NATO-ja 'sulmon' ushtrinë

Aktuale December 06, 2018 - 07:49
Lexo tjera detaje
Image

Sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar dje se transformimi i FSK-së në ushtri po ndodh në kohë të papërshtatshme dhe kjo mund të ketë pasoja serioze për vendin. Por ministri Rrustem Berisha ka deklaruar për “Zërin” se FSK-ja nuk mund të mbesë deri në pafundësi me misionin që ka aktualisht. Megjithatë, ai është shprehur i bindur se s’do të ketë cenim të raporteve me partnerët strategjikë të Kosovës, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Pak ditë para se pakoja e projektligjeve për transformimin e FSK-së në ushtri të shkojë në Kuvend për lexim të dytë zyrtarë të lartë të NATO-s janë deklaruar kundër transformimit të FSK-së, pasi nuk është koha e duhur që të ndodhë një gjë e tillë.  Madje në rast se do të ketë transformim të FSK-së, zyrtarët e NATO-s kanë paralajmëruar pasoja për Republikën e Kosovës edhe në procesin e integrimit euroatlantik. Pavarësisht kësaj, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK), Rrustem Berisha, ka thënë për gazetën “Zëri” se Kosova nuk mund të presë deri në pa kufi për ta bërë ushtrinë e saj. Por megjithëkëtë, Berisha ka konsideruar se nuk do të ketë cenim të raporteve me partnerët strategjikë, përkundrazi siç ai është shprehur, Kosova do të vazhdojë t’i ketë raportet e njëjta me NATO-n siç i ka pasur gjer më tani.
Në anën tjetër, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë thënë se nuk do të ketë ndryshim të situatës, porse projektligjet, me anë të të cilave do t’i shtohen kompetenca shtesë FSK-së, do të votohen më 14 dhjetor të këtij viti.

Votimi i ushtrisë, NATO-ja paralajmëron pasoja

Teksa ka konsideruar se transformimi i FSK-së në ushtri po ndodh në kohën e papërshtatshme, sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se një gjë e tillë është në kundërshtim me rekomandimet e shumicës së vendeve që janë pjesë e NATO-s. Me këtë rast ai ka deklaruar se kjo iniciativë e institucioneve të Kosovës mund të ndikojë negativisht në rrugën e integrimeve euroatlantike për Kosovën. “Kjo shkon përtej këshillimeve të shumë zyrtarëve të NATO-s dhe mund të ketë pasoja serioze për integrimin e ardhshëm të Kosovës në proceset euroatlantike”, ka deklaruar kreu i Aleancës Veriatlantike gjatë ditës së djeshme.

Berisha: S’mund të presim deri në pafundësi për ushtrinë

Teksa ka komentuar deklaratat e Stoltenbergut lidhur me çështjen e ushtrisë, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ka thënë se FSK-ja nuk mund të mbesë deri në pafundësi me misionin që ka aktualisht. “Nëse tani nuk është koha, shtrohet pyetja se kur është koha që kjo të ndodhë? Ne nuk mund të presim deri në pafundësi dhe të mbetemi me misionin aktual”, ka deklaruar ai.

Megjithëkëtë, Berisha është shprehur i bindur se nuk do të ketë cenim të raporteve me partnerët strategjikë të Kosovës. “Nuk mund të ketë. Minimumi i bashkëpunimit të NATO-s është ky që kemi. NATO-ja funksionon mbi bazën e konsensusit dhe në kuadër të NATO-s janë katër shtete, të cilat nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për ta marrë ndonjë vendim për ta ulur bashkëpunimin që e kemi duhet të ketë pajtueshmëri të të gjitha shteteve që janë pjesë e NATO-s. Ne e kemi mbështetjen e shteteve të fuqishme që janë brenda NATO-s”, ka theksuar ai, duke shtuar se institucionet e Kosovës janë dakorduar me NATO-n qysh në fillim. Madje sipas tij, Kosova në vazhdimësi ka pasur bashkëpunim me NATO-n, edhe gjatë viteve paraprake. “Ne edhe progresin që e kemi bërë e kemi bërë në bashkëpunim me NATO-n. Edhe kryesimet e kapaciteteve operative janë bërë prej NATO-s më 2013-n dhe koha që kemi pritur prej 2014-s ka qenë qëllimi që kjo të ndodhë me ndryshime kushtetuese. Ne pajtohemi që është varianti më i mirë, por askush nuk e ka atë të drejtë që ta përdorë veton që ne të mos e kemi ushtrinë tonë”, ka nënvizuar ai.

Rrjedhimisht kreu i MFSK-së ka konsideruar se Kosova nuk duhet të zmbrapset nga kjo nismë. “Nuk ka arsye që ne të heqim dorë prej së drejtës sonë, pavarësisht këtyre pengesave eventuale që mund të jenë”, ka nënvizuar Berisha gjatë një bisede për “Zërin”.  

Lidhur me çështjen e ushtrisë gjatë së mërkurës është deklaruar edhe kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se ushtria po bëhet për ta ruajtur paqen e jo për ta okupuar veriun e Kosovës, siç po deklarojnë mediet serbe. “Ushtrinë nuk e kemi për veri, është rrenë e kulluar. Ushtrinë e kemi për Afganistan dhe për Irak, për t’u ndihmuar shteteve”, ka theksuar kreu i ekzekutivit.

Selimi: S’ka ndryshim, më 14 dhjetor votohet pakoja e projektligjeve

Pavarësisht deklarimeve të zyrtarëve të NATO-s se nuk është koha e duhur për ta bërë ushtrinë, Rexhep Selimi, zëvendëskryetar i parë i Komisionit për Mbikëqyrje të FSK-së nga LVV-ja, ka thënë se është e drejtë kushtetuese e Kosovës që ta avancojë misionin e FSK-së. “FSK-ja është kategori kushtetuese, e përshkruar në Kushtetutë. Njëkohësisht deri më tash nuk po ndodh transformimi i FSK-së në ndonjë strukturë tjetër, por po ndodh me ndryshime ligjore, të cilat i japin kompetenca shtesë FSK-së. Pra nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim antikushtetues, as nuk bëhet fjalë për ndonjë krijim të ndonjë force të re ose të ndonjë force shtesë”, është shprehur ai.

Një gjë e tillë sipas Selimit në asnjë mënyrë nuk do të duhej të shihej si rrezik për ndokënd. “Përkundrazi, kjo do të jetë e mirë edhe për Kosovën, edhe për NATO-n, edhe për fqinjët, edhe për rajonin. Andaj nuk ka pse të shqetësohet dikush lidhur me avancimin e kapaciteteve të FSK-së”, ka potencuar ai.

Rrjedhimisht, Selimi është shprehur i vendosur se pakoja e projektligjeve për transformimin e FSK-së do të votohet më 14 dhjetor të këtij viti. “Patjetër do të ketë votim, nuk pres ndryshim të kësaj situate. Më datën 14 FSK-ja do të votohet, projektligjet për FSK-në do të votohen me plotësim-ndryshim ose me avancim të kapaciteteve profesionale”, është shprehur deputeti i LVV-së./ZËRI