Komuna e Kaçanikut të gjitha prokurimet i kishte me aneks kontrata
Foto: Laura Hasani

Komuna e Kaçanikut të gjitha prokurimet i kishte me aneks kontrata

Ekonomia June 22, 2019 - 08:09
Lexo tjera detaje
Image

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të dosjeve të prokurimit për Komunën e Kaçanikut gjatë vitit 2018 ka gjetur se të gjitha dosjet e testuara kanë qenë me aneks kontrata kryesisht për vlerën 10% të kontratës. Sipas Auditorit, paraqitja e një dukurie të tillë, pavarësisht që lejohet me ligj, jep të kuptohet se procesi i përgatitjes së kërkesave-specifikimeve teknike në dosjen e tenderit nuk janë planifikuar saktë dhe në mënyrë profesionale ose nuk është bërë përzgjedhja e ofertuesit serioz, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Lidhje të aneks kontratave për çdo proces të prokurimit, por edhe për shumë shkelje tjera ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për Komunën e Kaçanikut. Sipas Auditorit, gjatë verifikimit të dosjeve të prokurimit për mallra, shërbime dhe investime kapitale, të gjitha dosjet e testuara kanë qenë me aneks kontrata kryesisht për vlerën 10% të kontratës. Sipas ZKA-së paraqitja e një dukurie të tillë, pavarësisht që lejohet me ligj, jep të kuptohet se procesi i përgatitjes së kërkesave-specifikimeve teknike në dosjen e tenderit nuk janë planifikuar saktë dhe në mënyrë profesionale ose nuk është bërë përzgjedhja e ofertuesit serioz. “Kryetari duhet të sigurojë se procesi i planifikimit të prokurimit të bëhet në mënyrë profesionale, më i saktë dhe përzgjedhja e fituesve të jetë sa më reale”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Mosrespektimi i legjislacionit lidhur me të punësuarit për shërbime të veçanta

Gjatë testimit të të punësuarve të rinj ZKA-ja ka konstatuar se raste kur pranimi në punë i të punësuarve për shërbime të veçanta është bërë pa shpallje të konkursit, në dy raste nuk ishin respektuar kërkesat, që burojnë nga Ligji Nr. 03/L-212. Gjatë vitit 2018 në Komunë ka pasur të punësuar për shërbime të veçanta për të cilët kohëzgjatja e tyre në punë nuk ishte në përputhje me legjislacionin, ku kohëzgjatja në punë ishte më shumë se 6 muaj. Duke u bazuar në të gjeturat lidhur me kohëzgjatjen në punë kemi konkluduar se marrëveshjet për shërbime të veçanta nuk përputhen me legjislacionin dhe po ashtu edhe për raste të caktuar nuk përputhen kërkesat ligjore lidhur me deklarimin e pagave. “Mosrespektimi i kërkesave ligjore i procedurave për rekrutimin e stafit rrit rrezikun për angazhimin e personave joadekuatë për kryerjen e shërbimeve të kërkuara me konkurs dhe njëherësh paraqet rrezikun e trajtimit jo të barabartë për konkurrentët potencialë. Kryetari duhet të sigurojë se duhen të respektuar të gjitha kërkesat ligjore, lidhur me të punësuarit të rregullt dhe për të punësuarit për shërbime të veçanta”, rekomandon Auditori.

Niveli i ulët i inkasimit të të hyrave nga qiradhënia e pronave publike

Sipas Auditorit, Komuna ka dhënë me qira pronat komunale për shfrytëzim të përkohshëm. Nga të hyrat e planifikuara nga shfrytëzimi i pronës publike në shumë prej 30,000€, të hyrat e raportuara si të inkasuara ishin vetëm 19,521€ ose 65% nga të planifikuarat. E hyra e raportuar nga kjo kategori ndryshon nga të hyrat e evidentuara në libra. Të hyrat nga shkarkimet e klientëve – pagesat janë në vlerë prej 16,682€, 1,500€ janë faljet e borxheve, si dhe vlera prej 2,839€ është diferencë e konstatuar si mbivlerësim i të hyrave, gjegjësisht mosshkarkim i pagesave të bëra nga klientët. Po ashtu nga testet e realizuara kemi gjetur se Komuna kishte vazhduar kontratat me qiramarrësit e pronës publike, edhe pse qiramarrësit nuk kishin kryer obligimet paraprake. “Komuna mban evidencë për pronat e dhëna me qira, mirëpo ato nuk janë të plota për të siguruar se të gjitha vlerat janë të llogaritura saktë dhe drejt. Kësaj evidence i mungonin informatat për salldon e bartur të borxhit nga viti paraprak, si dhe informatat për datën e kontraktuar, duke përfshirë këtu edhe periudhën e shfrytëzimit të pronës komunale. Mosshkarkimi i klientëve të kësaj kategorie si rezultat i moskoordinimit të zyrtarëve përgjegjës dëshmon joprofesionalizëm dhe nivel të ulët të kontrollit e që rezulton me informata të pasakta për të hyrat nga qiradhënia e pronave publike”, thuhet në raport, përcjell gazeta "Zëri".

Sipas Auditorit vazhdimi i kontratave ndaj qiramarrësve pa i kryer obligimet paraprake rrit rrezikun e mosinkasimit të të hyrave, si dhe mungesa e monitorimit ndaj shfrytëzuesve të hapësirave publike rrit rrezikun që Komuna të ketë humbje financiare. Po ashtu mosmbajtja e evidencës me informata të plota bën që menaxhmenti të mos ketë informata për vlefshmërinë e kontratave dhe për obligimet e qiramarrësve.

“Kryetari duhet të ndërmarrë masa në rritjen e përgjegjësive të zyrtarit të shfrytëzimit të pronës publike me zyrtarin e të hyrave, të cilët janë të obliguar të bëjnë barazimin e të hyrave në baza mujore. Po ashtu kryetari duhet të sigurojë se është bërë një rishikim i dosjeve të qiramarrësve, kryesisht me qiramarrësit me të cilët u janë vazhduar kontratat pa i kryer obligimet paraprake, dhe t’i vendosë masat e duhura që brenda një periudhe të arsyeshme t’i inkasojë të gjitha obligimet e prapambetura. Gjithashtu të krijojë dhe të mbajë një evidencë të qartë dhe të kompletojë atë me të gjitha informatat e nevojshme, në mënyrë që menaxhimi i të hyrave nga qiraja të jetë më efikase”, rekomandon ZKA-ja/ZËRI