyrisht se në vendbanimin ‘Frashëri’ do të vendosen familje që nuk janë të këtij fshati, por që kanë problem të përhershme me banimin”, ka thënë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.

Ai u ka bërë thirrje institucioneve të shtetit të bëjnë të mundur kthimin e shqiptarëve në pronat e tyre dhe banesat në veri të Mitrovicës e që të ndihmojnë për rindërtimin e të gjitha shtëpive të shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës, të cilët edhe pas 20 vjetëve nga përfundimi i luftës jetojnë si refugjatë në qytetin e tyre./ZERI