70 milionë euro për pensione të veteranëve për 11 muaj

Ekonomia December 06, 2018 - 07:54
Lexo tjera detaje
Image

Rreth 70 milionë euro janë shpenzuar nga buxheti shtetëror nga janari i këtij viti deri në nëntor për t’i paguar pensionet e 38 mijë e 263 veteranëve. Të dhënat zyrtare që ka siguruar gazeta “Zëri” nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) tregojnë se numri i veteranëve ka shënuar rritje sërish, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Zvarritja e procedurave me ngritjen e aktakuzave për veteranët mashtrues po u konvenon mijëra qytetarëve tjerë që të përfitojnë benificione në emër të shtetit. Hiç më pak se 70 milionë euro janë shpenzuar nga janari e deri në nëntor të këtij viti për t’i paguar pensionet e 38 mijë e 263 veteranëve.

Gazeta “Zëri” ka siguruar të dhënat e detajuara për numrin e përfituesve të këtij pensioni nga janari deri në nëntor bashkë me shumën e shpenzuar nga buxheti për këtë kategori. Duke iu referuar këtyre statistikave, në janar të këtij viti në listën e pensioneve kanë qenë 36 mijë e 794 veteranë, për të cilët janë shpenzuar 6 milionë e 297 mijë e 760 euro, në muajin shkurt 36 mijë e 989 veteranë, derisa shuma e pagesave pasqyrohet të ketë qenë 6 milionë e 261 mijë e 755 euro. Numri i veteranëve ka shënuar rritje edhe gjatë muajit mars, ku si përfitues janë regjistruar 37 mijë e 44 veteranë, pagesa e të cilëve i ka kushtuar buxhetit të shtetit 6 milionë e 234 mijë e 954 euro. Rritje e njëjtë ka ndodhur edhe gjatë muajit prill, me 37 mijë e 395 veteranë, të cilët i kanë marrë nga buxheti jo më pak se 6 milionë e 344 mijë e 129 euro.

LEXO EDHE: NATO-ja 'sulmon' ushtrinë

Ndryshe, gjatë muajit maj janë regjistruar 37 mijë e 460 veteranë me 6 milionë e 381 mijë e 882 euro të shpenzuara të buxhetit, në qershor 37 mijë e 598 veteranë, për çka janë shpenzuar 6 milionë e 353 mijë e 858 euro, në korrik 37 mijë e 771 në shumën e 6 milionë e 398 mijë e 253 eurove, në gusht 38 mijë e 51 veteranë, për të cilët janë paguar 6 milionë e 448 mijë e 142 euro të buxhetit. Vetëm në muajin shtator ky numër është rritur në 38 mijë e 184 veteranë, pagesa e të cilëve buxhetit i ka kushtuar 6 milionë e 439 mijë e 204 euro. Derisa në muajin tetor pensione nga shteti kanë kërkuar 37 mijë e 932 veteranë në vlerë të 6 milionë e 373 mijë e 372 eurove. Në nëntor numri i përfituesve është rritur sërish në 38 mijë e 263. Gjithmonë duke iu referuar shifrave zyrtare të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, vetëm në muajin nëntor janë shpenzuar nga buxheti shtetëror 6 milionë e 450 mijë e 75 euro.

Përndryshe, Prokuroria e Shtetit ka dyshime se në listat e veteranëve janë rreth 20 mijë veteranë të rremë, të cilët marrin pensione nga shteti. Për këtë gjë para dy muajsh Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj 12 personave në rastin “Veteranët”, në mesin e tyre janë: ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar”, që ndërlidhen me fryrjen e listave të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prokuroria Themelore “shpreson” në përfundim të procesit brenda vitit

Ndërkohë, Prokuroria Themelore është shprehur entuziaste sa i përket procesit me listat e veteranëve.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka, në një përgjigje për gazetën “Zëri” ka treguar se janë ende në proces, mirëpo presin që punët të kryhen brenda këtij viti. “Tash jemi në proces. Prokuroria jonë i ka marrë listat dhe është duke punuar prokurori Kujtim Munishi. Ne e kemi një problem se po duhet të kemi harmonizime, të mos bëjmë dallime se ata e kanë të njëjtin status penal. Besoj që diçka do të bëhet brenda vitit”, ka thënë shkurt kryeprokurori Beka.

