Qeveria s’e heq taksën ndaj Serbisë

Ekonomia January 08, 2019 - 08:36
Lexo Detajet
Image

Deklarata e presidentit të Kosovës Hashim Thaçit për shqyrtimin e heqjes së tarifave ndaj Serbinë për të arritur një marrëveshje përfundimtare të paqes ka nxitur reagime të shumta. Thaçi po konsiderohet t’i ketë përzier kompetencat që i takojnë me një thirrje të tillë. Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës janë shprehur të habitur me reagimin e kreut të vendit. Madje ata kanë thënë se për të njëjtin qëndrim presidenti nuk është konsultuar fare me Qeverinë, shkruan gazeta "Zëri".

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar heqjen e taksës 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre nga Bosnja dhe Hercegovina, por një veprim të tillë po e konsiderojnë si të pamundur zyrtarë të Qeverisë së Kosovës. Këshilltarët e kryeministrit në një përgjigje për gazetën “Zëri” kanë thënë se nuk e kanë kuptuar nëse një deklarim i tillë i të parit të vendit është bërë për t’i hyrë në qejf Serbisë.

Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit, në një prononcim dhënë gazetës “Zëri” ka treguar se presidentit nuk i lejohet të marrë këtë vendim përderisa i njëjti mund të hiqet vetëm në rast se vendos Qeveria. “Sikur vendosja e taksës edhe heqja e saj i ka disa procedura ligjore. Secili institucion i ka kompetencat e ndara. Presidenti ka dhënë një deklaratë politike. Nuk e di a për konsum, a për t’i hyrë në qejf Serbisë ose Kosovës. Për t’u hequr taksa duhet një procedurë, dikush t’i propozojë Qeverisë. Qeveria e shqyrton, në mënyrën si e ka marrë vendimin mundet të revokohet. Pra, vendimi merret ose hiqet nga ata që e kanë marrë vendimin. Nuk mundet një institucion të marrë vendimin, tjetri ta largojë”, ka sqaruar Shatri.

LEXO EDHE: Mbyllet Këshillimorja e vetme për Fëmijë në Prishtinë

Më tej ai ka shfaqur këmbëngulësinë e Qeverisë sa i përket këtij vendimi.

Shatri ka shtuar se taksa nuk do të hiqet derisa të plotësohen kushtet që Qeveria mendon se duhet plotësuar për ta larguar taksën. “Kjo i bie që Serbia të sillet korrekt, të na njohë si shtet. Pastaj mund të bëjmë tregti, qarkullim të lirë të mallrave, të njerëzve në bazë të parimeve ndërkombëtare dhe reciprocitetit. Përndryshe nuk hiqet derisa Serbia na shkel sovranitetin çdo ditë. Është e pamundur dhe e pavend të hiqet taksa. Deklarata e presidentit është politike. Nuk e di në çka është thirrur, me Qeverinë nuk është marrë vesh”, ka theksuar këshilltari i kryeministrit Haradinaj.

Qëndrime të ngjashme sikur kryeministri shfaqi para disa ditësh edhe ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala. Shala publikisht u zotua se taksa nuk do të hiqet, duke shtuar se Qeveria i ka pasur arsyet e veta kur ka vendosur taksën. Por, ministri Shala ka thënë se taksa do të hiqet vetëm nëse arrihet njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. 

Opozita: Përplasjet e tilla, të dëmshme për vendin

Mosmarrëveshjet e tilla mes kryeministrit dhe presidentit po vlerësohen goxha të dëmshme për shtetin në përgjithësi. Të paktën kështu po shprehen deputetët nga radhët e partive opozitare.

Shqipe Pantina, nga Partia Socialdemokrate, i ka thënë gazetës “Zëri” se duhet të kemi një qëndrim unik, derisa ka përshëndetur vendimin e Qeverisë për vendosjen e taksës.

