Projekti 13-milionësh nuk përfundon as sivjet

Ekonomia November 14, 2018 - 07:45
Lexo lajmet e fundit nga vendi!
Image

Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, ka mbajtur një takim me pronarë të tokave përgjatë të cilave realizohet projekti i zgjerimit të rrugës Klinë e Epërme - Polluzhë, por vetëm disa nga ata kanë nënshkruar marrëveshjen me anë të së cilës pronarët janë pajtuar që të mos pengojnë vazhdimin e punëve. Për ata që nënshkruan marrëveshjen Komuna ka garantuar kompensim, ndërsa të tjerët kanë kërkuar që paraprakisht të bëhet kompensimi e pastaj të vazhdojë realizimi i projektit, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Edhe gati pas një viti prejse ka marrë timonin e Komunës së Skenderajt kryetari Bekim Jashari nuk ka arritur t’i bindë t’i gjithë pronarët e pronave përgjatë të cilave është duke u realizuar projekti i zgjerimit të rrugës Klinë e Epërme – Polluzhë që të mos pengojnë realizimin e projektit, ndonëse që në fillim të mandatit Ministria e Infrastrukturës së Republikës së Kosovës kishte ndarë edhe 13 milionë euro të tjera për ta përfunduar komplet projektin nga Klina e Epërme e Skenderajt deri në Komaran të Drenasit.

LEXO EDHE: Dështimet e njëpasnjëshme

Nga Polluzha e deri në Klinë të Epërme janë të paktën 5 shtëpi, të cilat duhet larguar (rrënuar), por edhe në disa pjesë të tjera, për shkak të problemeve me shpronësimin disa pjesë të rrugës kanë mbetur pa një shirit të asfaltit.

I pari i Skenderajt, Bekim Jashari, dhe nënkryetari Nuredin Lushtaku kanë mbajtur një takim me pronarët e pronave, përgjatë së cilave realizohet projekti i zgjerimit të rrugës nga Polluzha e Drenasit deri në Klinë të Epërme të Skenderajt, të hënën.

Sipas Jeton Rushitit, zyrtar për informim në Komunën e Skenderajt, the se me shumicën e pronarëve kryetari Jashari ka nënshkruar aktin e marrëveshjes, përmes të cilit pronarët, në njërën anë janë pajtuar të mos e pengojnë realizimin e këtij projekti dhe brenda 3 muajve do të përgatisin të gjithë dokumentacionin përkatës të pronës, ndërkaq Komuna e Skenderajt në tjetrën anë do të jetë garantuese e kompensimit të pronës, pasi të lëshohen vendimet për shpronësim.

Komuna kompleton dokumentacionin e pronave

“Kryetari Jashari do të kompletojë të gjithë dokumentacionin e pronave, të atyre që kanë nënshkruar aktin e marrëveshjes, të cilin do ta përcjellë te Ministria e Infrastrukturës. Ai është zotuar se të angazhohet maksimalisht që t’i bindë pronarët skeptikë, të cilët nuk kanë nënshkruar marrëveshjet, të mos bëhen pengesë e realizimit të këtij projekti shumë të rëndësishëm, duke siguruar se çdo pëllëmbë toke që do të merret për realizimin e këtij projekt do të kompensohet sipas çmimit të tregut”, i ka thënë “Zërit” Rushiti, duke cituar kryetarin Jashari, sipas të cilit, “këto pengesa të paraqitura nuk kishin për të qenë sikurse të kishte vullnet nga ana e qeverisjes së kaluar të nivelit qendror dhe të pushtetit paraprak në Skenderaj për të marrë përgjegjësi, që projektet e mëdha kapitale nga të cilat më së shumti përfitojnë qytetarët e Skenderajt të realizohen pa pengesë”. 

Në anën tjetër Qeveria “Haradinaj” me ta marrë pushtetin ka ndarë 13 milionë euro për përfundimin e këtij projekti.

Ministri Pal Lekaj, i cili kishte takuar kryetarët e dy komunave të Drenicës, Bekim Jasharin dhe Ramiz Lladrovcin, pati thënë se Qeveria është e përkushtuar që të investojë në Skenderaj dhe në Drenas, sepse këto dy komuna ka dhënë shumë për lirinë e Kosovës.

“Kjo rrugë me katër korsi do t’u shërbejë qytetarëve të Drenicës për qarkullim më të lehtë të automjeteve dhe qarkullim të mallrave e që do të ndihmojë edhe në zhvillimin e ekonomisë së kësaj ane”, pati thënë ministri Lekaj, duke precizuar se në përfundimin e plotë të projektit MI-ja do të investojë 12.7 milionë euro. Sipas tij, nga ajo shumë e mjeteve 1.7 milion euro janë për përfundimin e autorrugës Klinë e Epërme – Polluzhë.

Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, i ka thënë “Zërit” se shpronësimi i pronave për t’i lëshuar vend ndërtimit të rrugës është ekskluzivisht përgjegjësi e Ministrisë që drejton ai.

“Komunat këtu nuk kanë asgjë, komunat vetëm e përgatisin dokumentacionin, procedurat e shpronësimit janë punë të Ministrisë së Infrastrukturës”, i pati thënë Lekaj “Zërit” pas takimit që kishte me kryetarët e dy komunave të Drenicës.

Projekti ka nisur para katër vjetësh

Projekti për zgjerimin e rrugës nga Polluzha e Drenasit e deri në Klinë të Epërme të Skenderajt ka filluar para katër vjetësh, por ai nuk ka përfunduar pasi që MI-ja nuk ka arritur t’i shpronësojë të paktën 5 shtëpi që pengojnë zgjerimin e rrugës, si dhe një pjesë të tokës te rrethrrotullimi në Klinë të Mesme.

