Ngrihen çmimet e qumështit dhe të prodhimeve të qumështit në veri
FOTO: Laura Hasani

Ngrihen çmimet e qumështit dhe të prodhimeve të qumështit në veri

Ekonomia nëntor 16, 2018 - 08:33
Detajet
Image

Qytetarë serbë të veriut të Mitrovicës, pronarë dyqanesh e biznesesh, punëmarrës e afaristë janë ankuar se çmimet e të gjitha produkteve të cilat importohen nga Serbia janë rritur për 10 për qind. Ata druajnë se do të ketë ndryshim çmimi edhe te materiali ndërtimor pas vënies së taksës prej 10 për qind nga Qeveria e Kosovës, shkruan sot gazeta "Zëri".

Serbët e veriut të Mitrovicës janë ankuar se çmimet e të gjitha produkteve kanë lëvizur menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për vënie të taksës 10 për qind në importin e produkteve të Serbisë dhe të Bosnjës. 

Sipas një ankete, që e ka realizuar radio “Kontakt Plus” në veri të Mitrovicës, serbët janë ankuar se rritja e çmimeve është “goditje në xhepin e qytetarëve”. Sidomos serbët janë ankuar në ngritjen e çmimit të qumështit dhe të produkteve të qumështit.

LEXO EDHE: Dyshime për keqpërdorime në kontratën milionëshe për autostradën Prishtinë - Gjilan

Sipas tyre, një litër qumësht “Kravica” tani kushton 110 dinarë ose rreth 1 euro.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e taksës 10 për qind në pikat kufitare në Jarinjë dhe në Bërnjakë ka bërë që çmimet e të gjitha produkteve që vijnë nga Serbia e Bosnja të rriten. Në bazë të çmimit të qumështit i cili ka qenë 8 centë tanë është 18 centë, në jogurt që ka qenë 18 centë tani është 28 centë, si dhe në qumështin prej çokollate”, është shprehur Nikolla Çeperkoviq nga qumështorja “Imlek”, i cili ka sqaruar se çmimet janë rritur si pasojë e taksës që ka vënë Prishtinaa. 

Ndërsa një grua serbe rreth të 50-tave ka thënë se kjo nuk është asgjë tjetër përveçse goditje në xhepin e qytetarëve. Për shkak të taksës, sipas punëmarrësit Radosh Petroviq, mund të rriten edhe çmimet e materialit ndërtimor.  Sipas tij, në veri të Mitrovicës edhe më tutje shiten mallrat e vjetra nga depot dhe për këtë arsye, siç thotë ai, disa nga mallrat do të shiten edhe për disa ditë me çmime të vjetra. 

Serbët furnizohen në jug

Por për shumicën e serbëve të veriut të Mitrovicës ngritja e çmimeve të produkteve serbe në veri të Mitrovicës nuk do të paraqesë asnjë problem, pasi ata zakonisht furnizohen në dyqanet në jug të Mitrovicës. Sidomos serbët e shfrytëzojnë ETC-në, të cilën e shfrytëzojnë po aq sa edhe shqiptarët.

Por serbët frikësohen se vendosja e taksës prej 10 për qind në importin e produkteve nga Serbia e Bosnja do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve nëpër dyqanet në jug, madje disa nga ata edhe e dëshirojnë këtë me shpresën se shqiptarët do të bëjnë presion te Qeveria e Kosovës që ta heqë taksën.

Se çmimet e produkteve të ndryshme kanë lëvizur edhe në jug e thotë edhe një shqiptar Mehmet Haziri, i cili ka siguruar se tashmë çmimi i miellit është rritur. Qeveria e Serbisë në anën tjetër, si dhe vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kanë kërkuar nga Prishtina që ta heqë taksën, në të kundërtën dialogu nuk do të vazhdojë.

Gjithashtu Lista Serbe është kërcënuar se do ta ngrejë popullin në protestë nëse kjo taksë nuk hiqet. Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë se të gjitha vendimet që merr Lista Serbe i harmonizon me qeverinë e Serbisë dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq, duke siguruar serbët se masa që ka ndërmarrë Prishtina “10 për qind taksë në produktet e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës që hyjnë në Kosovë” do të hiqet, pasi që me këtë masë nuk pajtohet Serbia. Ai ka porositur Prishtinën që t’i përmbahet Marrëveshjes së CEFTA-s, në të kundërtën serbët nuk do të rrinë duarkryq. Sipas Rakiqit, Prishtina nuk ka të drejtë të vendosë masa të asnjë lloji në produktet serbe.

Lajiq: Serbia nuk do të përgjigjet me masa reciprociteti

Në anën tjetër ministri serb për Tregti, Rasim Lajiq, ka thënë të enjten se Serbia nuk do të përgjigjet me masa reciprociteti, pasi Kosova nuk eksporton në Serbi “pothuajse asgjë”.

“Kundërmasa nuk mund të vendosim, sepse pothuajse ato nuk ekzistojnë, përveç diçka nga pemët e perime, asgjë tjetër nuk ka që Serbia blen nga Kosova. Mënyra e vetme që të përgjigjemi është që bashkë me Bosnjën të bëjmë presion te Komisioni Evropian”, ka thënë Lajiq. 

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për vendosjen e masës mbrojtëse për importin e të gjitha produkteve të prodhuara në Republikën e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinës. Masa mbrojtëse nënkupton taksën prej 10 për qind të të gjitha produkteve që importohen në Kosovë dhe kanë për vend të origjinës Republikën e Serbisë dhe të Bosnjë e Hercegovinën.

Përjashtim nga kjo masë bëjnë produktet e vendeve  ndërkombëtare të prodhuara në Serbi dhe në Bosnjë. Vendimi për vënien e taksës 10 për qind në produktet serbe që hyjnë në Kosovë tashmë ka filluar të zbatohet. Vendimin e Qeverisë për vënien e taksës prej 10 për qind në import të produkteve me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina e kanë mbështetur të gjitha asociacionet e bizneseve në vend.

Drejtori gjeneral i Doganave të Kosovës, Bahri Berisha, ka deklaruar se pas aplikimit të taksës prej 10 për qind në produktet serbe para një jave plasmani i mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina në Kosovë ka rënë për 50 për qind./ZERI