Largimin e veteranëve nga listat e përftimit në mënyrë të njëanshme e ka cilësuar problematik këshilltari i kryeministrit, Haki Shatri. Shatri në një prononcim për gazetën “Zëri” ka thënë se për këtë proces duhet të kryhen disa procedura tjera. “Është problem të hiqen veteranët në mënyrë të njëanshme me një vendim individual. Duhet një procedurë. Derisa të kryhet procedura është e mundur të rritet numri se bëjnë kërkesa komisionet. Kur të përfundojnë punën me procedura gjyqësore besoj se numri do të zbresë relativisht përmbajtjesor dhe atëherë kursehet buxheti e ndahen ata që janë të vërtetë dhe që nuk janë”, ka sqaruar Shatri.

Këshilltari i kryeministrit i ka shuar shpresat se veteranët do t’i kthejnë kompensimet që kanë marrë nga shteti, duke e cilësuar një mundësi të tillë si të pamundur. “Veteranët paratë që i kanë marrë si kompensime mujore s’ka shans të kthehen ato para. Atyre njerëzve me njëfarë procedure u është lejuar pranimi i atyre kompensimeve. Me rëndësi është të ndërpriten dhe të bëhet spastrimi i listave. Është problem nëse kërkohet ndëshkim. Ndëshkim duhet t’u jepet atyre që kanë lejuar të rritet numri i paarsyeshëm, jo ata që kanë marrë para”, ka përfunduar më tutje.

Pastrimin e listave të veteranëve e ka kërkuar edhe menaxherja e projekteve në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Diana Metushi-Krasniqi. Në një përgjigje për gazetën “Zëri” ajo ka thënë se shpreson në pastrimin e listave në mënyrë që të ketë më shumë buxhet për kontributin e veteranëve të vërtetë. “Do të ishte mirë që listat e veteranëve të pastroheshin dhe veteranët e vërtetë të merrnin pagesën e merituar që u takon. Shpresoj se kur të pastrohen listat të kenë buxhet më shumë t’i ndihmojnë për kontributin që kanë dhënë. Pensionet e veteranëve nuk janë e vetmja ngarkesë sociale, Kosova i ka 40 skema sociale, rreth 180 milionë euro borxhe të trashëguara. Shumë obligime që e rëndojnë buxhetin qeveritar. Para se të vazhdojmë me aprovimin e skemave duhet një analizim se cilat kategori duhet të mbështeten”, ka rekomanduar Metushi-Krasniqi. Ajo nuk e ka mohuar faktin se të gjithë janë pro një demokracie sociale për rastet në nevojë. “Ne të gjithë jemi për një demokraci sociale për rastet që kanë nevojë. Kemi edhe pagesa për ish të burgosurit politikë, asnjëherë nuk janë verifikuar ato lista se cilët janë të burgosurit politikë të Kosovës që janë arrestuar ose janë burgosur, ose kanë vuajtur dënim për veprimet politike”, ka shtuar në mes të tjerash.

Prokuroria Speciale, gati për ta dorëzuar në Gjykatë aktakuzën e “Veteranëve”

Një javë para se të përfundojë afati kohor, i caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Prokuroria Speciale e Kosovës ka gati aktakuzën e njohur si “Rasti i Veteranëve”, pjesë e së cilës janë 12 ish-krerët e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, të cilët akuzohen për manipulime me listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Prokuroria Speciale e Kosovës e ka gati aktakuzën për rastin e njohur si “Veteranët” ndaj 12 ish-krerëve të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe për Verifikimin e Statusit të Veteranëve, Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj e Xhavit Jashari. Zyrtarë të kësaj Prokurorie ditën e martë deklaruan për gazetën “Zëri” se kjo aktakuzë është përgatitur sipas vërejtjeve dhe plotësimeve që kishte kërkuar Gjykata Themelore në Prishtinë.

Prokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sylë Hoxha, i ka thënë gazetës “Zëri” se Prokuroria do t’i përmbahet afatit të dytë që ka caktuar Gjykata për përfundimin e kësaj aktakuze. “Aktakuza është përgatitur sipas vërejtjeve e plotësimeve dhe do t’i përmbahemi afatit të caktuar nga Gjykata. Jo, nuk ka nevojë për shtyrje të afatit kohor, e kemi kërkuar një herë, tash aktakuza është në përfundim e sipër dhe brenda afatit kohor do t’i dorëzohet Gjykatës”, deklaroi Syla.

Ndërkohë, zyrtarë të Gjykatës Themelore në Prishtinë pohuan se aktakuza ende nuk ka mbërritur./ZËRI