Drecun: Taksa do të hiqet, ja çfarë është duke bërë Haradinaj

Ekonomia January 24, 2019 - 11:26
Lexo tjera detaje

Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun ka parashikuar heqjen e taksës nga Kosova ndaj mallrave serbe.
 

Kryetari i Komisionit parlamentar për Kosovën në Serbi, Milovan Drecun beson se taksa ndaj mallrave serbe do të hiqet nga Kosova dhe pret që Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj është duke u munduar të veprojë në bazë të kërkesave nga SHBA-të, në mënyrë që të mos “ngatërrohet”.

Drecun beson se qëndrimi i Haradinajt ka lidhje edhe me mundësinë e zgjedhjeve të reja në Kosovë.

“Haradinaj dëshiron të shfaqet para elektoratit si i pamëshirshëm, tek i cili amerikanët nuk mund të ndikojnë, si dikush që nuk ka frikë nga askush. Kjo është një filozofi terroriste e malit por vjen një kufi kur duhet të veprojë siç kërkojnë SHBA-të dhe të kërkojë dalje nga situata në mënyrë që të mos ngatërrohet. Mendoj se taksa do të hiqet”, deklaroi Drecun për “TV Pink”, transmeton lajmi.net.

I pyetur për t’i komentuar deklaratat e shefit të kabinetit të Haradinajt, Avni Arifi se qeveria nga Prishtina mund ta pezullojë përkohësisht taksën ndaj mallrave serbe, Drecun ka theksuar se kjo nënkupton se taksa do të pezullohet deri në arritjen e një marrëveshjeje.

“Ne vetëm dëshirojmë që taksa të hiqet, të mos ekzistojë më, në mënyrë që të jemi në gjendje t’i vazhdojmë bisedimet”, theksoi ai. Drecun beson se SHBA-të kanë rol shumë të rëndësishëm dhe se presidenti amerikan Donald Trump me iniciativë personale i kushton rëndësi asaj që amerikanët dëshirojnë të ndodh.

“Ata dëshirojnë të vazhdojnë bisedimet dhe të arrihet një marrëveshje për statusin përfundimtar të Kosovës. Mendoj se kjo është edhe në interesin tonë, përndryshe, alternativa atje ka qenë ajo për çka flet Edi Rama. Për këtë duhet të jemi të vetëdijshëm. Mos dyshoni se Kosova dhe Shqipëria do të bashkoheshin sot, nëse do të ekzistonin pengesa të tjera”, theksoi Drecun, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se Serbia dëshiron të gjejë një zgjidhje me Kosovën edhe për të sqaruar bashkëjetesën e dy popujve të ndryshëm në Kosovë. “Nuk jemi ne krahu i fortë në Kosovë, janë ata. Por, ne dëshirojmë t’i mbrojmë interesat tonë”, përfundoi ai.