Molliqaj: Kemi strategjinë për ta rrëzuar Haradinajn
FOTO: Laura Hasani

Molliqaj: Kemi strategjinë për ta rrëzuar Haradinajn

Aktuale May 31, 2019 - 07:53
Lexoni detajet
Image

Deputeti i PSD-së Dardan Molliqaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka deklaruar se partia e tij ka strategjinë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme brenda 6 muajve, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Partia Socialdemokrate (PSD) ka strategjinë për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” dhe për shkuarjen e vendit në zgjedhje të parakohshme brenda 6 muajve, përkatësisht deri në fund të këtij viti. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për “Zërin” deputeti i kësaj partie Dardan Molliqaj.

Megjithatë për të pasur sukses një strategji e tillë Molliqaj pranon se nevojitet ndihma e LDK-së, e ish-partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje dhe e Alternativës.

Përderisa për kryeministrin Haradinaj ka thënë se për shkak të skandaleve të shumta nuk e meriton të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, për kryeparlamentarin Kadri Veseli thotë se duhet të japë dorëheqje pas aferës së “Fajdeve”.

Deputeti i PSD-së nuk ka lënë pa kritikuar edhe presidentin Hashim Thaçin në këtë intervistë për “Zërin”, duke thënë se i pari i vendit nuk ka kontribuuar në kauzën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, pavarësisht deklaratave të tij të fundit.

PSD-ja e ka planin për rrëzimin e Qeverisë

Zëri: Z. Molliqaj, LDK-ja ka nisur iniciativën për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj”. A e përkrah PSD-ja një iniciativë të tillë ose a i keni kushtet tuaja?

Molliqaj: Ideja për rrëzimin e qeverisë “Haradinaj” ekziston që nga dita e krijimit të saj, mirëpo jemi gjithë të vetëdijshëm se një strategji e deritanishme e dy prej partive të opozitës, LDK-së dhe LVV-së, nuk ka qenë e suksesshme dhe ne e kemi thënë me kohë se me këtë lloj strategjie Qeveria nuk rrëzohet. Ka një kohë që PSD-ja edhe në takime me zyrtarë të partive të tjera opozitare dhe në publik ka treguar që përveç gatishmërisë të cilën e ka nga fillimi kemi qenë edhe subjekti i parë i cili kemi dorëzuar nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë. Ne kemi edhe një strategji të menduar se si mund të rrëzohet qeveria aktuale dhe sigurisht se, meqenëse kjo është riaktualizuar, nga LDK-ja ne presim strategjinë e tyre dhe pastaj do të japim kontributin tonë.

Zëri: Cila është strategjia juaj për rrëzimin e Qeverisë, e përmendët por nuk na treguat zgjidhjen tuaj për zgjedhje të parakohshme?

Molliqaj: Nuk besoj se mund ta bëjmë shumë publike tani, sepse konsiderojmë që për ta ndërtuar një partneritet me subjekte duhet fillimisht këtë strategji ta prezantojmë te partnerët e mundshëm që i synojmë, e pastaj edhe në publik. Ajo çfarë mund të them është se PSD-ja merr përsipër që nëse ka dakordim të partive opozitare për rrëzim të Qeverisë dhe ka dakordim për disa prej temave të rëndësishme politike në Kosovë e ka dakordim për të ardhmen se si e përfytyrojmë ndryshimin pas zgjedhjeve, atëherë mund të themi me përgjegjësi të plotë se me strategjinë tonë të PSD-së vendi mund të shkojë në zgjedhje në periudhë jo më larg se 6 muaj.

S’jemi patericë e Haradinajt

Zëri: Jeni kritikuar se PSD-ja është shndërruar në patericë të Qeverisë. A jeni të gatshëm ta dëshmoni të kundërtën duke bashkëpunuar edhe me ish-partinë tuaj në këtë iniciativë?

Molliqaj: Akuzat nganjëherë janë qëllimkëqija, të painformuara, e nganjëherë janë krejtësisht të kota. Ne kemi qenë konsistentë dhe vazhdojmë të mbesim në ato pika. Pa koordinim opozitar nuk ka rrëzim të Qeverisë dhe kjo është vërtetuar, pavarësisht se çka mund të thotë dikush tjetër, por tani ata po vijnë te ne. Ka një vit që ne kërkojmë takim të liderëve dhe të përfaqësuesve të partive opozitare, u desh të presim një vit që të mbërrijmë te pika, të cilën e kërkonte PSD-ja. Ne kemi shtyrë agjendën tonë, sepse jemi parti politike dhe kemi pasur kërkesat tona, të cilat kanë qenë, sipas vlerësimit tonë, kërkesa që i kanë shërbyer interesit qytetar të Republikës së Kosovës. Kushtet për votimin e buxhetit dhe iniciativat e tjera janë në dobi të interesit qytetar. Ne duhet të krijojmë një strategji të përbashkët LDK, LVV, PSD dhe Alternativa e pastaj t’i fillojmë konsultat me subjektet në pushtet për të krijuar numrin e domosdoshëm për mocionin që do të kurorëzohej me 61 vota.

