Kërkohet rishpallja e konkursit për drejtor të ATK-së

Kërkohet rishpallja e konkursit për drejtor të ATK-së

Ekonomia nëntor 14, 2018 - 07:48
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Konkursi për drejtor të Administratës Tatimore të Kosovës ka futur në garë ish-ministra e ish-kandidatë për kryetarë të komunash. Ky fakt i ka shqetësuar njohësit e sistemit të drejtësisë në Kosovë, të cilët kanë shfaqur dyshime për punën e tyre nën diktatin e pjesëmarrësve politikë, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, ia “ka mësyrë” garës për të parin e ATK-së në mesin e shumë ish-ministrave e ish-kandidatëve për kryetarë komunash.

LEXO EDHE: Projekti 13-milionësh nuk përfundon as sivjet

Një konkurs i tillë me numër kaq të madh të kandidatëve me të kaluar politike ka ngjallur pakënaqësi te njohësit e sistemit të drejtësisë, të cilët kanë kërkuar rishpalljen e procesit edhe një herë me arsyetimin se ky proces me këta emra aktualë e thellon integritetin dhe kapjen e institucioneve të pavarura në vend.

Ky aplikim nuk është parë në të njëjtën mënyrë nga kandidatët që kanë aplikuar.

Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, në një deklaratë dhënë gazetës “Zëri” ka thënë se nuk ka parë asnjë arsye të mos i futet kësaj gare, pasi ka plotësuar të gjitha kriteret.

“E vërtetë është që kam marrë pjesë në konkurs. Shpresa vdes e fundit, kam hyrë për të fituar e tash a fitoj ose jo nuk e di. Konkursin publik e kam parë, ato kushtet që i kam parë i plotësoj, pse mos të konkurroj? Unë e kam marrë certifikatën në gjykatë që nuk jam i dënuar, nuk e kam asnjë dënim, certifikata është zyrtare. Në shkallë të parë më kanë dënuar me kusht, shkalla e dytë më ka shpallur të pafajshëm. Asnjë faj s’e kam me letra”, është shprehur Haraqija.

Por në anën tjetër Arben Kelmendi, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka komentuar procesin e procedurave të pranimit në konkurse publike në Kosovë. Sipas tij, pozitat e larta në Kosovë janë bërë mënyrë për rehatimin e militantëve partiakë.

“Fatkeqësisht këto postet e larta janë bërë mënyrë për rehatimin e militantëve partiakë. Një dukuri që ka qenë gjithnjë e shprehur në Kosovën e pasluftës dhe duket sikur është intensifikuar me mandatin aktual qeverisës - punësimet dhe avancimet më të reja. Në Agjencinë Kosovare të Pronës kemi tash edhe rastin e fundit me aplikimet për drejtor të ATK-së, ku aplikojnë Haraqija dhe një ish-kandidat për kryetar të Prizrenit. Vetë mënyra e emërimeve të tyre bëhet nga shefat partiakë”, është shprehur për gazetën “Zëri” Kelmendi.

Sipas tij, prioritet i këtyre kandidatëve bëhet zbatimi i agjendave të partive të tyre politike në vend të menaxhimit të mirëfilltë të institucioneve.

“Me fjalë të tjera prioritet i tyre bëhet zbatimi i agjendave të partive të tyre politike në vend se të merren me menaxhim të mirëfilltë të institucioneve në krye të cilës emërohen”, ka theksuar në mes tjerash ai.

Kërkohet anulimi  i konkursit:

Në rast të pranimit të militantëve partiakë në krye të ATK-së, konkursi ligjërisht do të duhej të anulohet. Kështu është shprehur njohësi i fushës së sundimit ligjor në Kosovë, Riza Smaka.

Ai në një prononcim për gazetën “Zëri” ka treguar rrugën adekuate të një konkursi të mirëfilltë.

