Nuk paguajnë tatime, shpërblehen me bonuse për performancë
FOTO: Laura Hasani

Nuk paguajnë tatime, shpërblehen me bonuse për performancë

Ekonomia June 19, 2019 - 08:06
Lexoni detajet
Image

Gjatë vitit që lamë pas Bordi i Kompanisë së Menaxhimit të Deponive të Kosovës (KMDK) është shpërblyer me bonuse për performancë pozitive, por në anën tjetër kompania në fjalë nuk ka paguar tatimet e parapara ligjore ndaj Administratës Tatimore të Kosovës. Sipas Auditorit, pagesa e bonuseve po ashtu është bërë në kundërshtim me vendimet në fuqi, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Plot shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2018 për ndërmarrjen publike Kompania për Menaxhimin e Deponive të Kosovës (KMDK).

LEXO EDHE: Komuna e Shtimes shpërblen me tenderë kompanitë e papërgjegjshme

Sipas vendimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), numër 01/2599, të datës 18.12.2017, pika 1, ka paraparë “Pezullimin e vendimeve për kompensimin për stimulimin e efektshmërisë së anëtarëve të bordeve të drejtorëve të ndërmarrjeve publike qendrore”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pavarësisht kësaj, më datën 11.06.2018, Bordi i Drejtorëve i Kompanisë ka marrë vendim që t’ua paguajë kompensimin për stimulimin e performancës vjetore drejtorëve të Bordit të KMDK-se në lartësi prej 50% të shumës së përgjithshme vjetore të honorarit themelor të përcaktuar me vendimin e aksionarit. Shuma e paguar për këtë qëllim ishte gjithsej 12,300 euro.

Sipas Auditorit, KMDK-ja këtë vendim e kishte bazuar në performancën vjetore të kompanisë me fitimin neto të vitit 2017 prej 187,348 eurosh, ndërkohë që raporti i Auditorit për vitin 2017 ishte i kualifikuar me theksim të çështjes.

Megjithatë, ky fitim nuk është vetëm rezultat i të hyrave nga shërbimet e kompanisë, por një pjesë të tij kanë ndikuar edhe të hyrat nga grantet dhe nga subvencionet në shumë prej 648,961 eurosh.

Kjo ka ndodhur sipas zyrtarëve të Kompanisë për shkak se menaxhmenti i KMDK-së ka keqinterpretuar vendimin e aksionarit për pezullimin e vendimeve për kompensime dhe stimulime të efektshmërisë së anëtarëve të bordeve të drejtoreve të ndërmarrjeve publike qendrore.

“Mospërfillja e vendimit të MZHE–së (në cilësi të aksionarit) për pezullim të vendimeve për kompensim për stimulime ka rezultuar me pagesë jo të rregullt dhe në kundërshtim me vendimin e aksionarit. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se nuk do të merren vendime, të cilat nuk janë të ligjshme dhe në pajtim me vendimet e aksionarit. Vendimet e aksionarit duhet të merren parasysh, të vlerësohen dhe të kuptohen si të zbatueshme, ndërsa në rast të paqartësive të kërkohet sqarimi nga aksionari”, thuhet në raportin e Auditorit.

Nuk paguajnë tatimet

Sipas Auditorit, Ligji Nr. 05/L -029 për të Ardhurat e Korporatave, Neni 38, pika 1 thotë: secili tatimpagues çdo tre (3) muaj bën pagesat e tatimit si paradhënie në llogarinë e caktuar nga ATK-ja në bankën ose në institucionin financiar të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës deri më datat 15 prill, 15 korrik, 15 tetor dhe 15 janar për tremujorin kalendarik, që u paraprin menjëherë këtyre datave.

Po ashtu pika 7 e Nenit 38 thotë se nëse pagesa paradhënie nuk është bërë me kohë ose është bërë në shumën që është më pak se ajo e kërkuar, ATK-ja aplikon një ndëshkim në një shumë të barabartë me shkallën e interesit që është në fuqi në kohën kur pagesa paradhënie ka qenë e obligueshme për t’u bërë. KMDK-ja nuk ka respektuar afatet e pagesës së tatimeve

. “Më datën 31.12.2018 sipas dokumentit të ofruar nga Kompania shihet se ka borxh ndaj ATK-së shumën prej 79,792 eurosh, duke përfshirë këtu interesin e llogaritur prej 38,775€ dhe ndëshkimet në shumë prej 30,397 eurosh. Më datën 31.12.2018 është lidhur marrëveshje në mes KMDK-së dhe ATK-së për pagesat e borxhit me 13 këste pasi Kompania nuk ka pasur mjete të mjaftueshme në fund të vitit.