Zgjedhjet, brenda vitit

Zëri: Si po planifikoni t'i arrini 61 vota?

Molliqaj: Ne si PSD mbajmë përgjegjësi publike se nëse ka dakordim, në veçanti mes LDK-së dhe PSD-së e sigurisht se edhe me Alternativën e me Vetëvendosjen, por në veçanti në mes këtyre dy të parave, brenda këtij viti vendi do të shkojë në zgjedhje. Me strategjinë që PSD-ja e organizon dhe ne marrim përgjegjësinë dhe sigurimin e numrave në Kuvend jo që i kemi, por mendojmë se në mënyrën se si e ndërtojmë strategjinë dhe mënyrën se si e “mbështesim për muri Qeverinë”, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje dhe në anën tjetër bindim njërën nga partitë në pushtet për atë se ne e kemi përnjëmend. Nuk të vjen askush në partneritet nëse t’i nuk e bindë atë se ke një strategji dhe për këtë ne besojmë që duhet të kemi një pajtueshmëri për disa tema dhe një strategji të përbashkët mes partive opozitare.

Qeveria “Haradinaj” s’e meriton të mbetet në pushtet

Zëri: Z. Molliqaj, si e vlerësoni punën dyvjeçare të qeverisë “Haradinaj”. Cilat kanë qenë sukseset dhe dështimet më të mëdha të kësaj Qeverie?

Molliqaj: Qeveria “Haradinaj” është nisur gabim, sepse vjen si rezultat i një koalicioni jo shumë të natyrshëm parazgjedhor, koalicioni PAN, i cili rezulton me një ndërtim të koalicionit të varur nga Lista Serbe. Pastaj nuk ka ndryshime në mentalitetin e menaxhimit të parasë publike nga kjo Qeveri, përkundrazi në disa drejtime ka thellim të keqes në Kosovë, sidomos në menaxhimin e ndërmarrjeve publike, të institucioneve publike në përgjithësi. Menaxhimi i buxhetit ka qenë ad-hoc shumë shpesh, korrupsioni nuk është luftuar, nuk ka pasur ndonjë projekt serioz i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik ose të mirëqenies. E dimë shtimin që është bërë në administratën civile, por edhe në atë politike numri i këshilltarëve, i zëvendësministrave etj. Kështu që nuk besoj se kjo është Qeveri duhet të vazhdojë të mbetet në pushtet. Por mund të themi se janë ato gjërat të cilat janë votuar në mënyrë unanime nga Kuvendi i Kosovës, Ushtria, Ligji për “Trepçën”, vendosja e tarifave etj, kanë gjetur konsensus, pra jo vetëm të Qeverisë, por edhe të tjerëve, mirëpo kjo Qeveri ka qenë në ballë të këtyre proceseve.

Pa Vetëvendosjen nuk ka zgjedhje

Zëri: Përfundimisht, a prisni se sivjet do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare?

Molliqaj: Sipas nesh kjo varet nga LDK-ja, sepse ne shohim që mund të kemi një diskutim strategjik programor për gjendjen që po ndodh tash dhe për të ardhmen në Kosovë dhe pastaj mund ta ndërtojmë strategjinë për rrëzimin e Qeverisë. Sigurisht se pa Vetëvendosjen dhe pa Alternativën, por edhe pa njërën nga partitë në pushtet ne nuk mund ta rrëzojmë Qeverinë, por nëse ka darkodim dhe ka një ndërtim të një përfytyrimi për të ardhmen unë besoj se të gjithë do të bashkohen dhe do të kontribuojnë e pastaj zgjedhjet janë të sigurta. Ne e kemi idenë se si bëhet kjo dhe e kemi vullnetin për angazhim që të realizohet kjo. Pra varet nga LDK-ja, jo në kuptimin se a do LDK-ja zgjedhje, sepse nuk kam dilemë aty, por varet nga LDK-ja nëse e lexon situatën saktë, i lexon faktorët saktë dhe e kupton se kjo është rruga për ta rrëzuar qeverinë "Haradinaj".

PSD-ja do t’i ketë së paku 12 deputetë

Zëri: Në rast se PSD-ja nuk e kalon pragun ashtu siç po del në disa sondazhe, a do të jepni dorëheqje nga funksionet partiake?