“Nuk do të doja t’i komentoja përplasjet mes presidentit dhe kryeministrit. Edhe pse mendoj se janë goxha të dëmshme për vendin në përgjithësi, sidomos në raport me Serbinë. Mendoj se ne si shtet duhet të kemi një qëndrim unik jo vetëm të institucioneve, por edhe të opozitës dhe të shoqërisë civile. Sa i përket taksës mendoj se ka qenë vendim i drejtë, ka ardhur si reagim ndaj shkeljeve të njëpasnjëshme të marrëveshjeve të mëhershme që Serbia i ka bërë. Ndonëse vendim i vonuar, por i drejtë”, ka deklaruar Pantina. Ajo ka kërkuar nga Qeveria që të mos tërhiqet nga ky vendim deri në plotësimin e kushtit që i është vënë Serbisë. “Mendoj se Qeveria nuk duhet të tërhiqet pa plotësimin e kushtit që i ka vënë Serbisë. Ne më në fund duhet të reagojmë si shtet. Në radhë të parë ta vendosim interesin e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë e jo të kujtdo tjetër”, ka shtuar deputetja e PSD-së. Deklarime thuajse të ngjashme ka shfaqur edhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Naser Rugova. Rugova në një përgjigje për gazetën “Zëri” e ka quajtur çakordim në mes krerëve të shtetit këtë çështje. “Ne si LDK, si Grup Parlamentar e shohim si çakordim të plotë mes krerëve të shtetit. Presidenti ka një ide të veten, kryeparlamentari ka disa ide dhe janë komplet konfuze dhe kryeministri e Qeveria kanë një ide tjetër. Paramendoni kur presidenti si simbol i unitetit të popullit implikohet në vendime politike të Qeverisë. Dhe kur kryeministri dhe Qeveria do të duhej të udhëhiqnin me ekipin negociator reagon presidenti. Kjo tregon joseriozitetin dhe sa i papërgatitur është ky koalicion qeverisës që thjesht ta menaxhojë dhe të udhëheqë këtë proces kaq të rëndësishëm”, ka potencuar Rugova. Ai i ka quajtur të mjerë krerët shtetërorë dhe pa sens institucional. Derisa deklarimet e tilla sipas tij po bëhen për gara primitive për të parë se kush po e merr bajraktarizmin për të qenë i pari. “Serbia jo që e ka rrezikuar sigurinë nacionale, por po bën çmos që të defunksionalizojë të mos njihet shtetësia e Kosovës. Kjo masë është marrë si mesazh te Serbia se ne jemi shtet dhe vetëm mbi bazën e parimit të reciprocitetit ne mund të ulemi të bisedojmë me palën e tretë. Ndërhyrjet e tilla me kompetenca ligjore dhe kushtetuese me relacionin Presidencë-Qeveri e rrënojnë imazhin e Kosovës edhe ashtu të rënë për toke”, ka përfunduar deputeti nga radhët e LDK-së.

Demhasaj: Presidenti u deklarua për gjëra që nuk ka kompetencë

Se presidenti i Kosovës nuk posedon kompetencë për t’u përzier në çështjet që u takojnë institucioneve tjera, në këtë rast Qeverisë, ka thënë edhe përfaqësuesi shoqërisë civile, Arton Demhasaj. Drejtori ekzekutiv i organizatës “Çohu” në një deklarim për gazetën “Zëri” është shprehur se presidenti nuk duhet të deklarohet për diçka që nuk ka kompetencë. “Në rast se nuk ka koordinim të brendshëm mes tri institucioneve kryesore, Presidencës, Qeverisë dhe Kuvendit, që taksa duhet të suspendohet për t’u arritur marrëveshja finale. Mendoj se deklaratat e presidentit janë të dëmshme. Nëse nuk ka konsensus presidenti nuk duhet të deklarohet për diçka që nuk është kompetencë e tij. Vendosja e taksës dhe heqja e taksës është kompetencë e Qeverisë, Qeveria vendos për këtë dhe nuk duhet të deklarohet presidenti, sepse është përzierje e kompetencave”, ka shpjeguar Demhasaj. Më tutje, sipas tij, për këtë çështje duhet të deklarohet Qeveria se a pranon ose jo për t’u hequr taksa. “Deri tani kemi parë këmbëngulësinë e Qeverisë se taksa nuk do të hiqet derisa Serbia ta njohë Kosovën, tash Qeveria është ajo që mundet të vendosë ta suspendojë përkohësisht këtë taksë deri të arrihet marrëveshja. Në rast se marrëveshja nuk pason me njohje taksa të rikthehet. Në rast se pason me njohje nuk ka nevojë të rikthehet të paktën siç ka deklaruar Qeveria deri më tash. Nuk është presidenti ai që vendos dhe nuk mendoj se presidenti duhet të deklarohet për këtë temë derisa nuk është kompetencë e tij”, ka thënë në mes të tjerash ai. Ndërkohë, me vendosjen e kësaj takse filluan të vërehen menjëherë efektet e saj. Në bazë të deklarimeve publike efekti i vendimit të Qeverisë së Kosovës për rritjen e taksës 100 për qind ndaj mallrave që origjinë kanë shtetin serb dhe Bosnjë Hercegovinën është mbi 65 milionë euro.