S’ka hetim për tenderin e 'kurdisur' të Komunës së Suharekës

Në një tender që Komuna e Suharekës e kishte zhvilluar gjatë vitit 2017 gjithçka “ishte kurdisur” për ta blerë veturën e caktuar prej rreth 30 mijë eurosh. Te kriteret e vendosura në dosjen e tenderit mungonte pa u specifikuar vetëm tipi i automjetit dhe i kompanisë që do ta fitonte tenderin. Por pavarësisht shkeljeve të shumta që kanë ndodhur në atë kohë deri më tash Prokuroria nuk ka nisur ndonjë hetim për ta zbardhur të vërteten, shkruan sot Gazeta 'Zëri".
Së paku deri më tash institucionet e drejtësisë nuk kanë nisur ndonjë hetim për një tender të “kurdisur” të Komunës së Suharekës, i cili ishte zhvilluar gjatë vitit 2017 për blerjen e një automjeti të dializës për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF).
LEXO EDHE: Molliqaj: Kemi strategjinë për ta rrëzuar Haradinajn
Në dosje të tenderit që kishte përgatitur Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës vetëm emri i automjetit kishte munguar, pasi që thuajse të gjitha kriteret e vendosura në dosjen e një tenderi ishin përshtatur që të blihej një veturë e tipit “Volkswagen” (VW), e cila gjë edhe kishte ndodhur.
Në atë kohë pas dy anulimeve të këtij tenderi, i cili herën e parë ishte shpallur më 2 gusht 2017 dhe ishte rishpallur më 5 tetor 2017, Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës kishte shpallur fituese kompaninë AHP nga Prizreni për furnizim me veturë nga prodhuesi gjerman (VW), vlera e së cilës arrinte në 29.990 euro.
Ndërsa vetura ishte pranuar nga autoriteti kontraktues, përkatësisht nga Komuna e Suharekës, më 17 nëntor të vitit 2017.
Komuna, e gatshme për përballje me drejtësinë
Por pavarësisht shkeljeve të ndodhura gjatë procesit të prokurimit të realizuar gjatë vitit 2017 deri më tash institucionet e drejtësisë nuk janë marrë fare me këtë rast, pavarësisht se një institucion shtetëror përmes kritereve ka favorizuar një automjet të caktuar. “Si Zyrë e Prokurimit nuk kemi ndonjë informatë lidhur me hetimin në këtë projekt, megjithatë jemi të gatshëm të përballemi me secilin hap ligjor që parashihet në procedurat e Prokurimit Publik dhe në ligjet tjera në fuqi.
Zyra e Prokurimit ju informon se specifikimet teknike përgatiten nga njësitë e kërkesës.
Edhe në rastin konkret specifikimet teknike janë përgatitur nga Njësia e kërkesës QKMF. Po ashtu edhe korrigjimin/përmirësimin e tyre e ka bërë Njësia e Kërkesës”, thuhet në përgjigjen që Zyra e Prokurimit e Komunës së Suharekës ia ka dërguar gazetës “Zëri” më 14 maj të këtij viti. Për këtë çështje gazeta u ka dërguar pyetje edhe institucioneve të drejtësisë, por nuk ka marrë përgjigje nga ta.
Muharremaj: Prokurimi është realizuar para se unë të jem kryetar
Bali Muharremaj, kryetar i Komunës së Suharekës, thotë se prokurimi për blerjen e autoambulancës është realizuar para se ai ta marrë postin e kryetarit të Komunës.
“Unë nuk kam asnjë informatë të vetme për këtë proces të prokurimit”, ka thënë shkurt përmes telefonit kryetari Muharremaj. Por në anën tjetër zyrtarë të Zyrës së Prokurimit në këtë komunë thonë se tenderi “Furnizim me automjet për dializë për nevojat e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare fillimisht është dërguar si kërkesë në Agjencinë Qendrore e Prokurimit, për ta iniciuar aktivitetin e prokurimit sipas Udhëzuesit për Prokurime të Centralizuara, por pasi që AQP-ja nuk ka udhëhequr procedurë të prokurimit, Komuna është njoftuar se mund të udhëhiqen këto procedura.