Molliqaj: Nuk kam dilemë se minimumi i deputetëve të partisë PSD-së do të jetë 12 aq sa i ka sot dhe për këtë do të flasim pas zgjedhjeve. Për ne kjo është një mundësi e mirë, sepse edhe na lidh me elektoratin tonë që jemi duke e ndërtuar dhe e pastron të kaluarën nga dallimet me subjektin me të cilin kemi rrugëtuar deri vonë.

Veseli të japë dorëheqje pas aferës së “Fajdeve”

Zëri: Së fundmi është publikuar afera e “Fajdeve”. Cili është komenti juaj për këtë skandal dhe a do të duhej Veseli të japë dorëheqje?

Molliqaj: Rasti i fundit në mënyrë të freskët, por në përgjithësi sistemi në Kosovë ka dëshmuar se kemi nevojë për një veting, pra për një rivlerësim të sistemit të drejtësisë në veçanti. Në momentin që e kemi sistemin e pavarur të përgjegjshëm të drejtësisë pashmangshëm kjo çon në një veting edhe të politikanëve, sepse një sistem i fortë i drejtësisë do të eliminonte të gjithë politikanët e korruptuar. Kështu që afera e “Fajdeve” shpërfaq në mënyrë eklatante dështimin e sistemit të drejtësisë, kapjen e sistemit të drejtësisë nga partitë në pushtet. Në anën tjetër Kadri Veseli jo vetëm që është dashur të japë dorëheqje, por ai është dashur të mos zgjidhet fare kryetar Kuvendi, por nëse ne presim përgjegjësinë morale të politikanëve të vjetër në pushtet, kjo kurrë nuk do të ndodhë. Prandaj po them që më shumë sesa të ankohemi dhe të vajtohemi duhet të gjejmë zgjidhjen, sepse mund të jemi edhe pas pesë vjetëve me një skandal tjetër dhe prapë të ankohemi.

Konjufca ka qenë pjesë e SHIK-ut, ky fakt nuk ndryshon

Zëri: Ish-bashkëpartiakun tuaj Glauk Konjufcën e keni akuzuar si ish-punonjës të SHIK-ut. Si e vlerësoni qëndrimin e Vetëvendosjes për këtë skandal?

Molliqaj: Kam konsideruar se çfarëdo angazhimi i secilit prej personave që mban përgjegjësi publike duhet të jetë publik, sepse nëse ke qenë pjese e diçkaje dhe për atë duhet të japësh përgjegjësi edhe nëse ke bërë gabim dhe t'i marrësh lëvdatat nëse ke bërë diçka mirë. Edhe ish-kolegët e mi sikurse shumë njerëz në politikë nuk e kanë guximin e as kurajën të ballafaqohen me të vërtetën që i përcjell. Reagimi i tyre ka qenë jo i saktë, me plot faj e me plot tërheqje. Ju e dini që së pari nuk folën, pastaj shkuan në gjykatë, pastaj kur fola në Kuvend përsëri nuk folën, pastaj folën, por nuk vepruan njëjtë edhe me presidentin Thaçi, i cili po ashtu akuzoi njërin nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje se kishte qenë pjesë e SHIK-ut, nuk u padit z. Thaçi fare, a i bie kjo që për z. Kurteshin po e pranojnë se ka qenë në SHIK, a i bie kjo se padinë e kanë bërë për njërin, por nuk e bëjnë për tjetrin? Pra nuk kishte asgjë të rregullt aty dhe për mua kjo është çështje e mbyllur. E vërteta për këtë çështje dihet, secili beson në të vërtetën e vet nganjëherë, por kjo është një e vërtetë e pamohueshme dhe për mua mbyllet kjo histori.

Zëri: Të martën është zhvilluar një aksion i madh antikontrabandë në disa komuna të Kosovës, për të cilin pati reagime të ashpra në Serbi dhe në Rusi. A e përkrah partia juaj këtë aksion dhe a mund të ketë kjo reflektime negative politike para takimit të Berlinit dhe të Parisit?

