“Trepça” futet në krizë të thellë financiare

Ekonomia February 15, 2019 - 08:17
Lexo Detajet
Image

Derisa Shyqyri Sadiku, kryetar i SP-së së Punëtorëve të “Trepçës”, mendon se gjendja në “Trepçë” është rezultat i keqmenaxhimit, i korrupsionit e i nepotizmit, ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës” Xhevdet Tahiri thotë se situata e krijuar ka ardhur si rezultat i sabotimeve dhe i pengesave në prodhim, të krijuara nga kryesindikalisti Shyqyri Sadiku, shkruan gazeta "Zëri".

“Trepça” është zhytur në krizë të thellë që për pasojë ka gjendjen e rëndë financiare pas grevave të organizuara. Punëtorët e “Trepçës”, rreth 1300 sa janë, përveçse u janë vonuar pagat i kanë marrë ato 40 euro më të ulëta.

Arsyetimet e menaxhmentit janë se nuk ka mjete për paga për shkak të vështirësive financiare, ndërkaq Sindikata e Pavarur e Punëtorëve të “Trepçës” gjithë fajin ia hedh menaxhmentit.  

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të “Trepçës”, Shyqyri Sadiku, i cili është edhe anëtar i Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”, ka thënë se minatorët sërish mund të hyjnë në grevë, pasi janë të pakënaqur, sepse pagat i kanë marrë me zbritje dhe se gjendja është vështirësuar.

Sipas tij, “Trepça” ka ardhur në një situatë të tillë që nuk ka mjete as për paga, e është zhytur edhe në borxhe. “Unë e kam paralajmëruar edhe më herët se keqmenaxhimi, korrupsioni dhe nepotizmi e kanë sjellë në këtë gjendje ‘Trepçën’”, ka thënë ai, ndërkaq ka sqaruar se minatorët e kombinatit "Trepça", një muaj më parë kanë qenë në grevë njëjavore, duke kërkuar rritjen e pagave për 20 për qind, shkarkimin e Bordit të këtij kombinati, ndalimin e punësimit të stafit pa konkurs dhe krijimin e kushteve më të mira për punë.

Menaxhmenti fajëson Sindikatën

Në anën tjetër, për gjendjen në “Trepçë” ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues Xhevdet Tahiri ka fajësuar kryetarin e SP-së së Punëtorëve të “Trepçës” Shyqyri Sadikun, i cili ka nxitur punëtorët që të sabotojnë punën dhe i kanë krijuar “Trepçës” dëme 1.2 milion euro për kohën sa punëtorët ndodheshin në grevë. “Trepça’ momentalisht po kalon një periudhë të vështirë financiare, ku sfidat e mbijetesës janë shumë të rënda. Krejt kjo është rezultat i sabotimeve dhe i pengesave në prodhim, të cilat po krijohen nga kryesindikalisti Shyqri Sadiku dhe një grup punëtorësh shumë i vogël të manipuluar nga ky person. Ky person për çdo muaj i fton punëtorët të hyjnë në grevë me qëllim që të pengojnë prodhimin dhe të bojkotojnë procesin e prodhimit. Humbjet të cilat u krijuan nga veprimet e këtij personi me thirrjen e grevave gjatë muajit korrik të vitit 2018 dhe në janar të vitin 2019 arrijnë vlerën mbi 1.2 milion euro. Duhet ta sqarojmë opinionin se ky person (kryesindikalisti Shyqyri Sadiku) derisa del para medieve dhe flet për keqmenaxhim, ky është drejtuesi kryesor i menaxhimit të prodhimit në horizontin 7, 8, 9, në minierën e Stantërgut, ku prodhimi mujor i tij është minus 70 për qind, i krahasuar me planifikimin e projektuar, ku në pesë vjetët e fundit që ushtron detyrën e drejtuesit në këto horizonte as pesë herë nuk ka hyrë në minierë për të kryer detyrat për të cilat paguhet. Por ai është shumë i përkushtuar të organizojë bojkotin e prodhimit në minierë, duke ftuar çdoherë minatorët në grevë dhe asnjëherë në punë dhe ngritje të performancës në minierë”, ka thënë ai.

Kërkon përkrahje nga Qeveria

“Mungesa e mjeteve likuide në ndërmarrje, rezultat i së cilës ishte greva e muajit të kaluar (janar 2019), e organizuar nga ky ‘delikuent’ në Sindikatën e ‘Trepçës’, kemi qenë të shtyrë të ekzekutojmë pagesën e vetëm një pjese të pagave (63 për qind), me qëllim të mos i vonojmë pagat edhe për një javë për punëtorët e ndërmarrjes me të vetmin qëllim që ata t’i kryejnë obligimet, të cilat i kanë ndaj institucioneve financiare, përderisa pjesa e mbetur e pagave do të realizohet më së largu deri më 20 shkurt 2019. Për shkak të opinionit duhet të sqarohet se menaxhmenti i ‘Trepçës’ SHA është i përkushtuar që këtë krizë financiare ta tejkalojë me organizimin, të cilin e ka instaluar në të gjitha nivelet e ndërmarrjes, ku qysh në ditët e para janë ndërmarrë hapa zhvillimorë drejt ngritjes së performancës në ndërmarrje, reduktimit të shpenzimeve dhe të mobilizimit të përgjithshëm për një produktivitet më të lartë. Vlen të theksojmë se muaji shkurt deri më sot ka arritur një rekord të prodhimit krahasuar me vitet e kaluara, ku prodhimi ka shënuar një rritje rreth 25,42  për qind. Me veprime konkrete menaxhmenti është duke vepruar në drejtim të ngritjes së performancës në nivelet më të larta duke aplikuar metodat më bashkëkohore të menaxhimit dhe të qeverisjes korporative të ndërmarrësisë”, ka thënë Tahiri, i cili ka ftuar Qeverinë e Republikës së Kosovës, si aksionare kryesore, ta përkrahë menaxhmentin e ndërmarrjes dhe ta mbështesë për eliminimin e këtyre pengesave, të cilat po e ngadalësojnë zhvillimin dhe ngritjen e ndërmarrjes, duke marrë parasysh se një “Trepçë” e ngritur dhe e zhvilluar do të jetë gjeneratori kryesor i rritjes ekonomike në vend.  “Sa i përket Bordit Mbikëqyrës të ‘Trepçës’ SHA dua ta shpreh mirëkuptimin dhe falënderimin ndaj përkushtimit të tyre dhe punës së palodhshme në drejtim te rimëkëmbjes së ndërmarrjes dhe të krijimit të infrastrukturës ligjore në ‘Trepça’ SHA. Po ashtu apeloj te punëtorët e ‘Trepçës’ të mobilizohen për punë e jo për greva, sepse pikërisht greva ishte ajo e cila na krijoi humbje si rezultat i së cilës nuk arritëm t’i ekzekutojmë pagat në tërësi dhe me kohë. I ftoj punëtorët e ndërmarrjes ‘Trepça’ të reflektojnë në këtë periudhë të vështirë, të veprojmë të unifikuar dhe të përkushtuar në kryerjen e punëve dhe të detyrave për të cilat jemi të thirrur e të mos bëhemi vegla të ‘delinkuentëve’ që të manipulojnë me ne për interesa të tyre personale duke dëmtuar të ardhmen e familjeve tona. I ftoj gjithashtu të gjithë minatorët që të distancohen nga veprimet e kryesindikalistit, i cili ka për qëllim falimentimin e ndërmarrjes”, ka thënë mes tjerash ushtruesi i detyrës së drejtorit menaxhues të “Trepçës”, Xhevdet Tahiri./Zeri/