Para 4 vjetësh, saktësisht në tetorin e vitit 2014, dy kompani, njëra nga Drenasi dhe tjetra nga Istogu, kishin fituar tenderin dhe kishin filluar punët për zgjerimin e rrugës me katër korsi nga hyrja në Skenderaj, nga ana e Drenasit e deri në Klinë të Epërme. Kompania “Al Trade” (Drenas) kishte fituar tenderin për ta zgjeruar rrugën nga xhamia e deri në Klinë të Epërme, ndërsa kompania “Conex” prej xhamisë e deri në Polac, por kryesore, siç kishin deklaruar atëherë përfaqësuesit e Ministrisë së Infrastrukturës, ishte që të përfundojë zgjerimi i rrugës prej hyrje-dalje nëpër Skenderaj.

Për lotin që kishte fituar kompania “Al Trade” Ministria e Infrastrukturës kishte dhënë 1.4 milion euro, ndërsa për atë të kompanisë “Conex” (Istog) 1.9 milion euro, pasi pjesë e projektit të asaj rruge ishte edhe ndriçimi.

Kompania “Al Trade” kishte arritur që projektin ta përfundojë shpejt, si dhe trotuaret e rrugës, por ajo kishte hasur në pengesa në 4-5 vende prej xhamisë e deri në Klinë të Epërme, për shkak se Ministria e Infrastrukturës nuk kishte arritur t’i përfundojë procedurat e shpronësimit, gjë që ka bërë që në ato pjesë rruga të mos zgjerohet, respektivisht të mbetet vetëm me nga një korsi.

Për ndërtimin e urës jo fort larg xhamisë ishte angazhuar një tjetër kompani, e cila ka arritur ta ndërtojë vetëm njërën anë të urës.

Nga aty e deri në Klinë të Epërme rruga nuk ka përfunduar në një pjesë në Klinë të Poshtme, pasi që korsia tjetër i bie përmes shtëpisë së një qytetari, në Klinë të Mesme janë katër pengesa, njëra te rrethrrotullimi, ku një qytetar nuk ka lejuar të zgjerohet rruga nëpër pronën e tij, si dhe gjithashtu në Klinë të Mesme, kur duhet rrënuar dy shtëpi, njëra në katër nivele dhe e pameremetuar dhe një tjetër pranë saj e gatshme për banim, në mënyrë që rruga të zgjerohet ashtu siç është paraparë me projekt.

Banorët nuk merren vesh me Ministrinë

Këto të fundit janë ndërtuar në kohën sa me Komunën e Skenderajt ka administruar UNMIK-u, respektivisht administratori anglez Bob Charbury.

Një shtëpi tjetër duhet të rrënohet në Klinë të Epërme, fare pranë rrethrrotullimit, ndërsa një shtëpi dhe objekte të tjera përcjellëse në Marinë pengojnë zgjerimin e rrugës në atë pjesë.

Ajo pjesë posa ta kalosh rrethrrotullimin ka mbetur vetëm me një korsi, ndërsa nga ana ku ndodhen shtëpia Ministria e Infrastrukturës ka vendosur një mburojë të fortë betoni në mënyrë që automjetet “të mos fluturojnë” mbi objektet e ndërtuara.

Fadil Deliu, pronar i shtëpisë dhe i objekteve, thotë se me Ministrinë e Infrastrukturës nuk kanë mundur të merren vesh për shpronësimin.

“Më patën ofruar kompensim vetëm për ahurin edhe për bunarin, por unë nuk pata pranuar. Ata kanë ardhur dhe kanë vënë betona dhe e kanë lënë punën. Është rrezik ajo pjesë, sepse makinat mund të përplasen në ata betona. Por tani duket që kjo do të rregullohet, pasi që kemi pasur një takim me kryetarin Jashari dhe ai ka premtuar se do të kompensohemi”, ka thënë Deliu, i cili edhe ka nënshkruar marrëveshjen. 

Edhe në Polac në të dy anët afër shkollës së fshatit rruga ka mbetur pa përfunduar për shkak të problemit me shpronësimin.

Nuk nënshkruajnë marrëveshje me kryetarin

Njëri nga pronarët, Avni Xani, i tha gazetës “Zëri” se nuk e ka nënshkruar marrëveshjen me kryetarin Bekim Jashari, pasi që në marrëveshje nuk ka asgjë konkrete.

“Nuk kam nënshkruar marrëveshjen, pasi që në atë marrëveshje nuk ka asgjë konkrete, as sipërfaqja e pronës që na merret, as çmimi dhe asgjë. Ata po duan që ta kryejnë punën e vet, ndërsa neve të na kompensojnë kur të munden ose të mos na kompensojnë e ne të shtyhemi nëpër gjykata. Kjo kështu nuk shkon, sepse fillimisht duhet të na kompensojnë për pronën që na marrin e pastaj të fillojnë të punojnë”, ka thënë ai. 

Por Pal Lekaj, ministër i Infrastrukturës i Republikës së Kosovës, i ka thënë “Zërit” se shpronësimi i pronave për t’i lëshuar vend ndërtimit të rrugës është ekskluzivisht përgjegjësi e Ministrisë që drejton ai.

“Komunat këtu nuk kanë kurrgjë, komunat vetëm e përgatisin dokumentacionin, procedurat e shpronësimit janë punë të Ministrisë së Infrastrukturës”, i pati thënë Lekaj “Zërit” pas takimit që kishte me kryetarët e dy komunave të Drenicës.