Molliqaj: Askush nuk guxon dhe nuk do të duhej të guxonte të dalë kundër sundimit të ligjit, arrestimit dhe vendosjes para drejtësisë të gjithë atyre që bëjnë krim, pavarësisht etnisë. Por unë shoh dy qasje këtu: shoh një qasje të atyre që këtë e shohin si një triumf, e cila mbetet vetëm një pikë uji në oqeanin e madh të krimit të organizuar dhe të korrupsionit në veri, por edhe në tërë Kosovën. Mirëpo nëse më pyet përfundimisht, them se më mirë është të shkojë Policia e Kosovës në veri të vendit pesë herë sesa asnjëherë. Por zgjidhja nuk është as të shkojë pesë herë, por edhe të mos jetë atje asnjëherë është po ashtu jozgjidhje. Zgjidhja është ta ketë një plan të qartë se si vendoset rendi dhe ligji atje. Nuk guxojmë t’i përdorim institucionet e ligjit për të mbuluar çfarëdo teme publike, por sigurisht se nuk guxojmë as ta mohojmë veprimin institucional ndonëse i vonë dhe i mangët, por më mirë vonë se kurrë.

Zëri: A po thoni se i tërë procesi në veri ka qenë i inskenuar?

Molliqaj: Nuk guxoj ta them një gjë të tillë, sepse nuk i kam informatat. Mirëpo nëse mbetet rast i izoluar sigurisht që po, por nëse shohim në javët dhe në muajt në vazhdim veprime institucionale, veprime në veri, dhe jo vetëm në veri e jo vetëm kur ka krizë, atëherë konsideroj se ka qenë një plan. Nëse jo në rastin më të mirë ka qenë një veprim i vullnetshëm, por jo me ndonjë efekt të madh, në rastin më të keq mund të jetë edhe vetëm një plan, por këtë nuk mund ta them ende sepse nuk kam ende as informata e as bindje.

Thaçi nuk ka kontribuuar në kauzën për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë

Zëri: Si i komentoni deklaratat e fundit të presidentit Thaçi për bashkimin e Kosovës me Luginën dhe së fundmi edhe me Shqipërinë?

Molliqaj: Është jashtëzakonisht e pamundur, jo e vështirë, por e pamundshme të besosh në sinqeritetin e deklarimeve të presidentit Thaçi, kjo sepse ai aq shumë ka deklaruar dhe aq shumë ka ndryshuar qëndrime, saqë askush nuk di më çka të besojë në raport me të. Nëse çështjet të cilat ai i ngre janë të drejta, mua kjo gjë më gëzon prej kujtdo që vjen, sepse në fund është e rëndësishme për mua që të gjithë të pajtohemi për një çështje, e cila është interes i qytetarëve dhe interesi për bashkimin e Kosovës me Luginën besoj se është i të gjithëve dhe shumë mirë nëse z. Thaçi i ka rënë pishman se çfarë ka bërë në të kaluarën. Pra çështja është, a është e sinqertë ose jo dhe shumë mirë nëse angazhohet për këtë çështje. Po ashtu bashkimi i Kosovës me Shqipërinë dihet se është aspiratë e shumicës së njerëzve që jetojnë në këto dy vende, z. Thaçi nuk ka kontribuuar në këtë kauzë. Nëse prapë e ka kuptuar se ka gabuar dhe ka ndodhur një vetëdijesim i tij nuk është se mua më vjen inati, nëse kjo është rruga e drejtë, por nëse është duke manipuluar prapë është shumë keq jo për të, por për kauzën. Pra, mbetet të shihet nëse ka seriozitet në këtë çështje.

S’ka liberalizim pa u arritur marrëveshja Kosovë - Serbi

Zëri: Tash e një dekadë liderët vendorë kanë premtuar heqjen e vizave për kosovarët, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas nëntë vjet premtimesh. Si e shihni këtë dhe a besoni se së shpejti heqja e vizave do të jetë e mundur për kosovarët?

Molliqaj: Tashmë më shumë se një vit Komisioni Evropian ka rekomanduar pozitivisht liberalizimin e vizave për Kosovën dhe tash është çështje politike e shteteve anëtare të BE-së. Këshilli i Ministrave të BE-së është organi i cili nuk po e fut në rend dite dhe nuk po e voton liberalizimin e vizave. Po të futej në rend dite Kosova sigurisht se do ta ketë liberalizimin e vizave, sepse Këshilli i Ministrave nuk ka të drejtë të votojë kundër një rekomandimi të Komisionit të BE-së, që është një organ i përbashkët. Sa u përket vendeve veç e veç, unë mendoj se janë shqetësuese në veçanti Franca dhe Italia që nuk janë sinjale të mira për ne. Unë nuk besoj se do të ketë liberalizim të vizave pa pasur marrëveshje me Serbinë, unë besoj se fillimisht do të kemi marrëveshjen me Serbinë, pastaj edhe liberalizim. Megjithëse kjo mbetet veç një analizë, por besoj se politika ka treguar që shumë më të sakta janë analizat e zhvillimeve të proceseve sesa informatat e dëshirat e kujtdo qoftë për procesin.