Institucionet blejnë 'Plazma' përmes tenderit publik

Ekonomia January 19, 2019 - 07:56
Lexo tjera detaje
Image

“Plazma”, “Eurokrem”-i, “Smoki”, por edhe produkte tjera të prodhuara në Serbi janë paraparë të blihen përmes një tenderi prej 23.5-milionësh të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) pavarësisht se tash e dy muaj Kosova ka vendosur taksë prej 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Produktet ushqimore që do të blihen janë të destinuara për një numër të madh të institucioneve qendrore, lokale, por edhe për ato të pavarura të cilat operojnë në vendin tonë, shkruan Gazeta "Zëri".

Produkte ushqimore të prodhuara në Serbi, siç janë: “Plazma”, “Eurokrem”-i, “Smoki”, por edhe disa të tjera janë paraparë të blihen përmes tenderit publik 23.5-milionësh të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) pavarësisht se tash e dy muaj Kosova ka vendosur taksë prej 100% për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina. Në dokumentet që i ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se produktet që do të blihen janë të destinuara për shumë institucione qendrore, lokale, por edhe ato të pavarura të cilat operojnë në vendin tonë.

Në kategorinë e katërt të këtij tenderi mes shumë produkteve të planifikuara për blerje janë edhe 7218 pako të “Plazma”-ve me peshë prej 150 gramësh. Po ashtu në këtë kategori të tenderit janë paraparë të blihen edhe 727.284 copë “Eurokrem”, ose ekuivalent në peshë prej 50 gramësh, si dhe 2.448 kilogramë “Eurokrem” ose ekuivalentë, shkruan Gazeta "Zëri"

Në dosjen e tenderit 23-milionësh si asnjëherë më parë janë specifikuar me emër produktet që do të blihen, ndonëse një veprim i tillë është i ndalur me ligj. I kontaktuar nga gazeta “Zëri”, drejtori i AQP-së Behgjet Rukiqi thotë të mos jenë në dijeni me produktet që janë kërkuar përmes këtij tenderi. Por, kur gazeta e ka pyetur atë se aty kërkohen edhe “Plazma” të prodhuara në Serbi, ai tha se të dhënat kanë mbetur të mëhershme dhe ato do të ndryshohen. “Emrat e produkteve kanë mbetur nga më herët, nuk e kemi vërejtur, por ato do të korrigjohen”, ka thënë përmes telefonit Rukiqi.

I kërkojnë 365.067 “Argeta”

Në dosjen e siguruar nga gazeta “Zëri” shihet se autoriteti kontraktues, në këtë rast Agjencia Qendrore e Prokurimit, ka kërkuar të blejë 365.067 “Argeta” për nevoja të institucioneve qendrore, lokale dhe atyre të pavarura, por ashtu sikurse edhe “Plazma”-t, prania e këtij produkti në vendin tonë është duke munguar për shkak të aplikimit të taksës, pasi që ky produkt prodhohet në Bosnjë e Hercegovinë. Po ashtu në lotin e parë AQP-ja ka kërkuar të blejë edhe 90 kilogramë biftek, 90 kilogramë ramstek, mish pule, mish peshku, sallam pule, derri etj.

Po ashtu produkte të ngjashme janë edhe në lotin e dytë të kategorisë së parë. Po ashtu në lotin e parë të kategorisë së dytë mes shumë produkteve me origjinë nga qumështi është paraparë të blihen edhe 13 mijë e 764 kilogramë djathë “Mocarella”, si dhe mbi 74 miligramë kaçkavall. Po ashtu produkte të ngjashme gjendjen edhe në lotin e dytë të këtij grupi. Në grupin e tretë, i cili ka vetëm një lot, janë paraparë të blihen sasi të mëdha të pijeve të gazuara dhe atyre të pagazuara, si dhe të ujit natyral dhe atij mineral. Në grupin e katërt ka produkte të ndryshme, derisa në dy lotet e grupit të pestë ka bukë dhe produkte të miellit, shkruan Gazeta "Zëri".

Demhasaj: Buxheti do të dëmtohet

Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”, thotë se kërkesa për blerje të produkteve të Serbisë për nevoja të institucioneve bie ndesh me vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës prej 100 për qind për produktet që importohet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Sipas tij, me këto kërkesa buxheti do të dëmtohet shumë, pasi që për realizim të këtij tenderi produktet e prodhuara mund të importohen në Kosovë, por kur çmimi i tyre tash është shumë i lartë për shkak të taksës prej 100 për qind. “Është pak e palogjikshme se pikërisht në këtë moment janë pikërisht institucionet që po lobojnë kundër prodhimeve serbe e në anën tjetër institucionet përmes tenderëve publikë po blejnë produkte të prodhuara në Serbi. Kjo nuk ka logjikë”, ka thënë për gazetën “Zëri” Arton Demhasaj, nga organizata “Çohu”.

Tenderi i ndarë në pesë kategori

Në dosjen e tenderit të siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se kategoria 1 për “Furnizim me mish dhe me produkte të mishit” është e ndarë në dy lote, ku loti i parë peshon 4 milionë e 500 mijë euro, derisa loti i dytë 1 milion e 500 mijë euro. Po ashtu edhe kategoria e dytë “Furnizim me bylmet” është e ndarë në dy lote, ku vlera e të parit është 1.9 milion euro, derisa vlera e lotit të dytë 1 milion euro, shkruan Gazeta "Zëri".

Kategoria e tretë “Furnizim me ujë, me pije të gazuara dhe të pagazuara” është vetëm një lot, që peshon 1 milion euro. Kategoria e katërt “Furnizim me artikuj ushqimorë” është e ndarë në dy lote, i pari ka vlerë prej 3 milionë e 400 mijë eurosh, derisa loti i dytë 2 milionë e 800 mijë euro, si dhe kategoria e pestë “Furnizim me bukë dhe me brumëra të tjerë” është e ndarë në dy lote, ku loti i parë peshon 1 milion e 800 mijë euro, derisa loti i dytë 2 milionë e 100 mijë euro./ZËRI