“Ky projekt është ritenderuar dy herë, një herë është anuluar për shkak të sistemit të e-prokurimit në mungesë të çelësave dhe konform Udhëzuesit Operativ është bërë anulimi i procedurës dhe një herë është anuluar në mungesë të ofertave nga ana e OE-së. Projekti është udhëhequr përmes procedurës së prokurimit elektronik dhe janë disa OE që kanë shkarkuar dosjen, por dy prej tyre kanë dorëzuar ofertat, sepse projekti ka qenë i ndarë në 2 lote/pjesë. OE: AHP LLC me çmimin prej 29.990.00 eurove (Njëzet e nëntë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë euro) është shpallur fitues për ketë projekt”, thuhet në përgjigjet e Zyrës së prokurimit të dërguara më 14 maj të këtij viti.
Favorizimi përmes kritereve, vepër penale
Më 5 korrik të vitit 2018 gazeta “Zëri” pas një hulumtimi të gjatë ka gjetur se specifikat e vendosura në dosje të tenderit nga Komuna e Suharekës kanë bërë që qysh në fillim të këtij aktiviteti të prokurimit të dihet edhe fituesi i tenderit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Saktësisht në specifikimin 34 të kësaj dosjeje të tenderit thuhej se gjatësia e automjetit duhet të jetë në minimum 5300 milimetra deri në 5320 milimetra, përderisa automjeti i përzgjedhur nga Komuna ka një gjatësi prej 5304 milimetrash.
Edhe specifikimi 35 i përshtatej veturës së prodhuesit gjerman (VW), pasi kërkohej që automjeti të jetë i gjerë prej 1900-1930 milimetrash, derisa automjeti që tashmë është në shfrytëzim të QKMF-së së Suharekës ka një gjerësi prej 1904 milimetrash, saktësisht qysh kërkohej me tender. Ndërsa specifikimi 36 kërkonte që automjeti ta ketë një lartësi prej 1980-1998 milimetrash, ndërsa kjo veturë i ka 1990 milimetra. Të gjithë ofertuesit tjerë do të diskualifikoheshin nga gara e këtij tenderi që kap vlerën prej hiç më pak se 30 mijë eurosh, pasi veturat tjera nuk i plotësojnë tri specifikat e vendosura nga autoriteti kontraktues.
Favorizimi i operatorëve ekonomikë përmes përdorimit të kritereve të specifikuara, sipas ekspertëve të fushës, konsiderohet edhe vepër penale e shpërdorimit të detyrës zyrtare, pasi që, siç thonë ata, me dashje është shkelur Ligji i Prokurimit. Ligji i Prokurimit, përkatësisht pika 2 e Nenit 28, thotë qartë se autoritetit kontraktues i ndalohet t’i përcaktojë nevojat e veta që duhet të përmbushen, të specifikojë lëndën që do të prokurohet, t’i ndajë ose t’i përmbledhë sasitë ose artikujt e tjerë që duhet të prokurohen, duke zgjedhur një procedurë të prokurimit, ose duke vendosur një kërkesë ose kriter të përzgjedhjes, ose specifikimi teknik, i cili në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë, të diskriminojë kundër njërit ose më shumë operatorëve ekonomikë.
KRPP-ja kishte zbuluar kriteret favorizuese
Në Komisionin Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), institucion ky që monitoron procesin e prokurimit të institucioneve të cilat financohen nga buxheti i shtetit, konfirmojnë se lidhur me aktivitetin e prokurimit: “Furnizim me automjet për dializë për nevoja të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare”, të zhvilluar nga Komuna e Suharekës, kanë lëshuar rekomandim për specifikimin teknik, pasi përshkrimi i cili është përgatitur nga autoriteti përkatës mund të interpretohet si favorizim i një prodhuesi të caktuar.