Vonesat në likuidimin e borxheve të kompanisë ndaj ATK-së mund të rezultojnë me aplikimin e interesit dhe të ndëshkimeve, duke shkaktuar obligime dhe shpenzime shtesë për Kompaninë. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se tatimet dhe kontributet ndaj ATK-së do të paguhen në afatin e caktuar me ligj dhe të mos lejojnë vonesa të cilat shkaktojnë detyrime shtesë për ndëshkime dhe interesa, duke e dëmtuar buxhetin e kompanisë”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Furnizim pa dokumente

Sipas Auditorit, KMDK-ja duhet të furnizohet me derivate të naftës me operatorë ekonomikë të licencuar për atë shërbim dhe sipas kushteve të përcaktuara me kontratë. Më datën 24.05.2018, KMDK-ja ka pranuar faturën në shumë prej 24,184 eurosh për furnizim me naftë për muajt: shtator 3,680 litra, tetor 4,400 litra, nëntor 5,447 litra dhe dhjetor 1,400 litra në vitin 2012, si dhe për muajin janar të vitit 2013 në sasi 3,200 litra, nga KRM “Pastërtia”, Ferizaj, ku çmimi mesatar për litër sipas përllogaritjes ishte 1.33€ për litër.

“Nuk kemi gjetur ndonjë arsyeje të vonesës së faturimit prej vitit 2012 deri në vitin 2018. Dokumentacioni i ofruar nuk ka të bashkangjitur fletëdërgesat për furnizimin me derivate të naftës në kohën kur është furnizuar KMDK-ja, po ashtu ky furnizim ishe bërë nga kompania e cila nuk është e licencuar për shitjen e derivateve të naftës.

Sipas KMDK-së, deri te furnizimi me derivate të naftës nga KRM ‘Pastërtia’ ka ardhur për shkak se KMDK-ja ka pasur borxhe të larta financiare ndaj operatorit ekonomik në atë kohë dhe OE-ja ka refuzuar të bëjë furnizimin e rregullt me derivate të naftës në stacionin e deponisë në Ferizaj. Rrjedhimisht KMDK-ja është detyruar të bëjë zgjidhje të shpejtë në mënyrë që të mos ngecë aktiviteti kryesor operativ”, thuhet në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Aty më tutje thuhet se furnizimi me derivate të naftës nga kompania që nuk e ka për veprimtari shitjen e karburanteve paraqet rrezik në pranimin e sasisë dhe të cilësisë jo sipas standardeve dhe çmimeve të tregut. Auditori rekomandon që kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë se furnizimi me naftë bëhet vetëm me operatorin ekonomik të kontraktuar dhe që ka licencë për shitjen e naftës.

Regjistrim i gabuar i shpenzimeve të parapaguara

Sipas parimit aktual të kontabilitetit, efektet e transaksioneve dhe të ngjarjeve ekonomike tjera duhet të njihen në momentin e ndodhjes dhe ato duhet të regjistrohen në regjistrat e kontabilitetit dhe të raportohen në pasqyrat financiare në periudhën së cilës i takojnë.

Me rastin e rishikimit të llogarisë së shpenzimeve kemi gjetur se shpenzimet e parapaguara për sigurimin e automjeteve janë regjistruar si shpenzime të sigurimit në shumë totale prej 3,342€.

Prej kësaj shume vetëm 2,446€ është shpenzim i periudhës, ndërsa pjesa tjetër prej 896€ është parapagim dhe do të duhej të regjistrohej në bilancin e gjendjes si pasuri qarkulluese.

Sipas Auditorit, regjistrimi i gabuar i shpenzimeve të parapaguara të automjeteve ka ndodhur për shkak të interpretimit të gabuar të SNK 1-shit nga zyrtarët financiarë, të cilët e kanë konsideruar gabimisht tërë transaksionin si shpenzim të periudhës.

“Regjistrimi i parapagimeve në kategorinë e shpenzimeve ndikon në mbivlerësimin e shpenzimeve dhe nënvlerësimin e parapagimeve të periudhës. Kryesuesi i Bordit duhet të sigurojë që zyra e financave bën regjistrimin e të gjitha transaksioneve në përputhje me kërkesat e standardeve të kontabilitetit dhe të sigurojë se është bërë prerja/regjistrimi i shpenzimeve ose i të hyrave, të cilat i takojnë vetëm periudhës kontabël”, thuhet në raport.