“Nëse konkursi do të përfillej sikur janë praktikat më të mira do t’i filtronte ata kandidatë, ato kandidate që nuk do të kishin integritet moral e profesional. Paraqitja në konkurs nuk mund të ndalohet apriori, por do të duhej apostrofimi të jetë me procedurën e trajtimit të kandidatëve edhe të përzgjedhjes së përcaktimit të kandidates/kandidatit që do t’i përmbushte kërkesat e konkursit”, ka thënë Smaka.

Smaka ka përmendur faktin se në Kosovë nuk përfillet meritokracia, duke pasur për pasojë mosfunksionimin adekuat të institucioneve.

“Në vendin tonë mjerisht nuk përfillet meritokracia, kjo është rregull që nuk do të duhej të ishte e pasojat janë këto që nuk funksionon as administrata publike, as institucionet publike, as sistemi i drejtësisë sepse nuk bëhet përzgjedhja e personave meritorë, por  i atyre që konsiderohet se janë partizanë të devotshëm të partisë politike të caktuar shpërblehen. Konkursi do të duhej të anulohej në qoftë se do të pranohej personi që nuk do t’i plotësonte kriteret e konkursit dhe do të zgjidhej në baza partiake e jo në bazë të kritereve profesionale”, ka shtuar në mes tjerash ai.

Ndërsa sipas zyrtarëve të Qendrës Kosovare Kundër Korrupsion, konkursi nuk bën të shkojë më tutje dhe duhet të rishpallet.

“Kjo tregon për një proces klientelist të kapjes së institucionit më të rëndësishëm financiar në vend si ka ndodhur edhe në të kaluarën. Ky proces nuk bën të shkojë më tutje, duhet që të rishpallet sepse është e parapërcaktuar se kush do të bëhet drejtor dhe ai fatkeqësisht do të jetë nën urdhrat e politikave ditore të partive në pushtet dhe jo të menaxhojë një institucion siç është ATK-ja. Pra, si proces dhe si emra aktualë mund të konkludojmë që është proces i cili e thellon edhe më shumë integritetin dhe kapjen e institucioneve të pavarura në vend”, thuhet në përgjigjen me shkrim të tyre.

Faktin e njëjtë e ka përmendur edhe Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

“Fatkeqësisht është ndërtuar praktika që pozitat kryesore në administratën publike të plotësohen me militantë politikë të partive politike si rezultat i marrëveshjeve politike. Një qasje e tillë sigurisht se ndikon në performancën e këtyre institucioneve, në besimin e publikut, në pavarësinë e këtyre institucioneve. Të gjitha raportet vendore dhe ndërkombëtare në vazhdimësi kanë kritikuar një qasje të tillë të një institucioni, i cili luan rol të rëndësishëm në mbledhjen e të hyrave për buxhetin e shtetit”, ka deklaruar Miftaraj për “Zërin”.

Kandidatët për drejtor të përgjithshëm të ATK-së

Në bazë të publikimit të listës deri më tani në garë për drejtor të të parit të ATK-së janë futur kryesisht persona me të kaluar politike. Siç është publikuar, Ismet Alia thuhet të jetë i afërt me PDK-në, Ruzhdi Zeqiri me LDK-në, Shaqir Totaj ish-kandidat për kryetar të Prizrenit, Hamdi Hoxha i afërt me LDK në dhe kohët e fundit me Nismën, Ilir Murtezi i afërt me PDK-në, Hamit Mulaj i afërt me PDK-në, Astrit Haraqija ish-ministër i LDK-së, Isen Lipovica i afërt me Elmi Reçicën e PDK-së dhe Besim Ahmeti i afërt me PDK-në.

Më datë 15 dhjetor të vitit 2016 Gjykata Themelore e Prishtinës i kishte shqiptuar dënim me kusht Astrit Haraqisë për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare”. Por në muajin qershor të vitit 2017 Gjykata e Apelit kishte marrë aktgjykimin lirues ndaj Haraqisë dhe ndaj Valton Beqirit, dy ish-ministrave të Kulturës.

Aktualisht ATK-ja udhëhiqet nga Sakip Imeri.