“KRPP-ja gjatë monitorimit të dosjes së tenderit, përkatësisht specifikimit teknik, ka menduar se një përshkrim i tillë mund të ketë favorizime te ndonjë prodhues i veçantë. Ne sipas autorizimeve kemi kërkuar nga autoriteti kontraktues që këto specifikime të rishikohen se mos ka elemente favorizuese për ndonjë operator ekonomik ose prodhues, sepse përshkrimi në disa pozicione, për shembull te pozicioni 32, te gjatësia mes boshteve, specifikimi ka qenë minimum 3380 milimetra dhe maksimumi 3415 milimetra, si dhe pozicione tjera”, thuhet në përgjigjen e KRPP-së.
Por pavarësisht këtyre rekomandimeve të KRPP-së autoriteti kontraktues nuk kishte ndryshuar fare specifikimet në dosje të tenderit, të cilat favorizonin automjetet e këtij prodhuesi gjerman.
Në pyetjen se pse është lejuar që të zhvillohet një proces i prokurimit kur që në start vërehen specifika favorizuese, zyrtarë të KRPP-së në mënyrë indirekte të gjithë përgjegjësinë për këtë ia kanë lënë autoriteti kontraktues.
“Autoriteti kontraktues ka përgjegjësi të plotë për të vendosur se si t’i marrë parasysh këto rekomandime”, thuhet më tutje në përgjigjen e tyre.
Shkelja e Ligjit të Prokurimit
Nga KRPP-ja janë kërkuar informacione më të detajuara nëse specifikimet e vendosura në dosje të tenderit favorizojnë një operator të caktuar ekonomik, mirëpo ata kanë thënë se përveç rekomandimeve të dhëna nuk kanë ekspert të lëmit përkatës nëse specifikimet janë në favor të ndonjë prodhuesi.
“Ashtu siç theksuam më lart, KRPP-ja ka lëshuar rekomandim për specifikimet teknike se a favorizojnë ose jo ndonjë operator ekonomik. KRPP-ja ka dhënë rekomandim për rishikim të këtyre specifikimeve, mirëpo theksojmë se ne nuk kemi ekspertë të lëmit përkatës për vlerësim profesional se a është bërë ky specifikim në favor të ndonjë prodhuesi”, thuhet më tutje në përgjigjen e KRPP-së.
Në fund, sipas zyrtarëve të KRPP-së, favorizimin e operatorëve të caktuar ekonomikë përmes vendosjes së specifikave të ndryshme e sanksionon edhe Ligji i Prokurimit Publik, Neni 7, Barazia në Trajtim/ Jodiskriminimi, më saktësisht paragrafi 3, i cili thotë qartë se autoritetit kontraktues i ndalohet t’i përcaktojë nevojat e veta që duhet të përmbushen, të specifikojë lëndën që do të prokurohet, t’i ndajë ose t’i përmbledhë sasitë ose artikujt e tjerë që duhet të prokurohen duke zgjedhur një procedurë të prokurimit, ose duke vendosur një kërkesë ose kriter të përzgjedhjes, ose specifikim teknik që në ndonjë mënyrë ka për qëllim të favorizojë ose të diskriminojë kundër njërit ose më shumë operatorëve ekonomikë.
Metushi: Kriteret e përcaktuara favorizojnë një tip të caktuar të automjeteve
Diana Metushi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), e cila ka një përvojë të gjatë në monitorimin e aktiviteteve të prokurimit nga agjencitë buxhetore, ka vërejtur se kriteret e tilla të përcaktuara nga Komuna e Suharekës edhe mund të mos e favorizojnë një operator të caktuar ekonomik, por thotë se ato e favorizojnë një tip të caktuar të automjeteve.
Sipas saj, nëse bëhet një hulumtim do të shihet se në bazë të 8 kritereve të para nga specifikat teknike ka një rang të mbi 17 llojeve të furgonëve (kombi) të disponueshëm në treg.
“Megjithatë, kur shtojmë kriterin 9, ky numër bie në rreth 7 lloje. Kur shtojmë kriterin e 46-të, numri i furgonëve të disponueshëm bie në 5 dhe me shtimin e kritereve 34 deri në 37 numri i prodhuesve bie në 1 ‘Volkswagen’, ndërsa rangu i këtyre kritereve na jep si opsion veturën ‘Volkswagen Transporter’ (t5 dhe t6)”, ka thënë ajo.